Fundamenti

Qeverisje me “shitje kallamoçash” nën semaforët e qendrës!

/ 15 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Avni Rudaku analist e publicist në një intervistë për rajonipress flet për qeverisjen Haziri, për opozitën e dobët, për premtimet e parealizuara të Lutfi Hazirit, për komoditetin e tepruar te qeverisjes aktuale etj.

Rajonipress: Zoti Rudaku, ju kemi parë se keni heshtur për kohë të gjatë, por e dimë që ndjekni zhvillimet dhe jeni gjithmonë aktiv. A mund të na jepni sa për fillim, një vlerësim të përgjithshëm të qeverisjes lokale për këta muaj?

Rudaku: Qeverisje jo aq dinamike, e plogështuar shpejtë, me komoditet të lartë për shkak të mosrrezikimit nga ndonjë opozitë e fortë apo shoqëri civile aktive në kritika. Erdhi me premtime të mëdha që do të ndryshonte komunën, me atë që kryetari aktual i komunës e quante “largim të qeverisjes së keqe aziatike” (me fjalor edhe paksa racist ngase edhe aziatikët janë po ashtu qenie njerëzore të barabarta me secilin kontinent dhe me terminologji joadekuate të pasaktësisë, sepse në Azi është edhe Japonia, Korea Jugore, etj., që ndaçi për demokraci, ndaçi për ekonomi janë thuajse superfuqi në nivel global dhe do të dëshiroja ta shihja Kosovën si aziatike!) dhe po ashtu premtoi se nuk do të përsëriste gabimet që i kishte bërë dikur në qeverisje.

Dukej sikur kryetari ishte ripërtërirë, kishte arritur ‘nirvanën’ dhe qytetarët ia dhanë besimin. Mirëpo, duke fituar me rezultat të jashtëzakonshëm, ka shumë rrezik të bie në komoditet dhe në zvarritje, duke mos qenë as me qeverisje kreative, as të gjallërueshme e as me vizion të ri që do ta bënte komunën të dilte nga ky izolim, ngecje, moszhvillim, vështirësi buxhetore, mungesë të investimeve më të mëdha dhe projekte, etj. Qeverisja e Gjilanit duket qeverisje që filloi me ‘përhajrime dhe pritje mysafirësh’ në zyrën e kryetarit dhe akoma mbetet në atë eufori të fitores. Kudo në botë, pozita kur fiton me rezultat aq të lartë, rrezikon të kalojë në komoditet, aq më shumë kur nuk sfidohet nga asnjë alternativë tashmë serioze.

Tri gabime që mund t’ia numërojmë qeverisjes së Hazirit janë këto: marrja vetëm me formë e jo përmbajtje, duke u krenuar vetëm me sinjalizimin horizontal të rrugëve, duke provuar të krijojë përshtypje se gjendemi sikur në vendet e zhvilluara (pra investimi në ato që krijojnë iluzionin dhe përshtypjen në dukje, ndonëse sinjalizimi është shumë i rëndësishëm dhe nuk e mohojmë); vazhdimi i projekteve të mbetura nga qeverisja e kaluar me ritëm jo dinamik sa duhet, por edhe me kulturë jo të re të mbikëqyrjes.

Shumë projekte që po kryhen nga e kaluara, duke filluar nga kockat e trotuareve, nuk janë shtruar kualitativisht, ndërsa iu ka bërë pranimi teknik e profesional pa rishikim të tyre. Gabimi i dytë lidhet me mosemërimin e drejtorit për kulturë, rini dhe sport, sepse edhe pas kaq shumë muajve, akoma mbetet me ushtrues detyre, ndërsa shpesh e ka përmendur se jo do ta bëj këtë javë, jo javën tjetër. Gabimi i tretë lidhet me marrjen dhe tejshquarjen më shumë si lidershqip i nivelit qendror sesa si kryetar komune, duke u brengosur se çfarë po bëhet me koalicionin, duke dalur të na tregojë më shumë se çka po bëhet me koalicionin, sesa se çka është duke u bërë për komunën e Gjilanit.

Ndërsa si pika të ndritshme, mund të përmendim: përfundimin e disa projekteve, siç janë finalizimi shtresor i disa rrugëve të mbetura me vite, kthimin e syve në fshatin e harruar të Bilinicës dhe përreth, largimin nga objekti i dikurshëm komunal dhe lënia për muze ndonëse pa funksionalizim akoma, sinjalizimi horizontal i rrugëve në disa pjesë, asfaltimi i dy rrugëve që kanë qenë tërësisht në nivel të mjerueshëm në Dardaninë I dhe që janë duke u kryer, heqja e rrethojave në qendër si gjest i mirë, fillimi i projektit për certifikata online, heqja e disa drekave aq të pashtrënguara nga qeverisja e kaluar, etj.

Rajonipress: Sa po përmbushen premtimet e qeverisjes së Hazirit? Cili është mendimi juaj?

Rudaku: Ka bërë shumë premtime kryetari aktual i komunës së Gjilanit. Ka thënë se do ta braktis zyrën e LDK-së dhe do të lë për institucionet kulturore, qoftë edhe për zyret e PDK-së ta bënte një gjë të tillë. Nuk e ka bërë akoma! Ka premtuar se do të ketë dietë buxhetore dhe ndonëse e kam parë me sytë e mi se janë hequr disa dreka ngjarjesh dhe ka bërë mirë, mirëpo, raporti financiar i fundit flet për shpenzime mjaft të mëdha edhe në dreka. Ka përmendur hapjen e korsive në hyrjet e Gjilanit dhe kjo mbetet të shihet. Ka bërë premtime për secilën shtresë shoqërore, për punësim, etj.

Shumë njerëz me të cilët ka punuar kryetari gjatë fushatës kanë marrë premtime të mëdha dhe këta ndjehen të pakënaqur që në fillim, sepse janë bërë premtime pa mbulesë. Ngjashëm ka ndodhur edhe me kryesuesen e Kuvendit Komunal, e cila vjen nga partia e njëjtë me kryetarin, të cilës edhe i mungon përvoja, edhe profesionalizmi, e cila takonte shumë gra gjatë fushatës dhe me premtime se do t’i punësojë, ndërsa kjo do t’i kthehet vetëm me zemërim e zhgënjim, ndonëse ka qenë më e votuara. Nuk bëhen premtime pa mbulesë, ndonëse mund të jetë strategji e përkohshme dhe e mirë për mbledhjen e kokrrave, ajo kthehet në revoltë të njerëzve me të cilët keni punuar.

Kam takuar njerëz që janë angazhuar shumë në fushatë dhe janë shumë të pakënaqur, ndonëse për mua si këta, si ata që kanë marrë pushtetin, kanë qenë gabimisht në raport klientelist, sepse nuk mund të bëhen premtime individuale dhe pa rrugë të duhura. Ka edhe shumë premtime të tjera, të cilat duhet t’i shikojmë gjatë këtij mandati. Më lejoni të them po ashtu, se një dukuri e vërejtur deri më tani ka qenë se nënkryetari i komunës që vinte nga partia në koalicion, AAK-ja, shfaqej më shumë sesa vetë kryetari! Mirëpo, më shumë se sa shfaqje në publik dhe përurime shiritësh, duhet të ketë bashkërendim idesh, projektesh dhe strategjish, të të gjitha partive në koalicionin qeverisës lokal dhe në bashkëkordinim me deputetët e Gjilanit, të bëhet më shumë për komunën dhe ta bëjmë një qytet sa më të dashur, më të zhvilluar, me mundësi që të ardhmen të ketë edhe shesh të vërtetë, të bëhen investimet përreth stadiumit, të bëhen dritat në hyrje të Gjilanit nga Ferizaji, të bëhet më shumë gjelbërim, më shumë pista vrapimi dhe relaksimi për qytetarët, funksionalizimi sa më i shpejtë i kinemasë së qytetit, problemet me subvencionet në paga të aktorëve, ndërtimi i qendrës kulturore, sa më shpejtë të ndërtohet biblioteka e qytetit sepse është hapur Universiteti “Kadri Zeka” dhe ka nevojë shumë më të madhe për shumë studentë; të pyetet Komisioni Evropian për donacionin e dhënë prej 2 milionësh dhe të dihet saktë nga qytetarët pse janë ndërprerë punimet në bibliotekë; po ashtu, kompleksi i shkollave të mesme është në gjendje të mjerueshme, pa drita, pa gjelbërim, pa funksionalizim të pushimoreve për nxënësit, pa heqje të objektit të ish Agjensionit Pyjor, etj; poashtu, duhet të mendohet për transportin urban që do të forconte lidhjet në mes lagjeve të ndryshme të qytetit; të lirohet rruga për në hyrje të pazarit nga bllokimi, shëmtia, pa trotuare të liruara dhe të bëhet zgjidhje e duhur sidomos për shitësit ambulantë të cilët me të vërtetë janë në nevojë sociale (motivi i urisë para estetikës urbane, por mund të bëhet zgjidhje adekuate dhe t’i gjendet hapësira), sepse në udhëkryqin më kompleks të qendrës së qytetit, thuajse nën semaforë, po ‘shiten kallamoçat e pjekur’ etj;

Rajonipress” Cilat janë sfidat e komunës së Gjilanit zoti Rudaku?

Rudaku: Komuna vazhdon të thellojë varfërinë dhe papunësinë, dhe konkurset publike, siç e shihni, mungojnë shumë. Komuna e Gjilanit nuk është në pozitë gjeografike aq të volitshme në aspektin regjional, sepse nuk ka shkëmbime, bashkëpunime dhe iniciativa që do të forconin korridoret me Luginën e Preshevës, apo me pjesët e Kumanovës.

Komuna e Gjilanit nuk ka aktualisht perspektivë të zhvillimit ekonomik dhe duhet vizion i ri i tërheqjes së investitorëve, dhe jo daljes në foto me investitorë. Kur të vjen investitori i huaj apo nga diaspora, duhet që komuna t’i tregojë se ka interesim në këtë fushë dhe në këtë sektor, e jo siç bënte edhe ish kryetari gjilanas, i cili shkonte në Turqi dhe thoshte se ishim për investime, ndërsa ato rezultate nuk i pamë kurrë! Duhet të dallohen vizitat për investitorë nga vizitat për foto, nga vizitat turistike dhe për krijim të bindjes së po sjellim investitorë të huaj.

Pra, nuk duhet të improvizohet zhvillimi dhe investimi në ekonomi, prandaj drejtoria e zhvillimit ekonomik vazhdon të jetë drejtori krejtësisht formale, pa asnjë strategji serioze. Ashtu siç u themelua dhe ashtu mbeti. As tani nuk shohim dinamizim të saj në këtë qeverisje, ndonëse do të duhej të bëhej me futje individësh që e njohin mirë ekonominë dhe i japin fuqi riorganizimit të saj. Po ashtu sfidë tjetër e komunës mbetet moszhvillimi në nivel vendi dhe ka ndërlidhje në mes nivelit republikan dhe lokal. Nuk mund të jetë Kosova e varfër, me papunësi aq të lartë, dhe të presim lulëzimin e komunës së Gjilanit, ndonëse edhe komunat e Kosovës nuk janë krejtësisht të ngjashme në mundësi e zhvillim.

Mobi Casa

Bie fjala, Ferizaji është bërë vend i njohur për tregti, me pozitë të volitshme dhe lidhje me Shkup e Prishtinë, me shumë punonjës në Irak e Afganistan, etj., ndryshe nga Gjilani që prêt më shumë remitanca nga Zvicra e Gjermania, ka pasur më shumë investime në sektorin e ndërtimtarisë, etj. Një fabrikë e privatizuar së fundi në Gjilan, kishte larguar rreth 70 punëtorë vetëm këto ditë për shkak se është ulur prodhimi dhe kjo do të ketë efekte në 70 familje, ndonëse edhe ato paga të tyre kanë qenë minimale! Pra, vetëm po humbet shpresa dhe nuk ka ndonjë mjedis që duket se do të shtojë prodhimin e punësimin!

Po ashtu, pa u bërë Qeveria në Qendër dhe pa bërë deputetët e Gjilanit pa dallim partie politike, presion për buxhet më të lartë për Gjilanin, nuk ka shpresë. Anashkalimi nga Qeveria Thaçi I dhe II, do të ketë pasoja afatgjata për komunën, e aq më shumë nëse nuk avokojnë interesat e kësaj ane, deputetët gjilanas. Po ashtu, shoqëria civile dhe mediet lokale duhet të bëhen sa më shumë partnerë në zhvillimin e qytetit!

Rajonipress: Si e vlerësoni opozitën lokale?

Rudaku: Humbja e fuqishme elektorale në Gjilan nga fituesi i parë dhe problemet e brendshme të partive opozitare, rivalitetet e strukturave të brendshme se kush do të jenë bartësit e këtyre partive, kanë efektet edhe në performancën e tyre. Për shkak të strategjisë inteligjente të kryetarit që në koalicion të ketë sa më shumë parti politike dhe nisma, ka arritur t’i neutralizojë me poste, shumicën e partive opozitare në komunë. Ka mbetur thuajse vetëm zëri i PDK-së dhe VV-së si opozitë lokale. Deri më tash, opozitë më aktive mbetet PDK-ja në Gjilan sesa VV-ja, me përjashtim të asambleistit të saj Sylejmani, i cili është më aktiv dhe paraqet me vend disa nga kritikat ndaj pushtetit aktual.

Thënë përfundimisht, pozita aq është komode, sakaq nuk ka alternativë opozitare që mund ta sfidojë tani për tani. Nuk mbahet në mend që LDK-ja të jetë aq komode sesa aktualisht në Gjilan, sepse PDK-ja ballafaqohet me problemet e brendshme pas rezultatit jo të duhur elektoral (vështirësitë e gjetjes së lidershipit të ri, frymës së re, vizionit të ri, programit të ri, strategjisë së re), e që me këtë po ashtu pritet të ballafaqohet edhe VV-ja, sepse kjo në muajt e ardhshëm pritet t’i zgjedh strukturat e reja, ndonëse gjendet shumë mirë nëse nuk do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme sepse kanë tre deputetë gjilanas që nuk e kishte asnjë deri më tani, por përsëri do ta ketë problemin e gjetjes së lidershipit të ri që do të mund ta merrte Gjilanin për ta qeverisur dhe mbetet e ardhmja të shihet.

Pra, pozita mbetet komode sidomos edhe nga opozita jo e fortë, jo aktive, jo profesionale, pa lidership të duhur, me karizmë e kredibilitet të dërmuar profesional dhe që ka CV të pasur. Opozita nuk ka edhe figura që do të mund të sfidonin aktualisht pozitën. Po ashtu, pozita me reagimet e saj ndaj disa kritikave të pozitës, më kujton ish zëdhënësin e PDK-së, i cili në vend të informatave shtesë për problematizimin e çështjeve të ngritura nga opozita, përdorte cinizmin dhe satirën e lodhur nga fjalitë e urta, të cilat vendoseshin vend e pavend. Nuk duhet që pozita t’i përgjigjet me cinizëm opozitës, por ato që i shpalon opozita, t’i përgjigjet e t’i thotë me numra, me dokumente e fakte. Ta përgenjështrojë opozitën nëse ka vetëm fakte! Nuk ka nevojë të diskutohet a falet kryetari i komunës apo jo, por vetëm për vendimet që merr dhe që ndikojnë në jetën e qytetarit, por jo edhe jetën dhe besimet e tij private!

Rajonipress: Çfarë mund të na thoni për fund?

Rudaku: Edhe në kohën e fushatës në Gjilan, disa herë kemi thënë: “Mjerë ai që do ta merr komunën e Gjilanit!” Kjo vinte për shkak të obligimeve të mëdha që kishte komuna ndaj operatorëve të ndryshëm, mungesës së investimeve nga Qeveria dhe buxheti i ulët, keqqeverisja e kaluar, etj.

Pra, duhet thënë të vërtetën: ka qenë shumë vështirë ta merrje në qeverisje këtë komunë, me aq shumë probleme. Mirëpo, pikërisht këtu është inteligjenca dhe përgjegjësia, ta qeverisësh një komunë me aq shumë vështirësi, ta kthesh nga qyteti depresiv në qytet të shpresës, zhvillimit e mundësive të reja.

Edhe Qeverisja e Hazirit do ta ketë vështirësinë që është pasojë e krejt qeverisjeve të pasluftës dhe dinamika e zhvillimeve në nivel republikan, por nëse nuk e kthejnë në binarë të mbarë komunën tonë, do të ketë edhe më shumë zemërim qytetar, sesa për qeverisjet e kaluara.

Ka shumë varfëri, papunësi, mungesë investimesh, izolim, zvarritje procesesh dhe vendimesh, cinizim të disa zyrtarëve të saj gjatë replikave me opozitën, sakaq nuk ia kanë filluar edhe mbarë. Duhet ta ndërrojnë kursin, sepse akoma mbetet periudhë e shkurtër për vlerësim përfundimtar, plus ngërçi qeveritar dhe sezoni jo aq i gjallë i verës, të japin të kuptosh se megjithatë, duhet të presim.

Me këtë ritëm, me këtë klasë jo aq të profesionistëve, zvarritje emërimesh të drejtorëve edhe pas ca muajve, nuk ka ndonjë shpresë! Qeverisja aktuale komunale ka ardhur pas ndëshkimit masiv të qeverisjes së kaluar, prandaj do të ketë shumë më shumë përgjegjësi, qoftë për sukses, qoftë për dështim! Fitoi në mënyrë spektakulare, prandaj do të ketë
edhe zhgënjim spektakular nëse ‘nuk i ndezin motorët’ shumë më shumë dhe nëse nuk do ta shfrytëzojnë secilin resurs njerëzor lokal për t’i dhënë drejtim të ri komunës!

Rajonipress: Faleminderit shumë zoti Rudaku!

Rudaku: Faleminderit shumë për intervistën dhe u jam mirënjohës për vlerësimin që më keni bërë gjithmonë!

Mund të ju interesoj:

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.