RCCOLA

Rajoni i Anamoravës po fuqizohet ekonomikisht

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Në prezantimin e fizibilitetit të zonës ekonomike të realizuar nga partnerët strategjik të Komunë së Gjilanit dhe Artanës, “CzechInvent” dhe Universiteti për Biznes dhe Teknologji (UBT) u tha se rajoni i Anamoravës me krijimin dhe funksionalizimin e zonës ekonomike do të fuqizohet edhe më shumë ekonomikisht.

Projekti i studimit të fizibilitetit për zonën ekonomike që parashihet të ndërtohet në Artanë në një hapësirë prej 72 hektarësh ka përfunduar dhe ai është prezantuar në Gjilan të premten nga Kompania e specializuar çeke “CzechInvent”, raporton rajonipress.

Në këtë prezantim kanë marrë pjesë kryetarë të komunave , përfaqësues të MTI, ambasadës çeke, UBT , AZHRL dhe partnerë tjerë strategjik që kanë dhënë kontribut për të arritur deri tek studimi final.

Riad Rashiti drejtor për zhvillim ekonomik në cilësinë e organizatorit tha se me këtë studim Gjilani dhe Artana, por në përgjithësi Anamorava synojnë që të zhvillohet edhe më shumë ekonomikisht pasiqë paraprakisht krijohen kushte për vende të reja të punës dhe zhvillimin e bizneseve të ndryshme.

Përfaqësuesja e ambasadës çeke Andrea Ropkova tha ase Kosova vazhdon të mbetet vend strategjik për ne dhe ne jemi të interesuar që ta mbështetim këtë proces ekonomik.”Zona ekonomike po përkrahet me të vetmin qëllim që nga aty të krijohen investime për vende të reja të punës dhe të ardhura për familjet tuaja” tha ajo.

UBT

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi tha se në Kosovë krijimi i zonave ekonomike po diskutohet çdo ditë e më shumë.”Ky është një studim profesional, por cikli i zonës është një punë që donë së paku të kalojnë 10 vite dhe duhet durim deri tek suksesi final. Element i rëndësishëm këtu është krijimi i hapësirave biznesore dhe unë mendoj se tani janë krijuar parakushte ekonomike për tu zhvilluar ky proces në Anamoravë” tha Hajrizi.

Ndërsa Qemajl Mustafa tha se UBT është faktori lidhës dhe i qëndrueshëm i cili e ka mundësuar edhe studimin dhe idenë e krijimit të zonës ekonomike.”Zona ekonomike rajonale do të shërbejë për të gjithë, madje edhe për bizneset e huaja. Ideja është që toka të jepet gratis për këtë zonë, por kuptohet që na duhet edhe ndihma e Qeverisë. Aktualisht kemi njerëz dhe kapacitete profesionale dhe ky është një rast i mirë që të përfitojmë meqë dihet se papunësia është problemi më akut për Kosovën” tha Mustafa.

Sami Vllasaliu nga Artana tha se kjo komunë e ka hapur rrugën për krijimin e zonës ekonomike.”Për rajonin lindje dhe 11 komunat e saj kjo zonë ka rëndësinë të veçantë sepse përfshinë edhe Kosovën Lindore” tha Vllasaliu.

Nol Buzhala nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë tha se kjo ministri e ka ndihmuar dhe përkrahur Gjilanin dhe Artanën në këtë proces.”Këto dy komuna është mirë që të bëjnë lehtësira për bizneset, të lirojnë nga taksat ato, derisa vet bizneset duhet të kenë durim derisa të krijohet dhe finalizohet infrastruktura e nevojshme”.

Përfaqësuesit e “CzechInvent” kanë demonstruar tërë procedurat e hulumtimit dhe të studimit të fizibilitetit për zonën ekonomike për të cilën u tha se është dashur gjysmë viti kohë. /rajonipress/