QKMF ka nisur kontrollat sistematike nëpër shkolla, punohet në mbrojtje të shëndetit të fëmijëve
Gjilan – Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Gjilan në koordinim edhe me Drejtorinë Komunale të Arsimit ka nisur sot realizimin e kontrollave sistematike të nxënësve për të gjitha shkollat fillore të Komunës së Gjilanit.
Me këtë rast drejtori i QKMF-së, Fejzulla Berisha, ka thënë se Shëndetësia Primare në Gjilan është e angazhuar së bashku edhe me gjithë stafin e saj që përmes këtyre kontrollave nëpër shkolla të ketë pasqyrën reale të shëndetit të nxënësve të Gjilanit, intervenimin me kohë dhe vlerësimin e gjendjes shëndetësore në të cilën janë ata nëpër shkollat tona.
“Falë angazhimit të menaxhmentit dhe gjithë stafit mjekësor, por në koordinim edhe me Drejtorinë e Arsimit, ne sot kemi nisur projektin e kontrollave sistematike në shkollën fillore “Thimi Mitko”, për të vazhduar më pas edhe me të gjitha shkollat e tjera të Gjilanit, duke përfshirë këtu edhe shkollat në të gjitha fshatrat. Nxënësit të cilët do të kontrollohen janë ata në klasat e para, të pesta dhe nënta. Kontrolla sistematike parasheh tre formularë, ku njëri është për prindin ku paraprakisht merret leja për ekzaminimin e fëmijës së tij,, pastaj formulari tjetër është me parametrat e paraparë për ekzaminim dhe vlerësim të gjendjes së përgjithshme shëndetësore, si dhe formulari tjetër me të cilin bëhet vlerësimi i higjienës orale (dhëmbët e qumështit si dhe dhëmbët e përhershëm) nga ana e Stomatologut të fëmijëve”, ka thënë ndër të tjerash drejtori Berisha.
Ai ka informuar se kjo është pasqyrë reale e nivelit shëndetësor, duke bërë që ekipet e mjekëve të vizitojnë shkollat, në mënyrë që të bëhet vlerësimi i gjendjes shëndetësore të nxënësve, duke pretenduar vazhdimin e kësaj praktike edhe në vitet në vijim, sepse sipas tij vetëm kështu do të jemi kujdestarë të shëndetit të fëmijëve të Gjilanit./rajonipress/


