Qytetarët ankohen për fryrje të faturave
Mugni Mehmeti, pronar i lokalit “Lunch time”, nga Prishtina, tashmë katër ditë është duke pritur përgjigje nga KEDS-i për shqyrtim të ankesës. Brenda lokalit Mehmeti ka të vendosura dy orë, por ajo që ka shtyrë të bëjë ankesë, qysh në ditën kur edhe ka marrë faturën në dorë, ka qenë shuma marramendëse, siç e konsideron ai.
Ai rrëfen për “Zërin” se brenda lokalit ka të vendosura dy orë. Ajo që është absurde për të është se në pjesën e lokalit, ku është i vendosur një televizor si dhe katër drita, fatura për ketë muaj i ka ardhur hiç më pak se 555 euro, ndërsa në pjesën tjetër ku është krejt aparatura e lokalit borxhi i faturës është 169 euro, ku krahasimi mes dy faturave është qesharake. “Qysh në ditë e parë kur më ka ardhur fatura unë jam nisur drejt KEDS-it që të bëjë ankesë, pasi që për mua është shumë e tepërt si dhe marramendëse borxhi që më ka ardhur këtë muaj. Unë kam lokalin me qira dhe brenda lokalit janë të vendosura dy orë.
Ajo që është për t’u habitur është fakti se në pjesën, ku është e vendosur krejt aparatura e lokalit, fatura më ka ardhur 169 euro që është normale, pasi që tash janë edhe tarifat dimërore, por ajo që është shumë e tepër për mua është që në pjesën tjetër të lokalit fatura më ka ardhur 555 euro, ku është i vendosur një televizor si dhe katër drita. Nuk po them se nuk e kam shpenzuar rrymën në ketë pjesë, por me katër drita si dhe një televizor është marramendëse” ka rrëfyer ai. Mehmeti thotë se për ketë rast ka bërë tri ankesa në KEDS.
“Kam bërë ankesën qysh atë ditë kur edhe më ka ardhur fatura dhe i kam bërë tri ankesa, me shkrim, me gojë dhe një në mënyrë elektronike dhe tash jemi duke i pritur përgjigjet, madje çdo ditë po e përcjell edhe e-malin se mos po më vjen ndonjë njoftim, por që katër ditë nuk ka asgjë konkrete. Edhe më herët unë kam bërë ankesa në KEDS, pikërisht në këtë orë pasi që dy muaj nuk më ka ardhur fatura për muajin shtator dhe për muajin tetor. Tash kur i kam kërkuar të dhënat ka dalë se faturat për këta dy muajt për ketë pjesë është 72 euro, që mendoj se është paushall, pasi që askush nuk ka qenë për ta lexuar orën” ka thënë ai.
Nëse nuk shqyrtohet ankesa Mehmeti thotë se do të formojë një komision për verifikimin, pasi që, sipas tij, nëse vazhdohet kështu do të vije deri në falimentimin e biznesit. E në anën tjetër Guri Shkodra, zëdhënës në KEDS, ka thënë se deri më tani 80 për qind e ankesave janë duke u shqyrtuar për muajin nëntor. “Deri më tani u jemi përgjigjur rreth 80% të ankesave të pranuara këtë muaj dhe kjo edhe njëherë është bërë falë përkushtimit maksimal të gjithë punëtorëve në KEDS për të qenë pranë konsumatorëve. Luteni të keni parasysh se KEDS-i faturon të gjithë konsumatorët në bazë të konsumit mujor dhe aplikon tarifat e përcaktuara të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë” ka thënë ai. Sipas tij, ankesat e qytetarëve shqyrtohen në afat prej pesë ditësh, në përjashtim të rasteve që kanë të bëjnë me zgjidhje teknike të kyçjeve apo riparimit të rrjetit elektrik.


