UBT

Qeveria serbe nuk ka disponim për të investuar për tekstet e nxënësve të Luginës

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Bujanoc – Në një bisedë për fillimin e vitit të ri shkollor për “Presheva Jonë”, drejtori i shkollës së mesme në Bujanoc, Zejni Fejzullahu, njëherësh dhe ish-kryetar i Komisionit për arsim parashkollor, fillor dhe të mesëm pranë Këshillit Nacional, flet për harmonizimin e planit dhe programit mësimor mes shteteve në rajon, zotimet për gjetjen dhe sigurimin e teksteve më adekuate për mbarëvajtjen e procesit mësimor, për numrin e paraleleve dhe të nxënësve në këtë vit, si dhe për risitë në këtë vit shkollor të procesit edukativo-arsimor.

“Presheva jonë”: Viti i ri shkollor filloi. Sa janë harmonizuar planet dhe programet mësimore mes shteteve në rajon?

Fejzullahu: Me keqardhje mund të konstatoj se bashkëpunimi mes shteteve mbi harmonizimin e planeve dhe programeve mësimore në gjuhën shqipe ende nuk është në nivel të duhur. Do të ishte një lehtësim sikur të arrihej një marrëveshje ndërshtetërore e vendeve të Ballkanit perëndimor mbi harmonizimin e planeve dhe programeve, përkatësisht e kurrikuleve në të gjitha nivelet. Kjo është zgjidhja e problemit për shumë pengesa të cilat i hasin nxënësit dhe studentët, jo vetëm ata shqiptarë.

“Presheva jonë”: Në disa lëndë është ndërruar plan-programi mësimor. Cilat janë zotimet për gjetjen dhe sigurimin e teksteve më adekuate për mbarëvajtjen e procesit mësimor?
Fejzullahu: Fatkeqësisht sigurimi i teksteve në gjuhën shqipe për shkolla të mesme është shumë i vështirë për shumë arsye. Më e rëndësishmja është se ende nuk kanë përfunduar reformat e filluara nga përfaqësuesit e Ministrisë, Shkencës dhe Zhvillimit teknologjik. Pa u përfunduar këto reforma, nuk ka disponim nga Qeveria serbe për investime në tekste shkollore. Edhe me këtë rast për shumë lëndë mësimore tekstet nga Republika e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, nuk janë të përshtatshme për përdorim për shkak të mosharmonizimit të plan-programeve mësimore.

Eco Higjiena

“Presheva jonë”: Si qëndron puna me numrin e paraleleve dhe të nxënësve në këtë vit, ndonëse deri më tani ka qenë rritje?

Fejzullahu: Numri i paraleleve në vitin shkollor 2013/14 në shkollën e mesme “Sezai Surroi” është 49 me gjithsej 1. 333 nxënës. Krahasuar me vitin shkollor 2012/13 kemi një paralele më pak por numri i nxënësve për një vit është zvogëluar për 82 sosh, ku pas analizave të bëra mund të konstatojmë se në vitet në vijim do të kemi gjithnjë numër më të vogël të nxënësve. Arsyet janë të shumta, por më e rëndësishmja është se kemi migrim të popullatës shqiptare në shtetet perëndimore. Ju e dini se situata ekonomike në Luginë të Preshevës është tejet e pavolitshme sa i përket zhvillimit ekonomik dhe sferave tjera të jetës.

“Presheva jonë”: Cilat do të jenë risitë në këtë vit shkollor të procesit edukativo-arsimor?

Fejzullahu: Risi në këtë vit shkollor është se procesi edukativo-arsimor do të zhvillohet me rotacion sa i përket ndërrimeve të paraditës dhe pasditës. Pra, nxënësit katër javë do ta përcjellin mësimin paradite, ndërsa katër javët tjera, pasdite. Gjatë këtij viti shkollor do të kemi pesë asistentë të cilët do të përcjellin mësimin s`bashku me profesorët e gjuhës serbe si gjuhë jo-amtare të cilët punojnë në shkollën tonë. Është një projekt të cilin e organizon OSBE-ja, ndërsa e financon qeveria gjermane./Metali Krasniqi/