Fidanishtja

Qosja fajëson lidershipin kosovar për mos liberalizimin e vizave

/ 2 minuta lexim

Akademiku Rexhep Qosja ka refuzuar të fajësojë Bashkimin Evropian për mos liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë dhe për dështimin e dialogut me Serbinë.

Qosja thotë se fajtorë pse deri tani nuk na janë liberalizuar vizat nuk është Bashkimi Evropian, por vetë ne dhe të parët tonë në Kryesi të Kosovës, në Qeveri të Kosovës, në Kuvend të Kosovës.

Në një shkrim të tijin, akademiku thotë se ka shumë arsye pse BE refuzon të heqë vizat duke i renditur korrupsionin, nepotizmin, krimin e organizuar , gjyqësorin e kapur etj.

Përkundër kësaj, Qosja shprehet optimist se vizat do të liberalizohen, por paralajmëron politikanët e korruptuar se do të vijë dita kur do të japin llogari para popullit, që sipas tij, tashmë e ka kuptuar se ata janë pasuruar në kurriz të tyre.

Lexoni të plotë shkrimin e akademik Qosjes:

LËMSHI I LIBERALIZIMIT TË VIZAVE

Gjatë, shumë gjatë është tjerrë dhe po tirret lëmshi i liberalizimit të vizave.

Nuk do të tirret më aq gjatë.

UBT

Është gjetur “fajtori”.

Fajtor është Bashkimi Evropian.

E fajtorin e kanë gjetur tjerrësit e lëmshit të liberalizimit të Vizave: Kryesia e Kosovës, Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës me një pjesë të deputetëve të tij.

Këta po thonë gjithnjë e më zëshëm se Bashkimi Evropian na ka veçuar (izoluar) dhe nuk po na trajton të barabartë me të tjerët në Ballkan e në Evropë.

Le të thuhet përsëri.

Evropa, me fuqitë e saj të mëdha, ishin fajtore e madhe ndaj shqiptarëve: në Kongresin e Berlinit, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1912-1913, në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, në Konferencën e Parisit në vitin 1946 dhe mandej gjithnjë deri në vitin 1998.

Në këtë vit, në vitin 1998, Evropa e ndërroi mendjen ndaj nesh: dhe e ndërroi më pak nën ndikimin e brejtjes së ndërgjegjes për padrejtësitë që u kishte bërë shqiptarëve, e më shumë nën ndikimin e SHBA-së.

Bashkimi Evropian me shtetet e tij kryesore e përkrahu Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.