Rama: Bota shqiptare është një, e pandashme

Ka përfunduar në qytetin e Korçës mbledhja e përbashkët midisi Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës. Pas përfundimit të kësaj mbledhje u nënshkruan dymbëdhjetë marrëveshje midis shtetit shqiptar dhe shtetit të Kosovës,raporton Zëri.info.
Në konferencën për media pas përfundimit të këtij takimi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka thënë se është i nderuar që pret në Korçë Qeverinë Haradinaj.
“Më vjen mirë që mbledhja që sapo mbyllem flet për një bilancë arritjesh të rendësishme bazuar mbi sa kemi bërë deri më sot. Ne kemi marrë këto angazhime mbi bindjes se ka ende shumë për të bërë”, tha ndër të tjera Rama.
Sipas tij tërë hapat e ndërmarrë janë hapa të caktuar në një rrugëtim të përbashkët strategjik.
Ai nënvizoi se dy qeveritë janë të vendosura t’i fuqizojnë marrëdhëniet bilaterale si dy shtete shqiptare.
Sipas tij, këtë herë vëmendje të madhe i është dhënë Diasporës shqiptare që duhet të konsiderohet një.
“Bota shqiptare është një, e pandashme”, tha ai. Në anën tjetër kryeministri Haradinaj u shpreh i gëzuar për nënshkrimin e 12 marrëveshjeve. “Po punojmë intenzivisht në unifikimin doganor. Kosovën e presin shumë sfida por në rrugëtimin tonë e shohim të ndërlidhur ngushtë me Shqipërinë”, tha ndër të tjera Haradinaj.
Ky takim i përbashkët i dy qeverive shqiptare u mbajt me sloganin “Një tokë, një popull, një ëndërr”.
Rikujtojmë se mbledhjet e tilla që bëjnë bashkë dy qeveritë shqiptare kanë filluar të praktikohen para disa vitesh. Takimi i parë i qeverive të Kosovës e Shqipërisë u mbajt në Prizren në janar të vitit 2014. Në mars të 2015-ës u mbajt takimi i dytë në Tiranë. I treti në qershor të 2016-tës në Prishtinë kurse ky në Korçë është i katërti me radhë. /Zëri/