Rama: Bashkimi ka ndodhur

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e vlerëson takimin e dy ditëve më parë në Prizren gurthemel i cili shumë shpejt me angazhimin e dy qeverive do ta bëjë Shqipërinë dhe Kosovën hapësirë të integruar shqiptare në ekonomi, jetë sociale, kulturore etj. Kështu ka deklaruara në intervistën dhënë për emisionin “Zona B” të “Klan Kosovës”, kryeministri Rama, menjëherë pas përfundimit të takimit të dy qeverive.
“Bashkimi ka ndodhur dhe na takon neve ta materializojmë me strategji të përbashkët kombëtare. Ky është një moment ku hapet një faqe e re në marrëdhëniet Kosovë – Shqipëri”, ka thënë Rama.
Ai konsideron se vite më parë ky takim do të ishte i pamundur. “Ka pasur shumë rrugë për të bërë, shumë dhimbje, dhe shumë zhgënjime, dhe sot është dita për të thënë se jemi përpara një rruge të re”, ka shtuar Rama.
Ai vlerëson se do të ketë njerëz që do t’i akuzojnë pse nuk po e heqin kufirin, ta bëjnë Shqipërinë edhe Kosovën një republikë. “Por të dyja këto qasje janë larg qasjes sonë, qasja jonë është realiste dhe strategjike me një frymëmarrje afatgjate dhe jo me një frymëmarrje të shkurtër për konsumin e frikës apo të pasionit nacionalist të momentit”, ka thënë Rama.
I pyetur pse ky takim nuk u realizua në nëntor të vitit të kaluar, ashtu siç ishte planifikuar, ai tha se takimi është shtyrë për shkak të zgjedhjeve në Kosovë, në mënyrë që të mos kishte ndikim të mundshëm elektoral. Për këtë takim, Rama tha se ka hapur një rrugë që nuk është as e Hashim Thaçit e as e Edi Ramës. “Por është rrugë e të gjithëve e cila do të vazhdojë”. Në pyetjen se marrëveshjet e arritura në këtë takim në Prizren a do të mbesin vetëm në letër, Rama tha se “kanë të drejtë skeptikët të mendojnë ashtu për arsyen e thjeshtë, sepse nuk nisen nga hiçi, por nga një traditë e cila rrezikonte të kthente në rutina takimet tona ku flitet për atdhe, Skënderbe dhe asgjë tjetër”. “Por sot kemi bërë një mbledhje pune që ka zgjatur thuajse 3 orë ku ka pasur një sërë pikash në agjendë me 12 çështje, dhe kemi pasur ministrat e ngarkuar për të folur, dhe mbledhja e ardhshme në Vlorë ku do të jetë vazhdim i kësaj pune të dy qeverive si një qeveri”. Rama tha se ky është synim për një hapësirë strategjike që e konsiderojnë të përbashkët ku ka dy shtete dhe një komb. “Kemi marrë një vendim për linjën 110 kilovolt për zhbllokimin e punës për interkonjeksionin, që ishte katastrofë e dëmshme, s’dua ta them antikombëtare, sepse s’dua të besoj që ishte e tillë”, ka shtuar Rama.
Sa i përket problemit të sigurisë energjetike, sipas tij, vetë tregu është kompleks. Ai foli për potencialin hidrik, projektin e gazifikimit që të përfshihet edhe Kosova. “Një autoritet i përbashkët do të na ndihmonte shumë, ju keni thëngjillin ne kemi ujin, lidhja e përbashkët na jep shumë avantazhe dhe është një sfidë që jam i bindur që do ta fitojmë”, ka thënë Rama.
Ai është i bindur se janë hapur disa perspektiva të tjera dhe shumë të tjera që mund të hapen. “Ka ndryshuar qasja dhe sot ka pasur afrim këtij ndryshimi rrënjësor. Do të shkojmë përtej lehtësimeve tregtare dhe do të shkojmë drejt bashkimit doganor hap pas hapit”, ka shtuar Rama. Ai përmendi edhe ofertën e njësuar turistike, me mundësitë detare që ka Shqipëria dhe hapësirat malore që ka Kosova, sipas Ramës, ka potencial shumë.
Në pyetjen pse nuk kemi një zonë të lirë doganore, Rama tha se janë të gjitha çështjet në diskutim, puna është konkrete, ka objektiva, faza etj. “Në mbledhjen e Vlorës do të bëjmë bilancin e punës që është bërë dhe asaj që do të mbetet të bëhet nga të dyja qeveritë”, ka shtuar tutje Rama.
Sa i përket vizitës së tij të mundshme në Beograd, Rama tha: “Do të shkoj në Beograd me dorën e shtrirë të bashkëpunimit mbi rrugën e shtruar të paqes. Dhe ne duhet vetëm që mbi këtë rrugë të ndërtojmë bashkëpunim të krijojmë marrëdhënie për mirëqenien e dyanshme të popujve tanë, të prodhojmë më shumë Evropë brenda nesh dhe mes nesh, të mos u përcjellim gjeneratave tjera atë që boll u përcoll gjeneratë pas gjenerate në formën e një ndasie që prodhoi shumë padrejtësi dhe prodhoi shumë gjak, fatkeqësisht për shqiptarët”.
Dhe, sipas tij, arsye për të qenë krenarë me Kosovën është kjo, që pavarësisht asaj që kaloi kur u trajtua si pakicë për t’u shtypur dhe spastruar në momentin që Kosova e fitoi pavarësinë u vu në dispozicion të forcës që mbron dhe promovon paqen.