Eko Higjiena

Qytetarë e pushtetarë vendosin bashkë për projektet investuese

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Në shtëpinë e Kulturës në Ropotovë të madhe është mbajtur dëgjimi publikë rreth buxhetit të kësaj komune derisa drejtori i Financave të Komunës së Ranillugut Xhavit Krasniqi ka prezantuar buxhetin e miratuar për vitin 2013-të.

Komuna e Ranillugut në bashkëpunim me projektin USAID/DEMI ka organizuar Dëgjimin Publikë të tretë me radhë dedikuar buxhetit të komunës së Ranillugut. Prezantimin e buxhetit të miratuar për vitin 2013-të e ka bërë drejtori i financave Xhavit Krasniqi, i cili përmes video-slajdeve ka prezantuar planet dhe mënyrën se si do të shfrytëzohet buxheti i miratuar.

Në dëgjimin publikë kanë marrë pjesë kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Ranillugut Vladica Aritonoviq i cili njëherësh ka hapur dhe udhëhequr me këtë dëgjim publikë, kryetari i komunës Gradimir Mikiq, zëvendës kryetari për bashkësi Lulzim Canaj, delegatja e Kuvendit të Kosovës Vesna Mikiq, përfaqësuesi i projektit të USAID/DEMI-it Naser Ashimi dhe Hanife Limani, drejtorët e drejtorive të komunës së Ranillugut, përfaqësuesit e medieve qendrore dhe qytetarëve.

Qëllimi i këtij dëgjimi ka qenë informimi i qytetarëve, si dhe në çfarë mënyre është ndarë buxheti i komunës së Ranillugut, për vitin 2013-të tha Krasniqi. Sipas tij mjetet e dedikuara për investime kapitale, do të shfrytëzohen për implementimin e projekteve të propozuara nga qytetarët në dëgjimet publike, në të cilat është biseduar mbi planifikimin e buxhetit të komunës së Ranillugut.

Mobi Casa

Projektet që i kanë propozuar qytetarët që duhet të implementohen për vitin 2013-të janë: asfaltimi i rrugës Ropotovë e Vogël-Odevcë, asfaltimi i rrugëve lokale, mirëmbajtja e rrugëve lokale, renovimi i ambulancës në Ranillug, sanimi i objektit ndihmës të shkollës fillore „Velko Dugosheviq“ në Ranillug.

“Kjo është dëshmia që komuna së bashku me qytetarët, mundet të vendos se si po ndahet buxheti dhe në çfarë mënyre” ka thënë Mikiq, i cili ka shtuar se komuna nuk do të mbetet vetëm me këtë, por edhe më tutje do të punojë së bashku me qytetarët dhe në interes të qytetarëve të saj, duke ju ndihmuar me buxhetin e saj dhe përmes të donacioneve të ndryshme.

Mikiq ka thënë se nuk do të mund t`i realizonin këto projekte pa përkrahjen e plotë të projektit të USAID/DEMI në implementimin e disa projekteve siç janë: ndriçimi publikë nëpër fshatra, tregu në Ranillug, fushat e tenisit në Glogoc, fusha e mbyllur e tenisit në Ropotovë (implementimi do të filloj së shpejti), rruga Ropotovë e M.-Rajanoc./rajonipress/