Fundamenti

Rafuna: Kosova po vuan për një strategji, 80% e remitancave të diasporës në patundshmëri

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka thënë se Kosova ende po vuan për një strategji të mirë të orientimit të remitancave të diasporës.Ai, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se 80 për qind e investimeve të diasporës në Kosovë shpenzohen për patundshmëri.

Një strategji e tillë, do t’i riorientonte remitancat e tyre në projekte që stimulojnë zhvillimin ekonomik me kthim të mirë investimi për diasporën.“Ende jemi duke vuajt për një plan ose një strategji të mirë të orientimit të remitancave të diasporës. Në qoftë se i sheh raportet e Bankës Qendrore të Kosovës, e sheh që mundemi me u shpreh lirisht që mbi 80% të investimeve të diasporës shkojnë në patundshmëri, në banesa, shpija, toka, kështu që edhe këtu po them sikurse te prodhimi, është eksporti”.

“Edhe këtu duhet sa më urgjent me u hartu një strategji që e ndihmon diasporën tonë se ku me i riorientu remitancat. Nevojitet një strategji e mirë që i ndihmon diasporës tonë që me invenstu në projekte të mira të zhvillimit ekonomik të vendit por edhe në kthim të mirë për diasporën tonë. Propozimet duhet të vijnë prej institucioneve të vendit, por ka lloj-lloj modeli, lloj-lloj mundësie, vetëm është çështja tani se ku qeveria jonë e sheh që është më e dobishme”.

I pyetur nëse ka informacione se sa para solli diaspora në Kosovë, vetëm këtë verë, Rafuna ka thënë se po i presin statistikat e BQK-së dhe ASK-së.

“Unë ende nuk i kam këto statistika se ato mbyllen kur të mbyllet muaji gusht, në fillim të muajit shtator, vijnë prej Bankës Qendrore, prej Agjensionit të Statistikave të Kosovës dhe do t’i kemi të dhënat e sakta, tash janë vetëm supozime, hamendësime”.

Ndërsa, teksa foli për bizneset vendore, ai tha se ato vazhdimisht kanë kërkesa për Qeverinë dhe ky është një tregues i mirë se po i ndjekin trendet rajonale dhe botërore.

UBT

Në disa kërkesa, ai thotë se u janë përgjigjur ministrat, por në disa tjera jo.Kreu i OEK-ut po ashtu ka insistuar që të krijohen kushte më të mira për prodhime vendore.“Bizneset gjithmonë kanë kërkesa dhe shumë mirë që kanë se kjo tregon se i përcjellin trendet, i përcjellin zhvillimet e fundit, siç i përcjellin edhe bizneset e tjera, jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë e më gjerë”.

“Oda Ekonomike gjithmonë është zëri i biznesit, në kuptim të kërkesave, por në të mirën e biznesit, mbron interesat e biznesit. E kemi mision edhe nga ligji. Në disa kërkesa ministrat janë përgjigjur, Qeveria është përgjigjur në disa jo që mbeten për t’u shqyrtuar”.

“Ne si Odë Ekonomike insistojmë që të kemi sa më shumë prodhim dhe të gjitha kërkesat tona ndaj të gjitha institucioneve të vendit është që të kemi sa më shumë prodhim dhe sa më shumë eksporte që të kemi sa ma pak importe të mallrave nga vende të tjera dhe sjelljes së parasë së gatshme jashtë Kosovës”.E si partnerët më të mëdhenj për eksportim,

Rafuna thotë se janë vendet e rajonit e më pas partnerët evropian, zakonisht ku është e rritur diaspora jonë.“Partnerët më të mëdhenj për momentin i kemi partnerët këtu në rajon dhe më pas vijnë partnerët në Evropë siç janë Gjermania, Zvicra, Austria, zakonisht ku është e rritur diaspora jonë”.

Ai ka folur edhe për koncept dokumentin për Odën Kombëtare, me ç’rast ka thënë se kanë kërkuar që të merret për bazë ligji kroat, “një ligj i cili e ndihmon jo vetëm biznesin e Kroacisë por edhe zhvillimin ekonomik të Kroacisë”. “Ne në kemi qenë pjesë e grupit punues dhe ne jemi deklaruar gjithmonë se do të punojmë, do ta përkrahim një ligj të mirë për Odën Ekonomike të Kosovës, deri në atë masë kur e shohim që ai ligj do të përgatitet, do të avancohet, për ta avancuar biznesin e Kosovës dhe për ta avancuar diplomacinë ekonomike.”“Ne kemi kërkuar si Odë Ekonomike që të merret për bazë modeli i ligjit kroat. Kroatët janë të fundit të cilët e kanë sjell një ligj shumë të mirë, një ligj i cili e ndihmon jo vetëm biznesin e Kroacisë por edhe zhvillimin ekonomik të Kroacisë”.

“Të njëjtin e kemi kërkuar që të merret për bazë edhe në Kosovë, për këtë arsye ne kemi qenë pjesë e hartimit të koncept-dokumentit dhe tani kur do të hyjmë në fazën e draftimit të ligjit në do të jemi pjesë e grupeve punuese deri atëherë kur e shohim se po hartohet një ligj i mirë, që e avancon odën dhe ekonominë e vendit”, ka thënë ai për EO.