RCCOLA

RajoniPress model i gazetarisë profesionale, shtatë vite në shërbim të lexuesve

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Në shtatë vjetorin e themelimit të Rajonipress, me të drejtë mund të mburremi me punën profesionale, punën e dobishme për Gjilanin, zhvillimet e gjithëmbarshme e mbi të gjitha Rajonipress mbeti model dhe shkollë e gazetarisë profesionale. Rajonipress sipas themeluesit të saj Musa Sabedini ka goditur në të gjitha fazat krimin e organizuar, korrupsionin, mafian e nëntokës, ka goditur ata që kanë dëmtuar buxhetin e taksapaguesve dhe mbi të gjitha rajonipress u dha zë atyre që nuk e kishin këtë mundësi, pra qytetarëve e lexuesve të shumtë të saj.

Më 5 maj 2012 e nisëm punën në portalin Rajonipress. Një fushë e re, me një teknologji më ndryshe dhe me një angazhim tejet më sfidues. Por dëshira e vullneti i madh e para së gjithash përvoja e mirë dhe e madhe në gazetari, bëri që Rajonipress të identifikohet shpejt për lexuesit kudo që ndodheshin ata. Kështu shprehet Musa Sabedini themelues i Agjencisë Rajonale të Lajmeve Rajonipress.
“Duke punuar me zell e përkushtim dhe duke qenë gjithmonë në shërbim të lexuesit të vëmendshëm Rajonipress shumë shpejt u cilësua si një medium serioz, i përkushtuar dhe shumë profesional, që arriti të informojë në çdo kohë për të gjitha zhvillimet në Anamoravë e më gjerë”.

Sabedini tha se sot për ne është një ditë e veçantë sepse po shënojmë ditëlindjen e gjashtë të Rajonipress i cili më 5 maj 2012 startojë punën duke arritur shumë shpejt të bëhet një lajmëtar origjinal, i shpejt, korrekt dhe mbi të gjitha të bëhet një ambasador i lajmit të vërtet dhe kredibil.

Agjencia e Lajmeve Rajonale Rajonipress ka mbushur shtatë vite të themelimit të punës dhe suksesit të saj që ka treguar gjatë kësaj kohe. Dhe ky sukses dhe ky përvjetor i dedikohet në radhë të parë lexuesve të shumtë, bashkëpunëtorëve, gazetarëve tanë etj.
“Shtatë vite kaluan shpejt dhe bashkë me këtë edhe rajonipress kaloj nëpër sfida e etapa të rëndësishme. Si agjenci e lajmeve, ne jemi përpjekur që të jemi në shërbim të lexuesit tonë, jemi përpjekur që të bëjmë punën tonë në mënyrë shumë profesionale e të përgjegjshme. Rajonipress nuk është rastësisht, gati portali më i cituar në nivel vendi. Këtë e kemi arritur me punë, përkushtim dhe mbi të gjitha e kemi arritur duke ofruar lajme, ngjarje, zhvillime e tema që dallojnë dhe janë larg prej të tjerëve” ka thënë Sabedini.

Sabedini ka shtuar se me përgjegjësi profesionale mund të them se rajonipress është krijuar ekskluzivisht për ta informuar shpejt, drejtë, saktë dhe objektivisht rajonin e Anamoravës.

Fundamenti

Rajonipress gjithashtu ka sjellur lajme të shpejta edhe nga Kosova Lindore duke përfshirë këtu Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën.
“Jemi i vetmi portal në Kosovë që rubrikë të veçantë e kemi diasporën dhe kjo na ka mundësuar që shumë mërgimtarë të komunikojnë më lehtë dhe më shpejt me vendlindjet e tyre. Agjencia Rajonale e Lajmeve Rajonipress kriter të parë ka pasur informimin e qytetarëve të Gjilani, Kamenicës, Vitisë dhe Artanës, duke filluar nga jeta e rëndomtë, shtresat sociale, zhvillimet politike, opinionet e njerëzve me ndikim dhe dobiprurës për rajonin, intervista nga më të ndryshmet të njerëzve që kanë krijuar elemente pozitive për rajonin e Anamoravës” ka thënë pos tjerash Sabedini.

Sipas Sabedinit, Rajonipress ka sjellur dhe ofruar informacione për jetën e qytetarit të rëndomtë. Rajonipress ka goditur dhe do të godas të gjitha ngjyrat e krimit politik dhe ekonomik dhe ka qenë vrojtues i shkeljeve që bëhen nga institucionet publike, duke filluar nga pushteti lokal, gjykatat, policia, prokuroritë dhe kategoritë e tjera institucionale.

Lufta kundër korrupsionit, trafikimit të qenieve njerëzore, prostitucionit, krimit të organizuar, ngacmimeve seksuale në vendet e punës, heshtja e dukurive negative, kanë qenë prioritet i veçantë i Rajonipress.

Rajonipress ka qenë syri dhe veshi i çdo gjëje që ka ndodhur në Anamoravë duke sjellur freskinë e lajmit të shpejt. Jo rastësisht na kanë quajtur si ambasador i lajmit për Anamoravë. “Dhe mbi të gjitha më lejoni t`i falënderoj për bashkëpunim të gjithë lexuesit tanë kudo që ndodhen në diasporë, në trevat shqiptare. Falënderim të përzemërt të gjithë atyre bashkëpunëtorëve e gazetarëve nga tereni që na shkruajnë e na sugjerojnë për tema të ndryshme” ka thënë Sabedini.

Sabedini ka thënë se gjatë këtyre viteve ka pasur mjaft kërcënime nga grupet mafioze dhe klanet e nëntokës, por nuk jemi dorëzuar dhe as që jemi frikësuar ndonjëherë. “Kërcënimet e natyrave të ndryshme vetëm sa na kanë bërë më të fortë dhe më aktiv” ka thënë Sabedini./rajonipress/