Fundamenti

Qeverisje e çoroditur

/ 5 minuta lexim

Nga Imer Mushkolaj – Zor se mund të gjendet qeverisje më e çoroditur se kjo e Avdullah Hotit. Një koalicion në krizë numrash, krizë besimi e identiteti që nuk po ua lehtëson, por vështirëson jetën qytetarëve. Një qeverisje e palavdishme dhe e dëmshme e “sandwich kryeministrit”.

Numri i të infektuarve me Covid-19 gati ka prekur njëmijëshin brenda 24 orëve, duke u rritur çdo ditë dhe mijëra qytetarë kanë mbetur pa të ardhura në një krizë të thellë sociale. Por, njësoj po rritet edhe papërgjegjësia e klasës politike, veçanërisht e koalicionit qeverisës.

Qeverisja e Avdullah Hotit po çoroditet çdo ditë e më shumë, duke dështuar t’i përgjigjet në mënyrën e duhur krizës ekonomike dhe të pandemisë. Tash sa muaj, koalicioni që u krijua me një votë të siguruar pas mesnate, po dështon të kalojë një ligj të ashtuquajtur për rimëkëmbje ekonomike. Tash sa muaj koalicioni që u votua edhe nga një deputet i dënuar me burg po dështon të dëshmojë në praktikë se është në gjendje të marrë vendime të rëndësishme për jetën e qytetarëve, ashtu siç ishte premtuar. Tash sa muaj koalicioni qeveritar po dëshmon se është kot, teksa nuk e ka fuqinë as të një shumice të thjeshtë parlamentare për të funksionuar qysh duhet.

Tash sa muaj koalicioni qeverisës krekoset se do të bëjë gjëra të mira për qytetarët, por ato nuk shihen askund. Nuk shihen, sepse qëllimi që nga krijimi i tij nuk ka qenë i sinqertë, është krijuar me ndërskamca politike e me inat, për të akomoduar interesa të individëve të caktuar. Është krijuar me premtime se nuk do të veprojë si ai i mëparshmi, por është zhytur thellë në mospërmbushjen e premtimeve të veta.

Çfarë kërkon në pushtet një koalicion që dështon shtatë-tetë herë radhazi të kalojë një ligj rimëkëmbjeje ekonomike, pëderisa shtetet përreth i kanë shpërndarë deri tash nga tri e katër pako ndihme për biznese e qytyetarë? Çfarë kërkon në pushtet një koalicion që nuk i ka as 61 vota? Çfarë kërkon në pushtet një koalicion që nuk arrin të mbledh nw sallën e Kuvendit më shumw se 30 deputetë?

Koalicione tw tilla të çoroditura, qeverisje tw tilla të çoroditura nuk i duhen vendit. Aq më pak në një situatë krize të thellë ekonomike e sociale për qytetarët, por edhe në një krizë të thellë morali e kredibiliteti për qeveritarët.

* * *

Uji Dea

Ligji për rimëkëmbjen ekonomike ka kaluar në lexim të parë, por nuk është miratuar as ka hyrë në fuqi. Në kwtë mënyrë, qindra-mijëra kosovarë kanë mbetur në mëshirë të deputetëve, të cilët nuk po e japin votën e tyre për këtë ligj. Për më tepër, shumica e deputetëve po e bojkotojnë punën në Kuvend, pa e pasur hallin e njerëzve që po heqin të zitë e ullirit për të mbijetuar.

Deputetët po e bojkotojnë punën, por jo pagat e majme. Ata janë paguar më shumë se 3000 euro për dy muajt e sesionit vjeshtor, pa e bërë ndonjë punë të hajrit. Për 120 deputetët e Kuvendit, brenda dy muajsh janë paguar më shumë se 370 mijë euro, përderisa qytetarët presin që t’iu paguhet si ndihmë nga shteti shuma që njw deputet merr vetëm për pjesëmarrje në seancw plenare dhe në mbledhje të komisioneve.

Ndërkohë, gjatë këtij viti janë paguar 22 milionë euro më shumë paga në sektorin publik, krahasuar me vitin 2029. Nuk janë ulur shpenzimet për dreka, e as pagat për njerëzit që kanë populluar qeverinë, ministritë, ndër të cilat ka edhe aso me pesë e gjashtë zëvendësministra.

Për më tepër, Ministria e Financave ka vendosur që zyrtarëve shtetërorë t’iu ndahen mëditje për udhëtime zyrtare dhe punëtori që organzohen edhe brenda Kosovës. Pra, një vendim i tillë merret në kohën kur mijëra punëtorë të sektorit privat kanë mbetur pa punë dhe mijëra të tjerë rrezikojnë të mbeten edhe pa paga.

Nëse dëgjon arsyetimet e qeveritarëve se çfarë kanë bërë deri tash, ata do të thonw se “i kanë ndreqw punët me Amerikën” dhe me partnerw të tjerë ndërkombëtarë, ndërkohë që në Kosovë gjithçka ka stagnuar – me përjashtim të pagave të majme dhe benefiteve të tjera të qeveritarëve, punësimeve partiake nëpër borde ndërmarrjesh publike e agjenci të pavarura dhe tenderëve milionësh për ministra e këshilltarë ministrash.

Dhe, po, arsyetimi i dytë i tyre është “modestia e Avdullah Hotit”, thuajse në peshore do të vihet sa kush është modest në paraqitje për publikun, e jo sa kush ka marrë vendime të drejta e në favor të qytetarëve.

* * * Në një situatë të tillë, zgjidhja më e drejtë është caktimi i datës për zgjedhje të reja. Por, një gjë e tillë konsiderohet si vetëvrasje politike për partitë që u organizuan dhe bënë çmos ta rrëzojnë koalicionin paraprak. Deri atëherë, koalicioni me qeverisjen e çoroditur do të vazhdojë t’i dëmtojë qytetarët, duke marrë vendime të dëmshme ose duke mos vepruar fare.