Eko Higjiena

Rama “çmend” Vuçiqin

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Enis Veliu – Pas 68 vjetësh, një udhëheqës shqiptar shkel Serbinë për t’i treguar “shkurt e shqip” se ku e ka vendin. Kryeministri shqiptar, Edi Rama, në qendër të Beogradit, përballë homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq, i tha se Kosova është e pavarur dhe se ky është fakt i pamohueshëm. Për një moment me doli përpara figura e kryeministrit Hashim Thaçi, tek bënte turr në takimin në Bruksel t’ia zgjaste me servilizëm dorën Vuçiqit. Ajo që më së paku e kishte pritur Vuçiq ndodhi dje, Rama i “përplasi” qëndrimin shqiptar para fytyrës.

I qetë dhe me fjalim të artikuluar, secilin qëndrim të mbështetur me argumente të forta, Rama bëri që Vuçiq të mos i kontrollojë sjelljet e tij, derisa u largua nga konferenca pa ia zgjatur dorën.

Në mënyrë dinjitoze kryeministri shqiptar u tregua përfundimisht se është një gardian i vërtet i shqiptarëve në Ballkan, epitet ky të cilin para pak kohësh ia kishte dhënë vetes kryeministri në lagim, Hashim Thaçi. Por, së paku deri më tash ai nuk ka bërë mundin më të vogël për të mbrojtur shqiptarët që në vazhdimësi diskriminohen në Republikën e Serbisë dhe atë të Maqedonisë.

Fjalimi dhe qëndrimi i Ramës do të duhej të ishte mësim për kryeministrin në largim Hashim Thaçin, i cili para mediave mezi arrin ta lexojë një fjalim që ai përgatisin bashkëpunëtorët e tij. Ndërkaq, nëse dikush do ta pyesë për atë që e ka lexuar, vështirë se do të marrë përgjigje ndonjëherë.
Rama tregoi shumë qartë qëndrimin e shtetit që ai udhëheq karshi Kosovës, e nuk shkoi në Beograd me joshje e puthje duarsh siç jemi mësuar t’i shohim politikanët tanë dhe ata të Serbisë gjatë negociatave në Bruksel.

UBT

Rama i cili të hënën shkoi në Beograd me përkrahjen e fuqishme të kancelares gjermane, Angela Merkel, ka qenë më i fortë se kurrë, duke “nokautuar” disa herë Vuçiqin.

Atëherë kur më së shumti u tensionua nxënësi i ish-radikalit serb, Sheshel, ishte deklarata e Ramës se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Ish-shefi i kryeministrit aktual ishte arrestuar për krime të luftës në Kosovë nga Tribunali i Hagës, por të mërkurën (nesër), pritet të kthehet përkohësisht në Beograd për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, pasi që 12 vjet gjendet në paraburgim si i dyshuar për krime lufte ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Lirimi i radikalit Sheshel, si duket ka rikthyer ndjenjat e dikurshme edhe të kryeministrit aktual serb, i cili edhe më tutje vazhdon të përçojë urrejtje për shqiptarët që jetojnë brenda dhe jashtë kufijve të shtetit serb. Ditë më parë, i entuziazmuar i uroi mirëseardhje në Serbi Sheshelit.

Po ky mentalitet i njohur për ne për shumë dekada, u rishfaq sërish në Beograd, kur Rama me bindje të fortë para mediave të shumta, të cilat gjendeshin në godinën qendrore të Qeverisë së Serbisë, foli pa asnjë kompleks për realitetin shqiptar. Mjaftuan dy-tre deklarata të Ramës që të rikonfirmonin qëndrimin e papërmirësueshëm të Serbisë karshi Kosovës. Ky ishte sinjal i qartë për Evropën, se cila është fytyra reale e Beogradit.

Takimi Rama –Vuçiq zbuloi një realitet të qartë në mentalitetin e politikës së sotme të Beogradit, të paevoluar nga paraardhësit e tyre radikalë. Kurse Rama i dha mësim Thaçit se cili është definicioni i burrështetasit!