Quint-i njoftohet për masat e parandalimit të ekstremizmit dhe radikalizmit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe, Ian Cliff; ambasadoren e Republikës së Francës, Maryse Daviet; zëvendësambasadorin e Republikës së Gjermanisë, Matthias Kiesler; dhe zëvendësshefin e Misionit në Ambasadën e Republikës së Italisë, Salvatore Marino, të cilët i njoftoi për aktivitetet e institucioneve të Kosovës në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit dhe radikalizmit.
Jahjaga theksoi se çështja e ekstremizmit dhe terrorizmit po trajtohet me përparësi të veçantë dhe tha se së bashku me mekanizmat e sigurisë ka bashkërenduar veprimet institucionale për t’u përballur me këto kërcënime.
Ajo theksoi se Kosova asnjëherë nuk do të bëhet një eksportuese e ekstremizmit dhe terrorizmit, si dhe se nuk do të shndërrohet në një bazë për elemente të këtilla.
Në një njoftim të Presidencës, thuhet se Jahjaga ka thënë se Kosova do të punojë ngushtë me shtetet mike për të çrrënjosur këtë kërcënim jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin dhe më gjerë.
Ambasadorët e shteteve të Quintit vlerësuan lart angazhimin e Presidentes Jahjaga dhe të institucioneve përgjegjëse të sigurisë, duke theksuar mbështetjen e qeverive të tyre në parandalimin dhe luftimin e kërcënimit nga ekstremizmi.
Jahjaga gjatë ditës së sotme ka pritur në takime të veçanta edhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni; drejtorin e AKI-t, Bashkim Smakaj; si dhe ushtruesin e detyrës së kryeporkurorit të shtetit, Sylë Hoxha. Ajo vlerësoi lart punën e secilit institucion në garantimin dhe ruajtjen e sigurisë kombëtare. /Telegrafi/