Fundamenti

Qytetarët e Kosovës dhe korporatat i mbajnë 5.6 miliardë euro në banka

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Vlera e stokut të depozitave në fund të dhjetorit 2022 arriti në 5.6 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore të përshpejtuar prej 13.3 përqind, thuhet në raportin e vlerësimit të ekonomisë të publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

“Depozitat e dy segmenteve dominuese në strukturën e gjithsej depozitave – ekonomive familjare dhe korporatave jo financiare – shënuan ngadalësim të rritjes, por rritja e lartë në depozitat e korporatave financiare, korporatave publike si dhe depozitave nga jo rezidentët, përcaktuan trendin e përshpejtuar rritës të gjithsej depozitave. Depozitat e ekonomive familjare shënuan ngadalësim të rritjes vjetore në 8.3 përqind nga 14.6 përqind në vitin paraprak, zhvillim ky që mund të jetë ndikuar nga shpenzimet më të larta të ekonomive familjare gjatë këtij viti si rezultat i rritjes së çmimeve, përderisa të ardhurat/pagat mbetën në nivel e njëjtë ose u rritën në shkallë shumë më të ulët”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave të raportit, në dhjetor 2022, vlera e depozitave të ekonomive familjare arriti në 3.65 miliardë euro, dhe kontributi në rritjen e gjithsej depozitave mbeti më i larti nga kjo kategori.

“Sa i përket nivelit të depozitave të reja të arkëtuara nga ekonomitë familjare, ku përfshihen vetëm depozitat e afatizuara, ato gjatë itit 2022 arritën në vlerën prej 421.4 milionë euro, e që paraqet një rritje vjetore prej 10.4 përqind, përderisa vitin paraprak kishte rënie vjetore prej 24.0 përqind. Kjo rritje i atribuohet kryesisht rritjes së normave të interesit në depozita për këtë kategori, të cilat u rritën nga bankat në përpjekje për të mbajtur depozitat/financimin për mbështetjen e shkallës së lartë të kreditimit në vend, në rrethana të rritjes së kostos së financimit nga jashtë”, thuhet në raport.

Stoku i depozitave, sipas raportit i korporatave jo financiare në fund të vitit 2022 arriti në 1.2 miliardë euro, që paraqet rritje vjetore prej 19.0 përqind – lehtësisht më të ulët se në vitin 2021 ku rritja ishte 19.3 përqind. Ndërsa, depozitat e reja të arkëtuara gjatë vitit nga ky segment u rritën në 356.2 milionë euro nga 106.2 milionë në vitin 2021.

Mobi Casa

“Ky zhvillim vlerësohet se është ndikuar nga rritja e normave të interesit, aktiviteti i shtuar ekonomik si dhe rrija e pasigurive rreth perspektivës ekonomike, që mund të ketë dekurajuar investimet”, thuhet në raport.

Në tregun bankar normat e interesit në depozitat e reja janë ndikuar në nivel më të lartë se normat e interesit në kredi të reja.

Në dhjetor 2022, shkalla e interesit në kredi arriti në 6.3 përqind nga 5.8 përqind një vit më parë, dhe 6.0 përqind sa ishte në qershor 2022, atëherë kur inflacioni u intensifikua dhe diskutimet mbi ndërhyrjen e politikës monetare filluan. Po ashtu shkalla mesatare e interesit në depozita u ngrit në 2.4 përqind nga 1.3 përqind një vit më parë dhe 1.9 përqind në shtator 2022, atëherë kur shqetësimet mbi ruajtjen e depozitave dhe rrjedhimisht rrezikun e likuiditetit u theksuan tutje.

“Margjina e interesit kredi-depozitë u ngushtua në 3.9 pikë përqindje nga 4.5 pikë përqindje. Dinamika e normave të interesit e ndikuar nga zhvillimet në nivel global, si dhe rritja e rrezikut të likuiditetit dhe pasigurive mbi zhvillimet në të ardhmen si pasojë e rritjes së presioneve inflacioniste, përveç që kanë shtyer bankat ne vend drejtë rritjes së normave të interesit ne kredi e depozita, në të njëjtën kohë kanë ndikuar edhe në ndryshimin e strukturës së kredive sipas llojit të normave të interesit. Përderisa në vitin e kaluar dhe në vitin 2020, kreditë me shkalla variabile të interesit, që kryesisht përcaktohen nga lëvizjet e normës Euribor për marzhën shtesë, përbënin mesatarisht 19.6 përqind të portfolios kreditore dhe 16.5 përqind respektivisht, kjo përbërje këtë vit është ngritur në 24.1 përqind”, thuhet në raport.

Po ashtu, disa banka që kanë aplikuar vetëm shkalla fikse, këtë vit filluan aplikimin e normave variabile./IndeksOnline/