Rama: Në Beograd u tregova kush janë shqiptarët
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, thotë se ishte një emocion i fortë kur ka parë reagimin aq pozitiv të shqiptarëve pas fjalimit të tij në Beograd, kur ia tha në fytyrë kryeministrit serb Aleksandar Vuçiç, se Kosova e pavarur është një realitet të cilin duhet ta pranojë Serbia.
“Kam bërë diçka që ka qenë pjesë e natyrës dhe detyrës sime. Besoj që pavarësia e Kosovës është ajo që i takon”, tha Rama, në emisionin Zona B në Klan Kosova.
Thotë se me fjalimin e tij në Beograd nuk ka dashur të tregohet si nacionalistët e llojit të atyre me flamujt dhe forma të tjera.
Rama thotë se në fjalimin e tij ka dashur t’u tregojë serbëve se shqiptarët nuk mund të trajtohen si inferiorë.
“Ajo që unë kam thënë ka qenë një shprehje e një superioriteti dhe vendosjes qartas të pozicioneve me palën tjetër”, tha Rama.
Ai thotë se njerëzit kanë pasur nevojë që ta shohin se si një kryeministër shqiptar e thotë midis Beogradit se ne jemi barabartë me popujt e tjerë, transmeton Telegrafi.
Kryeministri thotë se në Beograd shkoi për të ndërtuar një marrëdhënie bashkëpunimi evropiane, por edhe për t’ia thënë Vuçiçit të vërtetën për Kosovën.
Thotë se e ka pritur reagimin e kryeministrit serb kur t’ia përmendte pavarësinë e Kosovës, por assesi një reagim në një shkallë të tillë.
“Ishte diçka e thënë qartë dhe në fytyrë, pa asnjë tendencë për ta fyer dhe provokuar… Dhe tek kur e pashë reagimin e tij, e kuptova që mirë bëra”, tha Rama, duke treguar se edhe takimi kokë më kokë me Vuçiçin ishte i vështirë.
Konsideron se ishte mirë që nuk u takua me Presidentin serb Tomislav Nikoliq, sepse konsideron se biseda me të do të ishte si të flasësh me një gur.
“Por, edhe atij do t’ia thosha të gjitha në sy, se kush janë shqiptarët”, thotë ai.
Kryeministri Rama, nuk mendon se është rruga e duhur që Serbisë t’i lejohet dyfytyrësia karshi Bashkimit Evropian dhe Rusisë.
“Nuk mendoj se është rruga e duhur që Serbisë t’i lejohet kjo dyfytyrësi, që në një anë të proklamojë dëshirën për integrim në BE dhe në anën tjetër të flirtojë me Rusinë, pikërisht në emër të mbajtjes peng të Kosovës”, ka thënë Rama./Telegrafi/


