ARKATANA

Rama deklason rivalët

/ 9 minuta lexim
Fundamenti

Partia Socialiste ka shënuar fitore plebishitare në zgjedhjet e 25 qershorit në Shqipëri. Kjo parti, e cila udhëhiqet nga Edi Rama, ka arritur ta fitojë shumicën e nevojshme parlamentare për ta formuar Qeverinë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Partia Socialiste ka shënuar një fitore historike në Shqipëri, duke fituar rreth 50 për qind të votave, e cila i mundëson kësaj partie që të udhëheqë e vetme me Shqipërinë për katër vjetët e ardhshme.

Edi Rama, kreu i PS-së gjatë fushatës zgjedhore kishte kërkuar nga qytetarët që t’ia japin timonin për t’i drejtuar atje ku ata duan të shkojnë, në Evropë. Kësaj radhe qytetarët shqiptarë iu “bindën” Ramës, duke e votuar në të gjithë Shqipërinë, madje edhe në bastione të cilat llogariteshin të Partisë Demokratike.

Dje deri në orën 19:00 rezultatet nga qendrat e numërimit tregonin për një fitore të Ramës dhe PS-së me 47,8 për qind apo 73 mandate të fituara.

Ndërsa Partia Socialiste sheh rritje të ndjeshme në vota në krahasim me 4 vjet më parë, e kundërta ndodh me PD-në, e cila është rrudhur në shifra në këto zgjedhje.

PD-ja ka fituar jo më shumë se 44 mandate, duke shënuar kështu humbjen më të thellë në histori të kësaj partie. Por rritje në shifra nuk ka vetëm PS-ja. Një rritje të lehtë e ka edhe LSI-ja, që duket se do të ketë më tepër deputetë se në legjislaturën e lënë pas.

Ndërkohë që në Parlament duket se do të jetë edhe PDIU-ja, edhe pse bazuar në numërimin e deritanishëm do të ketë më pak përfaqësues në Parlamentin e ardhshëm.

Rama: 75+, kryevepër e njerëzve të zakonshëm

Kryeministri Edi Rama ka postuar paraditen e së hënës një video në faqen e tij në “Facebook”.

Në këtë video shfaqet harta e Shqipërisë, e ngjyrosur me ngjyrën e partisë së tij, ku shfaqet numri 75+.

“Mirëmëngjesi dhe ju uroj një ditë të bukur me këtë kryevepër ende të pambaruar të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi”, shkruan Rama.

Pas fitores së thellë të Partisë Socialiste në Tiranë, kryebashkiaku Erion Veliaj ka falënderuar të gjithë qytetarët, të cilët sipas tij vlerësuan në këto zgjedhje punën dhe transformimin që ka pësuar kryeqyteti në këto dy vjet.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” Veliaj u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë për të ecur përpara për më shumë punë për “Shqipërinë që duam”.

“Le t’ia japim dorën njëri-tjetrit dhe të ecim përpara. Kjo ishte një fitore masive e punës mbi fjalët, ndaj me përulësi e mirësi të vazhdojmë të punojmë për Shqipërinë që duam. Faleminderit nga zemra!”, ka shkruar Veliaj në profilin e tij.

Basha mesazh numëruesve: Mos lejoni asnjë deformim!

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ua ka dërguar një mesazh komisionarëve demokratë, të cilëve u ka shprehur mirënjohjen për punën e kryer në kushte të vështira.

Në mesazhin e tij Basha u bën thirrje komisionarëve që ta tregojnë të njëjtin vullnet deri në fund të procesit të numërimit.

LEXO EDHE: Numërohen 5.105 kuti në gjithë vendin, kryeson PS me 48.41 për qind të votave

“Të dashur komisionarë, numërues dhe vëzhgues të PD-së, numërimi i votave vazhdon në kushte të vështira për ju, të orëve të gjata, të vapës dhe nën presionin e kundërshtarëve. Secili prej jush ka mirënjohjen më të thellë dhe mbështetjen totale të demokratëve dhe timen për ta garantuar numërimin deri në fund të çdo vote. Mos lejoni asnjë deformim, asnjë tjetërsim të vullnetit. Çdo votë vlen, çdo votë duhet numëruar, çdo votë duhet llogaritur deri në fund. Për demokratët dhe të gjithë qytetarët e ndershëm të këtij vendi, ju jeni shembulli më i lartë i kurajës politike dhe qytetare”, thotë Basha.

Analistët: Basha përgjegjësi historike, të japë dorëheqje

Njëri nga mbështetësit e fortë mediatikë të Lulzim Bashës, Agron Gjekmarkaj, ka kërkuar mbajtjen e një përgjegjësie historike nga kreu i PD-së, duke kërkuar po ashtu edhe dorëheqjen e tij të menjëhershme.

I ftuar në “Top Channel” për ta komentuar rezultatin e zgjedhjeve të 25 Qershorit në Shqipëri, ai tha:

“Matematika është më fortë se emocionet. Basha duhet të japë llogari deri me një. Unë e kam mbështetur Bashën për një kohë të gjatë kundër këtij pushteti arrogant. Por këtu nuk ka më vend për alibi. Basha duhet të japë dorëheqje dhe ta mbajë këtë përgjegjësi historike”. Ai tha se “lista e Bashës nuk ishte aspak përfaqësuese”, duke e kërkuar aty të keqen.

“Bashës disfatën ia dha lista. PD-ja kishte nevojë për një rinovim cilësor. Ata që duhet t’i sillte në skenë duhet të ishin personalitete të konfirmuara. Ata që Basha solli nuk ishin aspak përfaqësues, por ishin njerëz të vegjël”, tha Gjekmarkaj.

ARKATANA

Ambasada Amerikane: Votim efikas dhe paqësor

Shtetet e Bashkuara kanë uruar qytetarët shqiptarë për “ushtrimin e të drejtës së tyre demokratike të votës në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit 2017”.

“Votimi u krye me efikasitet dhe në mënyrë paqësore në pjesën më të madhe të qendrave të votimit. Ne përgëzojmë punonjësit dhe vëzhguesit e përkushtuar të zgjedhjeve të ditës së votimit, të cilët punuan gjatë një dite feste kombëtare dhe të nxehti ekstrem, për t’i përmbushur detyrat e tyre”, lexohet në deklaratën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Vëzhguesit ndërkombëtarë dëshmuan incidente të blerjes së votës, fotografimit të fletës së votimit dhe presoni ndaj votuesve. Zyrtarët e zgjedhjeve dhe forcat e rendit iu përgjigjën pjesës më të madhe të këtyre ankesave, disa prej të cilave përfunduan në arrestime. Edhe pse disa nga shkeljet zgjedhore të dëshmuara ishin serioze dhe duhen adresuar, ato nuk ishin aq të përhapura sa ta ndryshonin rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve”, shtohet në deklaratë, shkruan tutuje “Zëri”.

OSBE/ODIHR prezantoi raportin paraprak për zgjedhjet në vendin tonë.

Sipas OSBE-së “akuzat për shitblerje vote ulën besimin publik në proces”.

“Në shumë qendra nuk u zbatuan procedurat, pati vonesa dhe parregullsi. Numërimi u vonua në shumë vende”, shtoi përfaqësuesi italian i OSBE/ODIHR-së, i cili shtoi se “Shqipëria mund të bëjë më mirë”.

Ndërsa eurodeputeti Eduard Kukan deklaroi: “Jemi të ndërgjegjshëm për rëndësinë e kësaj gare, që përbën një hap të rëndësishëm për Shqipërinë. Jemi të inkurajuar nga ndërmjetësimet politike që çuan në pjesëmarrjen e Partisë Demokratike në zgjedhje. Dëshirojmë që rezultati të njihet nga të gjithë, kjo është kyçe për procesin demokratik”.

Më tej Kukan shtoi: “Ne e mbështesim Shqipërinë për integrim në Evropë me kusht që të plotësohen kërkesat. Qeveria e re duhet të vijojë me reformat”.

“Euronews”: Pesë sfidat e Edi Ramës

Zgjedhjet në Shqipëri kanë tërhequr vëmendjen tek mediet ndërkombëtare dhe fillimisht marrë shkas nga exit poll-et dhe më pas rezultatet e para të dala nga kutitë e votimit, flasin për sfidat e vendit tonë.

“Euronews”-i i kushton një artikull të zgjeruar dhe pasi thotë se me shumë mundësi Edi Rama do të jetë në krye të qeverisë shqiptare edhe për 4 vjet, shkruan për sfidat me të cilat duhet të përballet.

Sipas “Euronews”-it, ato janë pesë:

1. Pronat

Ka shumë dosje të hapura dhe të pazgjidhura. Vetë Rama e ka pranuar që çështja e pronave është një “lëmsh” që po del nga kontrolli. Për zgjidhjen e kësaj çështjeje qeveria socialiste ka vendosur një fond prej 500 milionë eurosh, shumë që përdoret për kompensimin e pronarëve.

2. Drejtësia

Pastrimi i sistemit të drejtësisë, gjyqësorit dhe organit të akuzës nga elementët e korruptuar është një tjetër çështje që socialistët janë zotuar se do të përballen. Parlamenti miratoi Ligjin e Vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët. Më shumë se 300 persona akuzohen si të korruptuar në këtë sistem.

3. Droga

Përpjekjet në luftën kundër drogës kanë qenë të vazhdueshme, por të pamjaftueshme për të ndalur sidomos kultivimin e kanabisit, i lidhur drejtpërdrejt me krimin e organizuar. Sipas EUROPOL-it, Shqipëria është furnizuesi kryesor me hashash në vendet e Bashkimit Evropian.

4. Eksodi i trurit

Sipas INSTAT-it, rroga mesatare mujore në Shqipëri është nën 460 mijë lekë. Nëse krahasohet me pagat në Itali dhe në Greqi është shumë herë më e ulët dhe mjafton për ta kuptuar se përse të rinjtë braktisin vendin.

5. Papunësia

Rreth një e katërta e të rinjve janë pa punë. Në Gjermani vetëm 7 për qind e të rinjve të moshës nga 15 deri në 29 vjeç figurojnë të papunë, ndërkohë që mesatarja në Bllokun e BE-së është 17,2 për qind. /ZËRI/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.