Qytetarët nuk tregojnë shumë interesim për pjesëmarrje në debatin për buxhet

Gjilan – Projekt buxheti komunal për vitin 2014 i është nënshtruar të hënën dëgjimit publik, për t`i marrë edhe vërejtjet e fundit të qytetarëve, para se të dërgohet për miratim në Kuvendin Komunal. Nuhi Nuhiu, drejtor për Financa, ka thënë se buxheti i planifikuar për vitin fiskal 2014, është 20.125.842 euro. Nga granti qeveritar do të sigurohen 16.345.842 euro, ndërsa nga të hyrat vetanake -3,780.000 euro.
Shpenzuesi kryesor i buxhetit janë pagat. Për paga janë planifikuar 11.635.300 euro, ose 57.81% e buxhetit të përgjithshëm, për mallra dhe shërbime – 3.497.910 euro, ose 17.38% nga buxheti i përgjithshëm, për shpenzime komunale – 627.777 euro, ose 3.12% nga buxheti i përgjithshëm, për subvencione 558.800 euro, ose 2.78% nga buxheti i përgjithshëm, ndërsa për shpenzime kapitale – 3.806.055 euro, ose 18.91% e buxhetit të përgjithshëm, ka thënë Nuhiu.
Ai e ka quajtur këtë “buxhet të mbijetesës”, duke nënvizuar se kërkesat dhe nevojat janë të mëdha, ndërsa mundësitë janë të kufizuara. Sipas tij, komuna shpreson shumë edhe te donatorët dhe në këtë drejtim do të punojë për të tërhequr i investime për projekte që të janë të rëndësishme për jetën dhe mirëqenien e qytetarëve.
Nuhiu ka thënë se gjatë planifikimit janë munduar që ndarja e buxhetit të jetë sa më e drejtë dhe njëherësh do të mundohemi që sa më shumë që është e mundur t`i reduktojnë shpenzimet për mallra dhe shërbime, në mënyrë që ato mjete t`i ridestinojmë për inesvtime kapitale.
Përndryshe, ai ka thënë se subvencionet nuk janë kategori e shpenzimeve komunale, por e qeverisë, por për shkak të nevojave, komuna ka ndarë mjete deri tani, me qëllim që të ndihmojë fermerët, sportin, rininë dhe sektorët tjerë.
Ndërkaq, interesimi i qytetarëve për të marrë pjesë në debat të organizuar nga Komiteti për Politikë dhe Financa, që e ka udhëhequr zëvendëskryeuesi i Kuvendit Komunal, Selim Selimi, ka qenë i vogël. Pjesëmarrësit, Avni Rudaku, Xhemajl Zeneli, Shaban Terziu dhe të tjerë, sikurse edhe anëtarët e kësaj trupe komunale, kanë kërkuar që të reduktohen shpenzimet dhe ato mjete të orientohen te investimet kapitale dhe subvencionet, ku nevojat janë të mëdha.
Para se të shkojnë për miratim në asamble komunale, deri në fund të këtij muaji, propozim buxheti komunal do të kalojë edhe njëherë në Komitetin për Politikë dhe Financa. /rajonipress/