UBT

Qytetari nuk joshet më nga ofertat mashtruese të harbutëve të politikës

/ 8 minuta lexim
Mobi Casa

Kanë mbetur vetëm edhe dhjetë ditë fushatë zgjedhore për subjektet politike, të cilat po garojnë në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, analizuar nga njohësit e zhvillimeve politike, vlerësohet se asnjë parti politike nuk po arrin të prezantojë ofertë serioze për votuesit, por vetëm sa po tallen me qytetarin me të ashtuquajturat “ofertat” e tyre parazgjedhore.

E vetmja arsye e kësaj tallje, sipas analistëve politikë, është se këta liderë po dalin në fushatë vetëm sa për t`iu thënë qytetarëve që të votojnë me çdo kusht për ta, ngase ata janë të uritur për pushtet dhe duan të vazhdojnë t’u vjedhin akoma. Pra, mungesa e programeve konkrete, por vetëm loja me fraza boshe dhe me mashtrime pompoze kanë bërë që edhe qytetarët të bien në depresion. Ky depresion dhe zhgënjim vjen nga fakti se nuk kanë asnjë ofertë serioze nga kjo klasë e inkriminuar politike për një jetë më të mirë të qytetarëve, por sërish vetëm zhvatje dhe shkelje e të drejtave elementare të qytetarëve nga pushteti. Me këtë sjellje mashtruese vetëm sa po i injorojnë të gjitha partitë pa dallim qytetarët, pavarësisht që në shtetin tonë po vazhdojnë të jetojnë qytetarët edhe me vetëm 1 euro e 40 centë në ditë! Ndërsa të dhënat e Bankës Botërore flasin se 35 % e qytetarëve të moshës 15-24 vjeç nuk shkojnë në shkollë,universitet dhe nuk janë të punësuar! Nga kjo gjendje shihet se kushdo që merr pushtetin pas zgjedhjeve të 22 tetorit do të zhvatë qytetarët, e këtë e kanë treguar të gjitha partitë politike, përfshirë këtu posaçërisht edhe VV-në e inkriminuar me në krye me Shpend Ahmetin në kryeqytet, ku përveç shitjes së lejeve të ndërtimit për mafinë ndërtimore, shëtitjeve me jahtet e të inkriminuarve në krim të organizuar e shumë skandale të tjera, nuk bëri asgjë të mirë e të dobishme për qytetarët kryeqytetas për katër vitet e tij të sundimit pa ligj dhe të zhvatjes së pakufishme.

Sahitaj: VV-ja, përveç pushtetit, ka synim e futjes së popullsisë në një sistem totalitar

Analisti politik Reshat Sahitaj vlerë- son se partitë politike kudo në botë gjatë fushatave zgjedhore premtojnë, por premtimet e tyre janë logjike dhe të arritshme, derisa në Kosovë ka vite që po ndodh e kundërta.”Në Kosovë liderët e partive politike nga etja për pushtet japin premtime marramendëse, saqë asnjë logjikë nuk e përthekon. Premtojnë hapje të vendeve të punës aq shumë saqë nuk ka fabrika e asnjë ndërmarrje prodhuese që do kishte kapacitet për t’i punësuar ato shifra premtuese. Ofrojnë ndërtime të rrugëve e që i meremetojnë vetëm me një shtresë të hollë që në pranverë prishet. Ofertat e tyre janë aq naive e aq të pakontrolluara që i bëjnë për ta mashtruar popullin tonë duke menduar se qytetarët tanë janë ende naiv siç ishin dikur”, theksoi Sahitaj për “Kosova Sot”.

Në këtë rrafsh ai thotë se karvanit të partive të tilla tash po i bashkëngjitet edhe VV-ja, e cila rastin e parë për të provuar qeverisjen e institucioneve të shtetit e ka shijuar me drejtimin e komunës së Prishtinës për katër vitet e fundit. “Në anën tjetër VV-ja gjatë fushatës së tyre nuk zgjedhin mjete dhe metoda për të arritur qëllimin e tyre për kapjen e pushtetit, sepse kapja e pushtetit në Komunën e Prishtinës ua ka dhënë mundësi të pasurohen ilegalisht liderët dhe vetë fondi i partisë. VV-ja në krye me Albin Kurtin dhe Shpend Ahmetin në krye të Prishtinës janë partia më ekstremiste dhe më përfituese se të gjitha partitë e tjera në vendin tonë”, është shprehur Sahitaj.

KKVITI

Ai thotë se secila parti e ka synim pushtetin, përndryshe nuk do të quheshin parti politike, mirëpo VV-ja përveç pushtetit ka synim e futjes së popullsisë në një sistem totalitar, ku më askush nuk do guxonte të shkruajë ndryshe, vetëm siç do të diktonte partia, e as të mendojmë ndryshe nga mendimet e VV-së. Madje ai thotë se është e pakuptimtë se si mund të flasin në VV gjatë fushatës kundër korrupsionit kur VV-ja është zhytur vetë në korrupsion dhe një vargmal veprimesh tjera të paligjshme! “Si mund të flasin kundër drogës që po përhapet te rina jonë në shkolla e kudo, kur kandidatët e VV-së po burgosen pikërisht të zënë me drogë ? Si mund të flasin për nacionalizëm e kombëtarizim kur spiunët dhe bijtë e spiunëve janë në krye të çdo pore të VV-së?! Si mund të flasin për zhvillimin ekonomik kur VV-ja është nxitëse e shpërnguljeve masive të shqiptarëve?! Si mund të flasin për zhvillimet kulturore kur Shpend Ahmeti sheshin ‘Nënë Tereza’ e ka shndërruar në pazar të dredhëzave, të thanave, të rrushit, të rakisë, që është trup i krejt Kosovës ?! Nuk mund të quhen zhvillime kulturore me shitje të turshive në qendër të Prishtinës! Nuk mund të quhet zhvillim kulturor kur në qendër të Prishtinës kërkohet me altoparlant ndihmë për shërim të fëmijëve tanë! Nuk mund të quhet zhvillim kulturor kur në qendër të Prishtinës zhvillohen aktivitete ilegale të prostitucionit! VV-ja është sinjifikim i instalimit të një sistemi totalitar dhe destabilizimit të shtetit tonë”, theksoi Sahitaj për “Kosova Sot”.

Ofertat, gënjeshtra të pastra

Përpjekje për mashtrim ekstrem të qytetarit dhe tallje klasike e sheh këtë fushatë zgjedhore që po shkon drejt fundit edhe analisti politik Ali Hertica.”Të gjitha subjektet politike që po garojnë në zgjedhjet lokale të 22 tetorit po thirren në moton e tyre zgjedhore me do ‘oferta’ me vizion për zhvillimin e komunës përkatëse. Mirëpo, që nga fillimi i trendëve të parë të fushatës zgjedhore, nëse shikojmë me një sy kritik dhe vlerësojmë realisht, partitë politike, shumica e tyre, vetëm po tallen me politikat që i zbardhin si programe për zhvillim para qytetarit, e që janë disa gënjeshtra të pastra, të plasuara në emër të vizioneve, në bashkëbisedim me qytetarët”, është shprehur ai. Mirëpo, Hertica thotë se qytetarët duhet të jenë mjaftueshëm të vetëdijesuar për mashtrimet e një- pasnjëshme që janë bërë ndaj tyre dhe të maten mirë se si dhe kujt do t’ia japin votën në ditën e “gjykimit”- votimit më 22 tetor. “Tani qytetari duhet të tregojë veten se nuk do të bie pre e harbutëve politikë, ku grupet e oligarkëve dhe matrapazët ta marrin në duart e tyre fatin tonë dhe të fëmijëve, kur dihet botërisht se qeveritë e kaluara, edhe nga niveli lokal edhe ai qendror, kanë dhënë plot premtime për rritje ekonomike dhe punësime për qytetarët, e në anën tjetër qytetarët nuk i shijuan ato premtime, sepse nuk u realizuan asnjëherë. Qytetari vetëm po varfërohet ditaditës edhe më shumë dhe nga kjo situatë e rëndë ekonomike po mërgojnë plot të rinj e të reja jashtë Kosovës”, është shprehur Hertica për “Kosova Sot”. Analisti politik Arsim Haziri po ashtu konstaton se në këtë skenë politike kryesisht po dominon lakmia për pushtet dhe po lihen krejtësisht anash interesi qytetar dhe projektet konkrete për zhvillimin e vendit.”Aktualisht fushata e subjekteve, të cilat kanë qenë në pushtet, jashtëzakonisht shumë përcillet me premtime dhe prioritete, të cilat vetëm sa shpërfaqin më shumë atë demagogjinë e paskrupullt të tyre në raport me opinionin”, është shprehur Haziri. Edhe analisti Skënder Mulliqi konstaton se si në të gjitha zgjedhjet e deritashme që u tallën me votuesit, partitë politike po tallen edhe me këto zgjedhje komunale të 22 tetorit.”Shumëçka po premtojnë gjatë fushatave, e nuk i realizuan as premtimet reale të qytetarëve. Qytetarët tashmë janë ngopur me pallavra të partive politike, të cilat gjithnjë e më shumë janë duke e thelluar krizën ekonomike, por edhe politike. Kanë krijuar gjendje deprimuese dhe depresionuse, kanë krijuar pakë- naqësi të shkallës së lartë, kanë krijuar papunësi të shkallës enorme, varfëri të skajshme dhe në këtë shekull kemi njerëz duke jetuar më keq se shtazët. Nuk ka me çka të lavdërohet kjo klasë politike kur ka familje që jeton me 1 euro në ditë. Kjo mund të ndodhë vetëm në ndonjë shtet të Afrikës. Rinisë nuk i ka mbetur tjetër vetëm të largohet nga ky vend i kapur nga kriminelët e të gjitha ngjyrave”, tha Skënder Mulliqi.

(Kosova Sot)