Fundamenti

Rajoni i Anamoravës i anashkaluar nga investimet kapitale të Qeverisë së Kosovës

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur një tryezë të rrumbullakët me temën “Hartimi i Buxhetit për Komunat (Zbatimi i Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal)”, ku pjesëmarrës ishin Kryetarët e Komunave të Gjilanit dhe Kamenicës, përfaqësues të ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, asambleistë të komunave të rajonit të Karadakut, pjesëtar të shoqërisë civile si dhe përfaqësuesit e medieve.

Qemajl Mustafa, kryetarë i Komunës së Gjilanit tha se të hyrat vetanake nuk janë të mjaftueshme për komunat. Sipas tij qeverisja lokale do të kishte kuptim sikur mënyra e hartimit dhe shpenzimit të buxhetit të bëhet në interes të qytetarëve. Ai ngriti shqetësim për shkak të mos ekzistimit të kritereve apo formulave për investimet kapitale, ngjashëm me kriteret të cilat janë përcaktuar për grantet e përgjithshme.

Mustafa tha se është më se i nevojshëm decentralizimi financiar nga qendra për komunat e Kosovës. “Me qëllim të rritjes së zhvillimit më të shpejtë ekonomik duhet t’u lejohet komunave për huamarrje dhe kredimarrje”, tha ai.

Mustafa, gjithashtu kërkoi që në dispozitat ligjore të ligjeve të aplikueshme në Kosovë, duhet decidivisht të përcaktohen masat ndëshkuese për ata që nuk e zbatojnë buxhetin dhe të parashihen stimulime për ata që e zbatojnë si duhet buxhetin.

Kreu i Gjilanit tha se ka pak investime nga Qeveria në Gjilan, por kjo nuk ndodhë me donatorët e huaj të cilët kanë preferenca shumë pozitive për Gjilanin. “Jemi të parët në shumë fusha dhe kjo ka ndikuar që donatorët e huaj të investojnë në Gjilan dhe kjo donë të thotë që ata na besojnë” tha Mustafa.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli, shprehu pakënaqësinë e tij për formën e ndarjes së buxhetit për investime kapitale, ku mori disa shembuj, ku disa rrugë të cilat kanë filluar së ndërtuari gjatë këtij viti, nuk janë ndarë mjete që ato të përfundojnë vitin e ardhshëm.

“Krejt çka investohet në Kamenicë nga niveli qendror, varet prej vullnetit personal të ndonjë ministri. Ne nuk jemi të kënaqur me mënyrën se si trajtohemi nga Qeveria. Nuk na pëlqejnë as kriteret e ndarjes së buxhetit. Goditjen më të madhe e marrim në sferën e arsimit”, ka thënë Surdulli.

Surdulli ka prezantuar dy shembuj, ku sipas tij, Kamenica është diskriminuar nga niveli qendror. “Është rasti i palestrës sportive, e cila ka filluar të ndërtohet që në vitin 2004, dhe as pas tetë vitesh nuk janë ndarë të gjitha mjetet për përfundimin e saj. Rasti tjetër, është kërkesa për ndërtimin e një shkolle të mesme në Roganë, kërkesë kjo, e cila përsëritet çdo vit dhe as PDK-ja tash, e as LDK-ja më parë nuk e kanë parë të arsyeshme ta mbështesin këtë projekt”, është shprehur Surdulli.

Eco Higjiena

Fetije Begolli- përfaqësuese e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, tha se ligji aktual ka përcaktuar që 10 % e buxhetit në total, duhet tu ndahet komunave të Republikës së Kosovës. “Problem për buxhetet komunale, janë edhe ligjet tjera të cilat kanë përcaktuar tarifa fikse për çështje të caktuara dhe me këtë u shkaktojnë probleme komunave në planifikimin e të hyrave vetanake. Ligji për financat e pushtetit lokal ka nevojë të ndryshohet në mënyrë që të jetë me efikas dhe më praktikë për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës” ka thënë ajo.

Zijadin Maliqi – asambleist në Komunën e Gjilanit tha se si parregullsi në Komunën e Gjilanit janë rastet ku komuna ka hyrë në borxhe pa zotimin e mjeteve. “Komuna e Gjilanit për një kohë të gjatë është lënë pas dore në fushën e investimeve kapitale përmes ministrive të ndryshme” shtoi më tej Maliqi.

Shaban Terziu nga shoqëria civile tha se kemi selektim në investime kapitale sipas preferencave individuale dhe grupore të ministrave të kabinetit qeveritar.

Avni Rudaku – VV tha se Rajoni i Anamoravës diskriminohet nga investimet kapitale. “Në komunën e Gjilanit janë evidente edhe rastet e ndërrimit të linjave buxhetore nga investimet kapitale në mallra dhe shërbime dhe kjo dëshmon së ky buxhet nuk është i zhvillimit, por i konsumit” tha ai.

Arben Maliqi – asambleist në komunën e Gjilanit tha se procesi i decentralizimit e ka dëmtuar shumë komunën e Gjilanit, sidomos në kriteret e ndarjes së granteve të përgjithshme. “Komunat duhet të kenë më shumë pavarësi në çështjen e hartimit dhe shpenzimit të buxhetit” tha Maliqi.

Gani Mustafa – Drejtor i Financave në Komunën e Novobërdës tha se ligji i tatimit në pronë duhet ndryshuar,

Jeton Vishaj – Drejtor i Financave në Komunën e Kamenicës tha se duhet të përcaktohet formula e shpërndarjes së investimeve kapitale. /rajonipress/