Qeveria ua paguan stazhin mësimdhënësve, SBASHK-u i pakënaqur
Qeveria e Kosovës ka pranuar që t’ua paguajë përvojën e punës me 0,5 për qind të gjithë punëtorëve të arsimit. Vendimi i Qeverisë, që kap vlerën prej 11 milionë eurove, është prezantuar si fillim i plotësimit të kërkesave që parashihen me Kontratën Kolektive për sektorin e arsimit. Por, ky vendim nuk ka kënaqur përfaqësuesit e mësimdhënësve, ata të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK). Kjo Sindikatë ka njoftuar pas vendimit të Qeverisë se greva do të vazhdojë pasi që me këtë vendim, sipas krerëve të Sindikatës, nuk janë përmbushur të gjitha kërkesat e mësimdhënësve.
Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut, ka thënë se me këtë vendim të Qeverisë nuk janë realizuar të gjitha kërkesat e SBASHK-ut. Ai tha se tash për tash mbetet në fuqi vendimi i Këshillit Drejtues të Sindikatës për t’u mbajtur greva duke filluar nga e hëna.
“Të dielën do të mblidhet Këshilli Drejtues i SBASHK-ut, i cili është kompetent për të vendosur lidhur me grevën. Por, unë mendoj se ne do të vazhdojmë me grevën”, ka thënë ai për gazetën. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka bërë thirrje që mësimi të mos ndërpritet dhe nxënësit të mos humbin orë mësimi./zeri/


