Qytetarët: Po jetojmë si në kohën e mesjetës

Gjilan – Mungesa e ndriçimit publik në qendër të qytetit shumë qytetar të vjetër thonë se i ka kthyer në kohën e mesjetës. Shaban Terziu banues në qendër dhe Shemsedin Piraj thonë se të jetosh në qendër të qytetit dhe mos të kesh ndriçim publik vërtet është shumë stresuese. Ne nuk e dimë kush i ka fajet, KEK-u apo komuna, me rëndësi po jetojmë në terr të plotë.
Pushteti komunal si duket edhe ndriçimin publik e ka instaluar si pjesë të “dietës buxhetore”. Kjo për faktin se qendra e qytetit një kohë të gjatë është pa ndriçim publik dhe kjo ka revoltuar banuesit e kësaj zone, raporton rajonipress.
Shaban Terziu banues në qendër të qytetit tha për rajonipress se mungesa e ndriçimit publik tregon për joseriozitetin e organeve komunale. “Personalisht kam folur me Sokol Hazirin dhe më ka premtuar se do të rregullohet, por u bë një kohë dhe ne po jetojmë në terr të plotë. Në qendër ndodhin vjedhje, grabitje e çka jo tjetër e të mos kesh ndriçim publik vërtet është keq. Jemi kthyer në kohën e mesjetës” tha Terziu.
Edhe Shemsedin Pira avokat dhe banues në zonën qendër thotë për rajonipress se nuk e ka të qartë nëse problemi është i KEK-ut ose i komunës, por ai dhe banuesit tjerë po jetojnë si në kohën e mesjetës.”Unë jam qytetar i vjetër dhe rrallë ka ndodhur që qendra të jetë pa ndriçim, madje as në kohën e luftës nuk është ndalur ndriçimi në qendër” shprehet Pira.
Sipas burimeve tona mungesa e ndriçimit publik lidhet me një borxh që komuna i ka KEK-ut rreth 60 mijë euro. Rajonipress ka bërë përpjekje të kontaktojë Sokol Hazirin, por nuk ka marrë asnjë përgjigje nga ai./rajonipress/