Qitni paret

Qeverisë së Kosovës shumë shpejt mund t’i bllokohet llogaria kryesore e buxhetit. Kështu të gjitha transaksionet buxhetore, qoftë pagesa për projekte, paga e punë të tjera të shtetit, të rrezikojnë të mos kryhen.
Krejt kjo për shkak se ekzekutivi nuk po e përfill vendimin e Gjykatës Kushtetuese për t’i paguar mbi 30 milionë euro kompensime të punëtorëve të Fabrikës së Tubave “IMK” në Ferizaj, raporton Gazeta Express.
Për t’i shpëtuar kësaj telashe kanë afat 15 që nga arka e shtetit të derdhen në llogari të punëtorëve mjetet e premtuara. Këta të fundit kanë marrë iniciativë që përmes Prokurorit të Shtetit dhe Avokatit të Popullit të kërkojnë ekzekutimin e vendimit të dhjetorit 2010 të GJK’së, që në formë të prerë dhe detyruese ua njeh të drejtën e kompensimit për 572 punëtorë të fabrikës së tubave.
Tash janë bërë dy vjet kur gjykata më e lartë në vend e ka urdhëruar ekzekutivin dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit ta kryejnë këtë pagesë, por asnjëra nuk i janë përgjigjur këtij urdhri.
Të enjten e bëri publik shkeljen që po e bëjnë këto institucione ndaj kushtetueses, shkruan Express.
“Prandaj, duke u përmbajtur për gati dy vjet nga marrja e masave të nevojshme për t’iu përmbajtur aktgjykimit final të detyrueshëm të Gjykatës Kushtetuese, në rastin konkret ka pasur kështu shkelje nga autoriteti zbatues sa i përket obligimit të tyre kushtetues për të zbatuar Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, si dhe ka pasur shkelje të të drejtave të parashtruesve”, thuhet në konstatimin e gjykatës të nxjerrë të enjten.
Në tetor të vitit të kaluar Gjykata Kushtetuese me një shkresë të veçantë i është drejtuar kryeministrit Hashim Thaçi dhe AKP-së, që ky aktgjykim të përmbarohet më së voni më 17 dhjetor 2011.
Por krerët e ekzekutivit nuk kanë marrë as mundin që ti përgjigjen shkresës, derisa zyrtarët e AKP-së janë arsyetuar se çështja e kompensimit të punëtorëve varet nga procesi i likuidimit.
Në atë kohë ende nuk ishte themeluar autoriteti që merret me likuidimin e ndërmarrjeve shoqërore.
“Në momentin e themelimit të këtij autoriteti, puna do të fillojë në shqyrtimin e kërkesave të kreditorëve të NSH IMK Ferizaj”, thuhet në arsyetimin e AKP-së.
Por në këtë Agjenci shpjegojnë se çfarëdo kompensimi në shumën e kërkuar të punëtorëve të aprovuar nga gjykata është i kundërligjshëm, pasi ndërmarrja është shitur më lirë se që janë pretendimet për kompensim.
Në njëfarë forme ata tregojnë se përgjegjësia i bie Qeverisë e cila mund ti bëjë pagesat nga paratë e mbledhura të privatizimt, pasi të përfundoi në tersi procesi i likuidimit në Kosovë.
Megjithatë, udhëheqësit e sindikatës së punëtorëve të Fabrikës së Tubave, nuk e kanë ndërmend të presin më gjatë.
Ali Azemi, kryetar i kësaj sindikate thotë se maksimumi i afatit ligjor është edhe 15 ditë, pastaj priten veprime tjera.
“Ne do të kërkojmë nga prokurori i shtetit dhe avokati i popullit që të kërkoj aplikimin e masës për ekzekutim të pagesës nga ana e Qeverisë, duke janë bllokuar llogaritë e buxhetit”, thotë Azemi.
Sipas tij, të gjitha format ligjore tashmë janë shperrur, ndërsa institucionet janë duke bërë shkelje të kushtetutës, njëherësh vepër penale.
Ai tregon se lënda për këtë çështje është dërguar edhe në Gjykatën e Strasburgut, e cila pritet shumë shpejtë të jap përgjigje.
Por pavarësisht zhvillimeve rreth kësaj, ai bënë me dije se më 17 dhjetor do të protestojnë para qeverisë të gjithë punëtorët e kësaj fabrike, për ti bërë me dije se janë anashkaluar dhe po u shkelen të drejtat e tyre.
Në Ministrinë e Financave, e cila bartë përgjegjësi për kryerjen e pagesave nuk komentojnë rreth këtij rasti. Lidhur me mundësinë e bllokimit të llogarisë së buxhetit, këshilltari për media në këtë ministri, Menderes Ibra thotë se ende nuk kanë marrë ndonjë shkresë të tillë.