Eko Higjiena

Qytetarët e Kosovës dhe Unioni Evropian e kërkojnë të njëjtën gjë

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Ardian Gjini – Integrimi i Kosovës në Unionin Evropian është vullnet i përbashkët i qytetarëve të Kosovës, i gjithë spektrit politik, i shoqërisë civile dhe pothuajse i secilit qytetarë të Kosovës. Por rruga drejt realizimit të këtij synimi na është ngatërruar disi.

Dështimet në kryerjen e detyrave të shtëpisë nga ana e qeverisë së Kosovës dhe shkarkimi i fajit për mosavancim në “komplikimet” që i ka Unioni për shkak të pesë vendeve që nuk na kanë njohur, ka shkaktuar konfuzion dhe humbje të fokusit te një pjesë e madhe e shoqërisë kosovare. Por nëse marrim pak kohë dhe shikojmë se çka kërkon Evropa nga ne në njërën anë dhe çka kërkon qytetari i rëndomtë i Kosovës në anën tjetër, ngjashmëria dhe përputhja e këtyre kërkesave do të na bindë se në fakt nuk ka anë fare. Do të shohim se kërkesat e Unionit janë të njëjta me kërkesat e qytetarëve.

Qytetari i Kosovës sot ka nevojë për vende pune dhe për zhvillim ekonomik, në mënyrë që secili individ të mund të jetojë më mirë dhe të jetë i sigurt për të ardhmen e vet dhe të fëmijëve të vet.

Qytetari i Kosovës kërkon sistem kualitativ dhe të drejtë të arsimit, që nga ai fillor deri te ai universitar, në mënyrë që njerëzit tanë dhe e gjithë shoqëria të jenë të gatshëm për punë dhe profesione më të sofistikuara, që të mund t’i përgjigjen synimit për zhvillim ekonomik. Që të mund të konkurrojnë për vende pune ët respektueshme.

Qytetari kërkon politika sociale të drejta dhe të balancuara, në mënyrë që mirëqenien ta gjejë në vendin e vet, e të mos e kërkojë atë në vendet tjera.
Kërkon sistem efikas dhe të besueshëm të drejtësisë, gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm dhe të guximshëm. Kërkon nga sistemi i drejtësisë që t’i mbrojë nga çfarëdo ndërhyrje apo abuzimi, prej kujtdo qoftë.

Qytetari kërkon shërbime shëndetësore kualitative dhe jopreferenciale. Kërkon që të paktën në institucionet publike shëndetësore të trajtohen të gjithë njëjtë. Që të mos kenë nevojë të shpenzojnë mjete tejet të mëdha financiare për shërim jashtë vendit.

Qytetari kërkon zgjedhje të lira dhe demokratike. Kërkon nga të zgjedhurit që të jenë të ndershëm në menaxhimin e të mirave të përbashkëta dhe që ta respektojnë votuesin e vet. Jo me deklarata, me buzëqeshje e me shtirje të kota parazgjedhore, por thelbësisht, duke punuar për interesa të tyre.

FIDANISHTJA

Qytetari kërkon të jetojë në një vend pa korrupsion e pa krim të organizuar. Kërkon t’i dërgojë fëmijët në shkolla pa droga. Kërkon të punësohet për shkak të meritës dhe dijes e jo përmes rrugëve nepotiste.

Qytetari i Kosovës kërkon rend dhe ligj të vërtetë, sepse vetëm ashtu mund të ndihet i mbrojtur nga abuzuesit e shumtë. Qytetari i Kosovës kërkon shtet të drejtë që e mbron nga krimi.

Nëse shikojmë se çka kërkon Unioni Evropian nga qeveria jonë,… do të shohim se janë të njëjtat gjëra. Ndoshta për arsye tjera, por esencialisht të njëjtat gjëra. Demokraci, sundim të ligjit, ekonomi të qëndrueshme, shkolla të mira, paqe.

Në një rast, në Kuvendin e Kosovës, një zyrtari të lartë të qeverisë së Kosovës ia pata përmendur Santiagon e Coelhos. Santiago e kishte përshkuar gati gjysmën e globit për ta gjetur thesarin e ëndrrës së tij. Dhe në vendin ku duhej të ishte thesari e takoi një orakull i cili i tha: thesarin e ke në katundin tënd. Shko e gërmo atje. Dhe atje e kishte gjetur thesarin Santiago. Zyrtarët tanë që kërkojnë integrim në Bruksel po e marrin të njëjtin mesazh. Por po duket se nuk po kuptojnë.

Të gjitha punët e nevojshme drejt integrimit duhet të kryhen në Prishtinë dhe mund të kryhen në Prishtinë. Por nuk do të kryhen kurrë nga njerëzit që nuk marrin vesh bash hiq!

(Autori është kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)