Mobi Casa

Rama: Draft-statuti im për Asociacionin në 2-3 elementë më pozitiv se ai i ndërkombëtarëve, në Prishtinë tani e kanë kuptuar

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama thotë se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin ai ua kishte dërguar Francës dhe Gjermanisë është më i mirë sesa ai që ndërkombëtarët ia kanë propozuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Rama mohoi se ka ngërç në marrëdhëniet mes tij dhe Kurtit, ndërsa shtoi se tash në Prishtinë “e kanë parë dhe e kanë kuptuar” që do të kishte qenë më mirë të mos e kishin përjashtuar draft-statutin e Asociacionit të propozuar prej tij. Ai tregoi se draft-statuti i tij, të cilin Gazeta Express e publikoi më 7 nëntor, është në një masë të madhe si ai i ndërkombëtarëve.

“Përkundrazi, tani që është bërë fakt publik propozimi që kam bërë unë për Asociacionin, e kanë parë dhe e kanë kuptuar që do të kishte qenë shumë më e udhës të mos ta kishin përjashtuar kategorikisht, por ta kishin marrë, ta kishin lexuar, se do kishin dalë në një rezultat edhe më të mirë se ky që prapë është rezultat i mirë, propozimi zyrtar, ku një pjesë shumë e madhe është e njëjta gjë si propozimi i bërë nga unë dhe i referohet në propozimin zyrtar. Kështu që, unë… më vjen keq, por përkundrazi”, tha Rama mbrëmë në një intervistë në A2CNN.

Kryeministri shqiptar tha se propozimi i tij ka kontribuar në propozimin e ndërkombëtarëve.

“Nuk e them unë, e thonë ata. Madje në dy-tri elementë do të ishte më pozitive të ishte drafti im”, theksoi ai.

UBT

Rama tha se s’ka pasur probleme personale me Kurtin, por që mosmarrëveshjet mes tyre kanë qenë “vetëm çështje e problematikës”.

“Unë s’kam pasë asnjëherë problem. Unë për veten time, them ato që bëj dhe bëj ato që them. Nuk pretendoj se kam të drejtë me çdo kusht, por nga ana tjetër, nuk ndërroj qëndrim kur kam bindjen që ky është qëndrimi, edhe sikur çka të bëhet. Dhe më vjen mirë që për shkak se nuk e di në çfarë mënyre drafti i Asociacionit i propozuar nga unë, por jo i shkruar nga unë, por nga një grup ekspertësh të nivelit më të lartë ndërkombëtar u bë publik dhe u pa qartësisht që është një draft pozitiv shumë për Kosovën”, tha Rama.

I pyetur se pse s’e kishte diskutuar me Kurtin paraprakisht propozimin e tij, Rama tha se nuk mund ta bënte.

“Nuk mund ta bëja këtë gjë dhe e kam shpjeguar pse. Por, edhe drafti që është propozuar është një draft shumë i mirë dhe unë shpresoj që ata ta mbështesin, ta marrin, ta aprovojnë dhe pastaj ta lënë topin në fushën e Serbisë dhe të mos rrinë ta mbajnë vetë, siç gabimisht bënë për një periudhë të gjatë duke marrë mbi vete shumë presione dhe shumë pakënaqësi”, tha ai.