Qytetarët kërkesë Lutës: Organizoni tubim në stadium

Gjilan – Në sallën e mbushur përplot dhe me pritje spektakulare është pritur sot në Kmetovc, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri.
Si në çdo vendbanim, edhe në Kmetovc, Haziri gjeti përkrahje maksimale. Madje, kmetovcasit patën edhe një kërkesë për zotin Haziri.
“Zotëri kryetar, unë ju lus që tubimin ta bëni në stadium sepse vërtet s’po na zënë sallat. Përkrahja për juve po i ngjan përkrahjes në kohën e Rugovës”, ka thënë njëri nga qytetarët e Kmetovcit.
Gjatë bashkëbisedimit, ata iu ankuan kandidatit të LDK-së për mungesë të infrastrukturës me të gjitha elementet përcjellëse si dhe për nevojën e ndërtimit të një salle sportive për shkollën e fshatit.
Haziri është shprehur se e di gjendjen e rëndë infrastrukturore të fshatit, duke shtuar se pas datës 3 nëntor do të vazhdojnë t’i kryejnë të gjitha punët që kanë mbetur në vitin 2007. Në këtë rast, Haziri ka folur edhe për diskriminimin e Gjilanit në të gjitha aspektet.
“Ky pushtet me bazë ruse i ka dalluar, i ka diskriminuar fshatrat dhe vendbanimet. Ky pushtet i ka lënë njerëzit në vada. A ju duket normale kjo? Sigurisht që jo. Kjo nuk do të ndodhë kurrë në qeverisjen e pastër të Lidhjes Demokratike të Kosovës..Ne do t’i kryejmë të gjitha punët përnjëherë, e jo siç ka ndodhur me ata që e kanë nisur një kanalizim, kanë shkuar në një vendbanim tjetër për të bërë filma me ndonjë dritë. Jo, jo, ne do t’i kryejmë rrugën, kanalizimin, ujësjellësin dhe ndriçimin publik”, ka thënë Haziri për të folur më pas për programin brilant të LDK-së për bujqësinë.
“Në vitin e parë ne do t’ua japim farë, plehun, naftën dhe grurin dhe do ta mbulojmë korrjen për ata që e punojnë tokën. Në vitin e dytë, prioritet do të jetë pemtaria, perimtaria e bletaria, ku qytetarët do t’i kenë të garantuara se do t’i shesin pa problem të gjitha produktet e tyre në operatorët adekuat”, ka thënë kreu i LDK-së në Gjilan dhe njëherësh kandidat i kësaj partie për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri.
Haziri ka vizituar poashtu edhe fshatrat: Shillovë dhe Verbicë e Kmetovcit, ku edhe atje ka marrë përkrahje maksimale për të dalë fitues që në raundin e parë thuhet në njoftimin e degës së LDK-së në Gjilan./rajonipress/