Qytetarët nuk i duan partitë e nëntokës
Humbja e besimit të qytetarëve në politikën aktuale, pozitë e opozitë, është bërë një çështje shumë shqetësuese, e cila shihet me një këndvështrim kritik nga analistët politikë. Sipas tyre, rënia e besimit në këtë skenë politike të degraduar e të bastarduar, flet për atë se qytetarët e kanë shumë problem ta ndajnë ndonjë parti, e cila nuk është e lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin, ngase të gjitha në këtë punë të ndyrë bëjnë gara se kush do të përfitojë më shumë.
Akoma më shqetë- suese paraqitet fakti dhe pikëpyetja e madhe që nuk ka përgjigje, se si ndodhi që të kriminalizohet komplet politika kosovare, pozitë e opozitë, nën udhëheqjen e pushtetit në komuna dhe në pushtetin qendror, deri në atë shkallë që sot qytetarët të zhgënjehen tek të gjithë, duke mbetur të paalternativë! Po ashtu, është gjykim i njohësve të rrethanave politike në vend se kjo skenë e tejkriminalizuar politike qëllimisht, në mesin e shumë gjërave, po e mban peng edhe hartimin e një ligji të veçantë në bazë kushtetuese, që përcakton qartë dhe sanksionon rregullat dhe normat e themelimit dhe funksionimit të partive politike. Mungesa e një ligji të tillë po bën që partitë politike të funksionojnë si korporata kriminale pa llogaridhënie dhe përgjegjësi edhe para organeve të shtetit, por edhe para votuesve të tyre, shkelin ligjet dhe Kushtetutën e shtetit dhe askush nuk mund të merret me sanksionimin dhe penalizmin e tyre, e që në vendet me demokraci të zhvilluar e të konsoliduar shkon deri në pezullimin e funksionimit të partive politike, që bien ndesh me ligjin.
Rënia e besimit
Analisti politik, Faton Mehmeti, duke parë këtë gjendje serioze thotë se të gjitha subjektet aktuale politike i ngjajnë njëra-tjetrës. “Kanë të njëjtën formë të organizimit, metodat e njëjta të veprimit, pushtet të koncentruar në disa individë, moslejim të debatit të brendshëm, të njëjtat metoda të përndjekjes dhe linçimit, të njëjtën mendësi të politikë-bërjes, të njëjtin diskurs përjashtues e kërcënues, manipulativ e abuzues të interesave publike”, tha Mehmeti për “Kosova Sot”.
Ai konsideron se tani shoqëria kosovare më shumë se kurrë ka nevojë për alternativa, pasi alternativat nuk janë thjesht vullnet i një individi, por nevojë që lind nga një disponim i përgjithshëm për ndryshime. “Si pasojë e klasës politike të korruptuar, kemi rënie të besimit të qytetarëve në partitë politike, dhe kjo është mjaft shqetësuese, pasi qytetarët në mungesë të besimit po braktisin vendin çdo ditë. Partitë politike funksionojnë si banda kriminale, nuk kanë ligj të veçantë për rolin dhe arsyen e ekzistimit të tyre. Duke qenë sistemi i korruptuar ka ndikuar që e tërë klasa politike në Kosovë të kapen nga njerëz banditë, mafiozë dhe kriminelë”, u shpreh ai. “Parti të nëntokës, parti nga klane të caktuara kriminale, parti të haraçit dhe ekstremiste, nuk janë ato që qytetari kërkon përmes së cilës të realizojë synimet e tija për jetë të dinjitetshme. Prandaj, edhe po braktisen nga qytetarët e vendit çdo ditë e më shumë, dhe kështu do të vazhdojë nëse klasa politike nuk fillon së pari të bëjë reforma brenda vetes, pastaj për t’u paraqitur si alternativë e besueshme për ndryshime”, tha Faton Mehmeti.
Logjika qeverisëse e zhvatjes
Sipas Skënder Mulliqit, kjo klasë politike e kriminalizuar dhe e korruptuar është duke e mbajtur peng Kosovën në krejt periudhën e pasluftës. “Kjo po bëhet për qëllime të caktuara të grupeve të interesit në parti politike së pari, pastaj edhe në pushtet. E kanë mbajtur peng popullin dhe Kosovën për t’i arritur objektivat e tyre anti-shtet. Duke mbijetuar në saje të veprave të ndryshme kriminale plaçkitëse janë duke e kriminalizuar edhe mbarë shoqërinë tonë. Kjo logjikë përfituese plaçkitëse karshi të mirave materiale është instaluar nga nivelet komunale deri të nivelet qendrore”, u shpreh ai. “Secili që erdhi në pushtet deri më tash e pati logjikën abuzive të përfitimit personal. Nuk po largohet kjo logjikë nga partitë bartëse të pushtetit, sepse nuk është hartuar ndonjë ligj i veçantë në bazë të kushtetutës, që përcakton qartë dhe sanksionimin, rregullat dhe normat e themelimit dhe funksionimit të partive politike”, tha Mulliqi për “Kosova Sot”. Ai thotë se dihet fare mirë se sa të rrepta dhe shumë ndëshkuese janë ligjet në shtetet perëndimore karshi atyre partive politike, të cilat keqpërdorin paranë publike.
Subjekte apo klube private
Sipas Reshat Sahitajt, partitë politike kosovare, në realitet vetëm quhen parti politike , por në fakt janë klube private të zgjeruara horizontalisht, por të organizuara vertikalisht që nga kjo nënkuptojmë, kupola e partive politike është themeluar dhe ndërtuar nga një grup shokësh e kushërinjsh, të cilët janë grupi dirigjues dhe pjesa tjetër horizontale përbëhet nga kushërinjtë e kushërinjve etj. Sipas tij, kur të shikosh nga një largësi partia kosovare është një grumbull njerëzish e ndërtuar nga grupi klanor. “Ndërsa të gjitha kupolat e partive janë shokë dhe miq të dikurshëm, që janë njohur në klube nate, në luftë apo në regjionet prej nga e kanë origjinën, por asnjëri prej personaliteteve politike, që është pjesë e ngushtë e bërthamës nuk janë njohur në universitet apo në vende akademike. Kultura dhe mentaliteti i tyre është tepër i ngushtë dhe nga komplekset e inferioritetit ata nuk lejojnë zgjerimin e tyre, nëse dikush vjen nga vendet e punës akademike, sepse ata më nuk e konsiderojnë veten shefa nga frika e jo nga konkurrenca. Mendoj se këta janë faktorët kryesorë që shefat e partive politike dikur lëshonin deklarata kundër njëri -tjetrit për të treguar ” forcën ” e tyre jo për të rregulluar gjendjen e popullit, por për të marrë pushtetin. Këto deklarata fyese e akuzuese kundër njeri -tjetrit i bënin, sepse ata njihen mes tyre dhe duke e njohur filan ministrin se si brenda pak ditësh u shndërrua në milioner, andaj kërkonin shembjen e tij për t’u shndërruar në milionerë vetë ata”, tha Sahitaj për “Kosova Sot”.
Sipas tij, partitë politike nuk kanë vizion kombëtar, por vizion ekonomik personal, pranoj po vazhdon të humbet besimi qytetar. “Të gjithë këta që flasin sot për demarkacion, për ‘Zajednicën’, për liberalizim të shpejtë të vizave, për zhvillimin ekonomik, ishin dikur në takime të ndryshme si në Vjenë, Strasburg, Bruksel dhe këta janë që dikur vetë me dorën e tyre e kanë nënshkruar ‘Zajednicën’ e sidomos në kohën kur pala serbe kërkonte 7 komuna, pala shqiptare ua propozoi 11 komuna, e pastaj pala serbe duke e parë që shqiptarët vetë po i lusin ata kërkuan 17 komuna. Pse janë aktuale 6 pikat e Ban Ki Munit? Sepse pala shqiptare i ka nënshkruar më dëshirë. Pse partitë politike për opinionin tonë ndryshe deklarojnë e ndryshe nënshkruajnë me palën serbe?! Sepse partitë politike janë klube private dhe askush nuk mund të bëhet deputet pa leje të shefave të partive”, potencoi Sahitaj.
Politika jokredibile
Po aq shqetësuese paraqitet kjo gjendje edhe sipas politologut Arsim Haziri. “Subjektet politike, me disa përjashtime skjashm?risht janë të lëshuara pas interesave t? ngushta politike e ekonomike, pikërisht këto ambicie t? sëmura kanë ndikuar në çorientimin e vijës shtetërore. Edhe koalicionet e fundit janë lidhur duke mos respektuar asnjë parim e normë mirësjellje, duke shkelur kësosoj gjitha vijat e kuqe, çka dikur thirreshin në respektimin e tyre”, theksoi ai. “Vetë natyra e koalicioneve aktuale është mbi baza joparimore e programore, duke veçuar edhe kundërshtitë e hapura ndaj njeri-tjetrit. Kjo klimë aspak kredibile dhe joharmonizuese flet qartazi për moskonsistencë në qëndrime dhe parime. Politika aktuale ka kohë që ka humbur konceptin për shtetndërtim dhe ekonomizim, kanë humbur kredibilitetin për t’i dhënë vendit shtet të së drejtës dhe funksional. Ata vazhdimisht kanë vërë në pah interesat e tyre të pashembullta drejt pasurimit klientelist e familjar”, tha Haziri për “Kosova Sot”.


