Fundamenti

Qytetarët e presin me entuziazëm arrestimin e të dyshuarve për krime lufte, kërkojnë arrestime edhe për krimet tjera në Anamoravë

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Arrestimi i serbëve të dyshuar për krime lufte në rajonin e Anamoravës ka ngjallur shpresë dhe gëzim tek familjet e dëmtuara dhe tek të gjithë ata që në forma të ndryshme janë prekur gjatë kohës së luftës. Ndërkaq hetues e prokuror kërkojnë bashkëpunim dhe ofrim të dëshmive nga vet palët e dëmtuara.

Arrestimi i pesë serbëve të dyshuar për krime lufte është pritur me gëzim nga qytetarët e Anamoravës, të cilët më në fund mund të shpresojnë se hetuesit kosovar e kanë zënë trenin e fundit, për të arrestuar ose sjellur para drejtësisë, të gjithë ata serb të dyshuar, që i kanë duart të lara me gjakun e shqiptarëve.

Murati qytetar gjilanas mendon se Prokuroria e Gjilanit dhe ajo e Kosovës janë vonuar tepër shumë në këtë drejtim.
“Po prapë më mirë vonë se kurrë sepse po e shihni çka po na bënë tani Serbia, çfarë lojëra të ndyta po luajnë ata me ne. Po të kishin serbët këso fakte e dëshmi, 100 herë kishim përfunduar në Gjyqin e Hagës sepse ata nuk falin dhe nuk harrojnë. Apel prokurorisë që të merret me secilin rast dhe krim sepse ndryshe historia do t`i mallkojë tërë jetën” shprehet Murati.

Shabani qytetar nga Vitia thotë se krime ka pasur edhe në Viti dhe dihen krejt emrat e serbëve te dyshuar, por disa janë kapur e shumica prej tyre janë në liri.

Mobi Casa

“Është e pafalshme që me gjithë ato fakte të heshtim ose të mos veprojmë, e kuptoj që edhe qytetarët po hezitojnë, por e kanë gabim sepse hetuesve ju duhen dëshmi e prova të freskëta” tha ai.

Ilmiu qytetar nga Kamenica thotë se lajmi për arrestimin e serbëve për krime lufte ishte shumë i mirëpritur.

“Besoj se tani veç ka filluar një betejë e hapur sepse Prokurorisë i duhen prova e dëshmi dhe të gjithë ata që e ndiejnë vetën të dëmtuar ose që kanë informacione për krimet e ndodhura në Anamoravë, duhet të ofrojnë faktet dhe provat sepse vetëm kështu e kryejmë obligimin tonë si qytetar” tha Ilmiu./rajonipress/