Mobi Casa

Qosja i vogël!

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Nga Muharrem Nitaj – Lufta ndërmjet dy kampeve politike në Shqipëri, është shndërruar në një si model për gjithë hapësirën shqiptare. Sipas këtij modeli është zhvilluar lufta politike edhe në Maqedoni, edhe në Mal të Zi, edhe në Luginë, por edhe në Kosovë. I vetmi ndryshim ka qenë se në hapësirat jashtë Shqipërisë, është njohur rezultati i fitores ose i hajnisë elektorale.

Elitat politike e intelektuale të vendeve të Ballkanit, më shumë janë transformuar për këto dhjetë vjetët e fundit, sasa për krejt shekullin e kaluar. Serbët që kanë qenë të fundit në barrikadat e “partisë e të Kishës”, janë bërë më praktikë se asnjëherë më parë dhe kanë filluar të flasin haptas për gënjeshtrat që i kanë bërë popullit të tyre dhe më në fund po përballen suksesshëm me të tjerët.

Maqedonasit që zanatin e politikës e të shtetit e kanë mësuar në 20 vjetët e fundit, kanë dalë bajraktarë përballë “elitave mistrece” politike e intelektuale të shqiptarëve të atjeshëm. Edhe në Mal të Zi, ose në Luginë, intelektualizmi shqiptar është pothuaj inekzistent, sepse në gjitha rastet është kopjuar modeli i mbrapshtë i Tiranës.

Modeli shqiptar i luftës politike e mediale, ëshët kopjuar “motamo”, dhe për më tepër është shndërruar në kurth për shumë nga politikanët e intelektualët e Kosovës, por edhe për disa nga mediumet. Tashmë disa nga politikanët dhe intelektualët e Kosovës, janë pozicionuar haptas ndaj njërit krah politik në Shqipëri, madje duke u bërë edhe pjesë e luftës “propagandistike” për hesapin e njërit ose tjetrit.

Sali Berisha, me kohë i ka krijuar pinjollët e tij në Prishtinë, ndërkohë që edhe Edi Rama, tashmë i ka gjetur benjaminët e tij, që e kanë marrë një mision pothuaj të pamundur për ta rehabiltuar figurën kontraverse të tij në kryeqytetin e dytë shqiptar.

KKVITI

Profesori nga Kosova, padyshim emri më i famshëm sot për sot në fushën e letërsisë por edhe të mendimit politik, Raxhep Qosja është shndërruar në “militant politik” të vendit fqinj. Paraqitjet e tij publike në dhjetë ditët e fundit, kanë qenë më shumë sesa një qasje intelektuale e një njeriu me mendje të kthjellët. Ai me urrejtjen e tij “patologjike” ndaj Saliut, ose me “admirimin” e paarsyeshëm ndaj Edi Ramës, ka arritur t’i habisë edhe gazetarët “socialistë, të cilët nuk kanë pasur “qare as derma” pa e pyetur profesorin “e madh”: “ prej nga ju gjithë këtë besim se socialistët do të jenë shpëtimtarët e Shqipërisë”?

Akademik Rexhep Qosja, i cili ka folur gjatë për zhvillimet politike në Shqipëri, nuk ka mbetur në pozicionet e një intelektuali që flet vetëm për dëmet që mund t’ia ketë shkaktuar vendit Sali Berisha, por e ka marrë edhe rolin e “orakullit”, për ta bindur popullin elektoral, se Shqipërinë mund ta shpëtojë vetëm Edi Rama. Ai, i cili sa herë flet për politikë, flet gjatë për Shqipërinë dhe fare pak për zhvillimet në vendin e tij, këtë herë ka guxuar të thotë “se i vjen turp t’u flasë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, sepse ata po i marrkan nga 250 euro për një seancë parlamentare. Kjo nuk është e saktë profesor Qosja, dhe juve nuk iu falet të shërbeheni me të pavërteta ose me gjysmë të vërteta!

Nuk është fare kontestuese që një intelektual nga Kosova të flasë për zhvillimet politike në Shqipëri, por kur analiza degjeneron në militantizëm politik, kjo është e pafalshme. E pranoj se vendimi më i arsyeshëm i kryeministrit aktual shqiptar Sali Berisha, do të mund ishte që ai pas 20 vjetësh më në fund të thoshte se po tërhiqej nga politika. Por, kur thuhet se shpëtimi i Shqipërisë është në duart e një politikani tjetër, kjo më duket e “pistë” dhe nuk e vlerësoj pavarësisht se nga kush thuhet.

Akademik Qosja edhe këtë herë foli dhe foli keq, dhe foli çapraz, dhe tha çka nuk do të duhej të thoshte, dhe askush nuk u kujtua t’i thoshte, “e ke huq o profesor i nderuar”! Nuk është se më vjen turp ta takoj profesor Qosjen, por më vjen zor t’i them se me fushatën që po bën në prag të zgjedhjeve në Shqipëri “je bërë shumë i vogël”! Po ku janë shokët e brezit të tij, apo ndoshta edhe ata e kanë zor t’i thonë!!!