RCCOLA

Radioterapi për pacientët

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Pacientët që vuajnë nga kanceri, e që kanë nevojë për radioterapi, nuk kanë nevojë më t’u drejtohen vendeve tjera për trajtim. Pas plot 13 vitesh, ky shërbim ka arritur edhe në QKUK. Mjekët e Institutit Onkologjik tashmë kanë hapur dyert për pacientët në nevojë.

Krejt ata që kanë nevojë për radioterapi mund t’i drejtohen QKUK’së. Kjo gjë u bë e mundur pas plot 13 vitesh mungesë të këtij shërbimi. Instituti Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës tash e tutje do të ofrojë shërbime për të gjithë qytetarët që kanë nevojë për të gjitha llojet e rrezatimeve.

Së fundmi është lëshuar në funksion edhe radioterapia terapeutike, shërbim ky që ka munguar për pacientët. Këtë e bën të ditur ushtruesi i detyrës së drejtorit në këtë klinikë, Behxhet Osmani.

“Instituti i Onkologjisë ka filluar me punë edhe me shërbimin e radioterapisë kurative, i cili shërbim ka munguar në institucionin tonë. Tash ne, me kuadrin që e kemi, të gjithë pacientët që kanë nevojë për radioterapi do t’i kryejmë këtu”, bën të ditur Osmani.

Ndërkohë, derisa radioterapia terapeutike nuk ka funksionuar, pacientët këtë shërbim e kanë marrë jashtë vendit, duke paguar për një seancë rreth 2 mijë euro. Edhe pse në Kosovë mungon kancer-regjistri, numri i pacientëve që vuajnë nga kanceri dhe kanë nevojë për shërbime onkologjike është mjaft i madh.

Osmani thotë se shumë pacientë tashmë trajtimin me radioterapi terapeutike janë duke e marrë jashtë institucionit shëndetësor publik, meqë ky shërbim ka munguar në QKUK dhe, sipas tij, ata po i vazhdojnë seancat e tyre në vendet ku kanë filluar.

“Tash për tash nuk kemi numër të madh të pacientëve që kërkojnë këtë shërbim, meqë janë duke u trajtuar jashtë vendit, pasi që te ne ka munguar, dhe ata vazhdojnë të kryejnë jashtë vendit radioterapinë kurative. Meqenëse tash ka hyrë në funksion, pacientët edhe nuk janë të informuar, por presim që pacientët që vijnë t’i fusim në listë dhe asnjë i sëmurë nuk do të presë”, shpjegon Osmani.

RCCOLA

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, thotë se pas 13 vjetëve po arrihet të lëshohet në punë ky shërbim i rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke kompletuar në tërësi shërbimet në Institutin e Onkologjisë.

Sipas Aganit, do të rritet cilësia dhe do të lehtësohet trajtimi i pacientëve, duke shtuar se po punohet vazhdimisht që këto shërbime të jenë të përditshme dhe pacientët të mos referohen jashtë vendit.

Kirurgu torakal, Shqiptar Demaçi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se shërbimet radioterapeutike në përgjithësi janë të domosdoshme të ofrohen në vendin tonë, meqë numri i të prekurve me kancer është çdo ditë në rritje.

“Përderisa një shoqëri ka shumë pacientë me kancer dhe duhet operuar, ata kanë shumë nevojë për radioterapi terapeutike. Ne kemi planifikuar terapi paliative, por me shumë vetëmohim nga stafi i onkologjisë”.

“Kemi zotimin se do të vazhdojë terapia kurative, e që është shumë e rëndësishme, sepse pacientët nuk kanë nevojë të shkojnë në rajon për këtë trajtim, e aq më pak kur aparati ynë është një aparat modern dhe mund të kryejë një radioterapi kompetente”, shprehet Demaçi. Por, me gjithë funksionimin e plotë të Institutit Onkologjik, problem mbetet mungesa e stafit të mjaftueshëm të onkologëve.

“Ne kemi nevojë edhe për një numër të onkologëve dhe disa fizikanë dhe me kompletimin e stafit, do të fillojmë të punojmë me dy ndërrime dhe besoj se do t’ia arrijmë që t’u dalim në ndihmë pacientëve”, thekson Osmani.

Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë flasin se brenda vitit në botë regjistrohen rreth 10 milionë raste të reja me kancer. Supozohet se në vitin 2020, kjo rritje mund të shkojë deri në rreth 15 milionë raste të reja në nivel global. Edhe Kosova ballafaqohet me një numër mjaft të madh të të prekurve me kancer. E pavarësisht kësaj akoma nuk ka të dhëna të sakta se sa është numri i përgjithshëm i personave që vuajnë kjo sëmundje.(express)