Qytetarët kërkojnë masa konkrete kundër vërshimeve në Gjilan: Mbi 100 familje po përballen me pasojat e përsëritura të përmbytjeve
Gjilan – Përderisa institucionet komunale po organizojnë aktivitete vetëdijesuese për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore, qytetarët e prekur nga vërshimet në Gjilan po kërkojnë veprime konkrete për parandalimin e përmbytjeve, duke vënë në pah gjendjen e lumit Stanishorka.
Shqetësimi është ngritur nga qytetarët përmes komenteve në rrjetet sociale, pas publikimit të një aktiviteti të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, e cila kishte organizuar ligjërata edukative për nxënësit e shkollës “Abaz Ajeti”, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Kryqin e Kuq, Drejtorinë e Arsimit dhe Njësinë e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit.
Njëri nga komentuesit, Qemajl Xhaqku, ka reaguar duke kërkuar nga institucionet komunale që vëmendjen ta përqendrojnë edhe te parandalimi i vërshimeve, veçanërisht përmes pastrimit të lumit Stanishorka.
“Leni more aktivitetet, po dilni pastrojeni lumin Stanishorka, jo kur të vërshohet. Sa herë pësojmë, më shumë se 100 familje, edhe kurrfarë mase s’keni ndërmarrë”, ka shkruar Xhaqku.
Reagimi pasqyron pakënaqësinë e banorëve që pretendojnë se përballen vazhdimisht me pasojat e vërshimeve, ndërsa kërkojnë ndërhyrje parandaluese dhe jo vetëm reagim pasi dëmet tashmë janë shkaktuar.
Në këtë kontekst, qytetarët kërkojnë pastrimin dhe mirëmbajtjen e shtratit të lumit Stanishorka, identifikimin e pikave kritike dhe ndërmarrjen e masave infrastrukturore që do të zvogëlonin rrezikun e përmbytjeve.
Aktivitetet edukative për përgatitjen e qytetarëve ndaj fatkeqësive natyrore janë të rëndësishme, por banorët presin që ato të shoqërohen edhe me investime konkrete në terren.
Për familjet që jetojnë me shqetësimin e vërshimeve të përsëritura, mbrojtja më e mirë nuk është vetëm informimi se si të reagojnë gjatë fatkeqësisë, por ndërhyrja institucionale për të parandaluar që ajo të ndodhë./rajonipress/

