Qytetarët e Artanës përcaktojnë prioritetet e investimeve

Gjilan – Komisioni komunal për buxhet dhe financa i Komunës së Artanës (Novobërdës) ka mbajtur dëgjimin publik, për buxhetin e viteve 2015-2017. Qytetarët kanë kërkuar investime në infrastrukturë, ujësjellës, ndriçim publik, kanalizime dhe terrene sportive.
Komisioni për buxhet dhe financa i Kuvendit të Komunës së Novobërdës i kryesuar nga kryetari, Svetislav Ivanoviq, ka mbajtur dëgjimin publik buxhetor për vitet 2015-2017, ku me këtë rast kanë diskutuar me qytetarët e fshatit Bostan për prioritetet dhe nevojat që ata kanë, raporton rajonipress.
Zyrtari kryesor financiar, Driton Mustafa qytetarëve të pranishëm ju ka prezantuar plan buxhetin e Komunës së Novobërdës.
Pas prezantimit hyrës të buxhetit, Kryetari Ivanoviq ka lutur qytetarët që të kyçen dhe të japin propozimet për projektet me prioritet që komuna do t`i realizonte nëse do t`i ketë mundësit.
Qytetarët pjesëmarrës ishin unik në konstatime se prioritetet në territorin e Komunës dhe në veçanti në fshatin e tyre janë: ndërtimi i infrastrukturës, ndërtimi dhe menaxhimi i sistemeve të reja të ujësjellësve, ndërtimi i ndriçimit rrugor, ndërtimi dhe mbulimi i sallës në terrenin ekzistues të shkollës fillore ”Miladin Popović”.
Zyrtari për zhvillim ekonomik, Sabedin Vllasaliu tha se momentalisht është duke u punuar në gjetjen e një zgjidhjeje rreth menaxhimit të rrjeteve të ujësjellësve ekzistues dhe është në plan që të gjitha rrugët e regjistruara që janë në gjendje të rënd të rregullohen.
Gjithashtu, Vllasaliu luti të gjithë qytetarët e pranishëm që kërkesat e tyre dhe projektet të dërgohen të shkruara që të ketë më shumë informacione për nevojat e qytetarëve të Komunës së Novobërdës./rajonipress/