KKGJILAN

Ragmi Mustafa i PVD-së: Këshilli Kombëtar Shqiptar, përfaqëson interesat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës

/ 6 minuta lexim

Mbrëmja e orëve të vona të natës së premte të 19 tetorit, kurorëzoi pesë lista të subjekteve politike dhe një nga radhët e shoqërisë civile nga Lugina e Preshevës, për të garuar në zgjedhjet e këshillave nacionale të pakicave kombëtare në Serbi. Në mesin e këtyre listave veçohet ajo e Partisë për Veprim Demokratik, të prirë nga Shaip Kamberi, i cili nuk e pati zor, që në krye të Listës së kësaj partie për zgjedhjet e Këshillit Kombëtar Shqiptar, të nxjerr një emër shumë të përfolur, një figurë karizmatike dhe një personalitet të dashur për të gjitha shtresat e shoqërisë sonë, e ky është, kush tjetër pos Ragmi Mustafës.

Nuk e kanë vështirë njerëzit të mos e njohin Ragmi Mustafën, njeriun, i cili që na orët e para të demokracisë pluraliste, u vu në ballë të avangardës rinore, duke u bërë një zë i fuqishëm i protestave popullore për të drejtat legjitime të shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe duke ecur rrugës së drejtë të partisë së tij PVD, për të realizuar ëndrrat shekullore të shqiptarëve të kësaj Lugine.

Numri i ri i gazetës Nacional, së shpejti, sjell për lexuesit e saj edhe një bisedë me Ragmi Mustafën, kandidatin potencial të Listës së PVD-së për kreun e KKSH-së.
Në një bisedë të hapur, të sinqertë dhe shumë miqësore, gazetari i Nacional-it, arriti t’i nxjerr nga bashkëbiseduesi i tij, disa gjëra shumë interesante, ndoshta edhe të panjohura deri tani, për rolin dhe rëndësinë e këtyre zgjedhjeve të reja nacionale, që po mbahen, pikërisht në kohën e Vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut dhe në kohën kur proceset dialoguese Kosovë-Serbi, mund ta çojnë Luginën e Preshevës, në dyert e mëdha të bisedimeve të Brukselit.

Në kohën e vlimeve të mëdha politike, kur mbi shpinën e njeriut të vogël të provincës, rëndojnë probleme të papërballueshme, duke u munduar që shpirtin e tij të pastër ta zhveshin nga vlerat njerëzore, kombëtare e indentitare, shpërthen zëri i njërit nga kandidatët te mundshëm për kryetar të KKSH, Ragmi Mustafa, i cili nuk ka humbur durimin dhe shpresat, se nga ky organ i lart politik dhe juridik të realizoj aspiratat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Duke folur për institucionin, në të cilin synon të ngjitet drejt majave të tij, Ragmi Mustafa, thotë se “Këshillin Kombëtar Shqiptar si institucion kredibil e legjitim ta kthejmë në një institucion të aftë që të bëhet udhërrëfyesi, jo vetëm moral e politik por edhe profesional, për ta zhvilluar Luginën e Preshevës në përshtatje me ambicien legjitime të shqiptarëve”.

Fundamenti

-Për mua ashtu siç besoj për gjithë anëtarët, simpatizantët e PVD-së e fundja gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës janë frymëzim liria, barazia, drejtësia, historinë, identiteti, flamuri, gjuha e mbi të gjitha forca që ka mbajtur shqiptarët të gjallë veprimi. Ne duhet të kërkojmë frymëzimin, në lirinë individuale e kolektive të çdo shqiptari në Luginën e Preshevës. Në të drejtat tona kombëtare. Në gjendjen e shkollave shqipe, në nxënësit e mungesën e teksteve dhe librave shkollorë, në cilësinë dhe përgatitjen e mësimdhënësve, në mos njohjen e diplomave, në nivelin e përdorimit të gjuhës shqipe nga institucionet, në të gjithë ata që hasin në pengesa të përdorimit të shqipes. Në ruajtjen dhe kultivimin e kulturës sonë kombëtare. E mbi të gjitha në ruajtjen dhe avancimit e asaj se çfarë jemi. Në të vërtetën. Për t’i dhënë shtysën e madhe që i duhet mbrojtjes së vlerave e traditës sonë e njëkohësisht në realizimin e vizionit tonë për të ardhmen. Kjo mundë të bëhet përmes një angazhimi të sinqertë e serioz në konsumimin e të drejtave dhe kompetencave që dalin nga ligji. Këshilli Kombëtar Shqiptar është i vetmi institucion i pastër shqiptar që është i thirrur edhe për të mbrojtur dhe përfaqësuar interesat e shqiptarëve.

Në këtë drejtim duhet ta duam e ta ndihmojmë, ta profesionalizojmë e ta ngritim në nivelin çfarë edhe do të donim ta kishim, thotë për gazetën Nacional, i pari i Listës së PVD-së për zgjedhjet e KKSH-, që do të mbahen, më 4 nëntor 2018.
Zoti Ragmiu, i pajisur me një kulturë të gjerë dhe me një përvojë të gjatë të veprimit politik, nuk përjashton mundësinë e bashkëpunimit më të gjithë ata që ia duan të mirën këtij institucioni, duke llogaritur në partneritet me të tjerët, me “të gjithë bashkërisht duhet t`i bashkojmë forcat dhe ta kthejmë Këshillin Kombëtar Shqiptar në një fuqi që dikton emancipimin e shoqërisë sonë dhe njëkohësisht përkujdeset në mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave, kulturës dhe traditës sonë”.

Duke e pyetur se si ndjehet pas zgjedhjes së tij për bartës të listës së PVD-së, për të parin e KKSH, ai, me modesti thotë “ Ndihem më se i nderuar të i prijë një liste shumë të begatë, jo vetëm nga mosha e re që e karakterizon, por edhe nga përgatitja profesionale dhe entuziazmin e vendosmërinë e dëshmuar për të vepruar. Partia për Veprim Demokratik është subjekti më i madh politik në Luginën e Preshevës i shtrirë në tri komunat me strukturat e saj që ngërthen njerëz shumë të aftë e të përgatitur. Përzgjedhja e listës ka qenë një proces i kujdesshëm po njëkohësisht, jo i lehtë. Ashtu si gjithë të tjerët me seriozitetin dhe përgjegjësinë më të madhe edhe unë e kam pranuar besimin e dhënë dhe në raport me të do vë në dispozicion tërë kapacitetin tim të qenies sime për të shërbyer me dinjitet e integritet”.

Krejt në fund të bisedës del mesazhi i tij, porosidhënës “Votoni numrin 3, Partinë për Veprim Demokratik – Shaip Kamberin. Për të pasur një përfaqësim më profesional e të sinqertë, më dinjitet e integritet e mbi gjitha njerëz që ia kanë kushtuar tërë veprimtarinë e tyre përpjekjeve të shqiptarëve për të realizuar kërkesat tyre legjitime si e vetmja rrugë për t`u përballur me diskriminimin që ushtrohet ndaj shqiptarëve të Luginës. (Bisedën më të zgjeruar mund ta lexoni në numrin e ri të Nacionalit, të cilën e ka përgatitur gazetari Metali Krasniqi)