Qeveria s’ka ende përgjigje ndaj kërkesës urgjente të Osmanit për ambasadorët e rinj

Në takimin e parë si u.d e presidentes, Vjosa Osmani e kishte një kërkesë urgjente për kryeministrin Avdullah Hoti.

Gjatë takimit të 9 nëntorit, Osmani i kishte kërkuar Hotit urgjentisht të dërgonte propozimet për ambasadorë të rinj, pas shkarkimit të disa prej tyre në fillim të këtij viti, shkruan “Zeri.info”.

Pavarësisht se kjo kërkesë ishte bërë në këtë takim, Qeveria akoma nuk i ka kthyer përgjigje Zyrës së Presidentit edhe në kërkesën me shkrim, të cilën e kanë dërguar në Zyrën e Hotit dy ditë pas takimit.

Bekim Kupina, këshilltar për media Osmanit, i ka thënë “Zërit” se deri tani asnjë dokument nuk ka mbërritur në Zyrën e Presidentit as nga Ministria e Jashtme, as nga Zyra e kryeministrit Hoti, në mënyrë që të shqyrtohet emërimi i ambasadorëve të rinj.

“Deri tash Qeveria nuk ia ka sjellë u.d. të presidentes, Osmani, asnjë dokument/propozim të vetëm, që lidhet me shërbimin diplomatik, përkundër faktit që u.d. e presidentes ka kërkuar që propozimet të dërgohen urgjentisht. Këtë kërkesë ia ka bërë kryeministrit Avdullah Hoti në takimin e parë, më 9 nëntor, teksa kërkesa me shkrim i është adresuar zyrës së tij më 11 nëntor”, ka thënë Kupina për “Zërin”.

Nga Zyra e Kryeministrit kanë treguar pse deri tani nuk kanë kthyer një përgjigje Osmanit.

“Aktualisht është duke u bërë rishikimi funksional i gjithë stafit diplomatik dhe në momentin që të përfundojë ky proces, Zyra e Kryeministrit do të dërgojë propozimet konkrete në Zyrën e Presidentit”, thuhet në përgjigjen për “Zërin” nga Zyra e Kryeministrit, pa dhënë ndonjë afat.

E kontaktuar nga “Zëri”, Ministria e Jashtme ka refuzuar të flasë në lidhje me këtë, duke thënë se është në proces propozimi i ambasadorëve të rinj dhe derisa të përfundojë nuk do të flasin.

Kujtojmë se ish-presidenti Hashim Thaçi, në fillim të tetorit, kishte nënshkruar dekretin për largimin e ambasadores Vlora Çitaku nga misioni i saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila ishte shkarkuar nga detyra nga ish-ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, bashkë edhe me disa ambasadorë të tjerë në vende të ndryshme të botës.

Ndërsa, edhe pse nga MPJ-ja nuk kanë dashur të flasin për këtë proces, mësohet se në misionin konsullor në Pragë tashmë është emëruar konsulli i përgjithshëm. Flakron Shala është i biri i deputetit të AAK-së, Haxhi Shala, i cili, sipas raportimit të “Kohës”, është emëruar rishtazi në këtë detyrë. /Zëri/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS