Qyteti i rrymës është në terr!

Muharrem Raçi, 70 vjeçar, vështron tymtarët e Obiliqit, vetëm 200 metra larg shtëpisë. Çdo ditë ai thithë tymin e tyre që shfryjnë hirin e tokës që gërryejnë ekskavatorët pranë shtëpisë së tij. Pullazet e hirta të shtëpive tregojnë se qyteza ku ai banon, Obiliqi, shtrihet në një zonë ku prodhohet energjia elektrike nga thëngjilli.
Ndërsa banorët e Obiliqit janë ata që e paguajnë çmimin e kësaj energjie shumëfish. Raçi mallkon tymtarët, të cilëve nuk po ua sheh hajrin as ai e as të tjerët. “Toka jonë po bahet hi për ta prodhu rrymën e Kosovës e na nuk kemi rrymë ka 10 orë. Se di qysh e mendojnë këtë punë këta të KEK-ut e KEDS-it”, thotë ai me mllef.
Pavarësisht se gjinden vetëm pak metra nga termocentralet që prodhojnë energji elektrike për tërë Kosovën, obiliqasit thonë se më së paku furnizohen me energji elektrike. “Jemi kthy si në kohën e Luftës Dytë Botërore. Kurrë televizorin nuk e shohim, po na prishet ushqimi në frigorifer, na e kanë ba jetën për gazep”, thotë Raçi. /Tribuna