Qeveria s’e do shuarjen e EULEX-it

Qeveria e Kosovës e di që nuk mund ta shuajë EULEX-in. Misioni i BE-së për sundimin e ligjit do të vazhdoj të ketë kompetenca ekzekutive edhe pasi t`i ketë përfunduar mandati i dytë në qershor të vitit të ardhshëm. Kësisoj misioni do të vazhdojë të punojë në 250 rastet e hapura që ka nëpër gjykata dhe prokurori të Kosovës.
Në disa prej këtyre rasteve po ndiqen ish-komandantë të UÇK-së dhe politikanë të fuqishëm. Ata dyshohen për krime lufte ose për korrupsion e krim të organizuar. Zv/kryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka komentuar pozicionin e Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë për mbajtjen e kompetencave ekzekutive nga EULEX-i, pozicion ky i shfaqur në një letër diplomatike të këtyre shteteve dërguar BE-së, të cilën e ka publikuar Tribuna një ditë më parë.
Kuçi ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk është në garë për ta dëbuar EULEX-in por pret që gjatë negociatave me BE-në të arrijë të transferojë sa më shumë që është e mundshme kompetenca nga EULEX-i tek institucionet vendëse../Tribuna/