Qytetarët kërkojnë investime dhe punë, e jo ligjërata e retorikë boshe
Gjilan – Qytetarët e Gjilanit në debatin me Lutfi Hazirin kanë bërë pyetje të shumta që lidheshin kryesisht me infrastrukturën, projektet, punësimin, zhvillimin ekonomik etj. Lutfi Haziri ndërkaq pos të arriturave që tha se i ka realizuar i ka njoftuar qytetarët se Gjilanin e pret edhe një vit i vështirë financiar.
Debati publik i kryetarit të komunës nuk ka kaluar edhe aq këndshëm. Lutfi Haziri së bashku me drejtorët komunal pranuan pyetje shumë të “ithta” duke filluar nga punësimet, abuzimet me pushtetin, retorikën zgjedhore edhe pas njëviti derisa nga pushtetarët kërkuan projekte konkrete, investime në të gjitha fushatë e jo fjalë boshe e retorikë të thatë, raporton rajonipress.
Lutfi Haziri para qytetarëve gjilanas foli për të arriturat që ka arritur në punën e tij një vjeçare me theks të veçantë në fushën e infrastrukturës, uljen e kostos buxhetore, uljen e shpenzimeve në të gjithë sektorët.
Haziri tha se Gjilani më herët ishte i anashkaluar nga Qeveria dhe ka pasur shumë pak buxhet shtetëror. “Tani me Qeverinë e re jam i sigurt se gjërat do të ndryshojnë derisa jam i bindur se do të kemi edhe autostradën që u duhet shumë gjilanasve”.
Por, Haziri krahas këtyre rezultateve të shumta dhe thithjes së donacioneve dhe investimeve në të gjitha fushat, qytetarëve ua dha edhe një lajm të hidhur. “Gjilani sërish do ta ketë një vit të rëndë buxhetor. Nuk do të ketë as dreka e as darka zyrtare dhe do të ulen në minimum shpenzimet nëpër institucione” tha Haziri.
Qytetarët e pranishëm ndërkaq kanë bërë pyetje kryesisht që lidheshin me jetën e tyre urbane.
Fatmir Bunjaku nga lagjja “Metush Krasniqi” pyeti Lutfi Hairin se pse nuk ka investime në këtë pjesë. “Tek ne jetohet në kushte të mjerueshme kurse ende përgjigje nuk kemi marrë nga ju” tha ky qytetar.
Një banor nga Velekinca ishte shumë i ashpër në pyetjen e tij. “Lutfi Haziri duhet ta dijë se në zyrën e prokurimit dhe të financave që udhëhiqet nga Salih Kqiku ka punësuar njerëz të tij familjar, madje katër prej tyre, kurse djali i tij student është i punësuar”.
Lutfije Ahmeti nga çerdhja e qytetit pyeti Hazirin deri kur kjo çerdhe do të ndodhet në këtë gjendje të mjerueshme./rajonipress/


