Qeveria rimburësoi këshilltarin e Thaçit edhe pse i kishte humbur faturat

Lirim Greiçevcit, ish-këshilltarit të ish-kryeministrit Hashim Thaçi, i kishin humbur faturat e shpenzimeve në udhëtimin e tij në Londër.

Në dosjen e faturave të Greiçevci shkruhet se ai ka qëndruar një natë para Vitit të Ri në Londër së bashku me Petrit Selimin dhe atje kishin disa takime të rëndësishme.

“Jeni të ftuar për takime zyrtare në Londër më datën 28 deri 30 dhjetor [2011]. Takimet janë bilaterale dhe multilaterale me përfaqësues dhe këshilltarë zyrtarë të Qeverisë më integrimet evropiane, dialog dhe pjesëmarrje në organizata multilaterale. Më 28 kemi darkë solemne me eurodeputetë, redaktorë dhe pjesëtarë të skenës politike britanike”, i kishte shkruar ish zëvendësministri Petrit Selimi, ish këshilltarit të Thaçit, Lirim Greiçevcit, raporton Kallxo.com.

Sipas tij, arsyeja e takimeve është planifikimi i aktiviteteve për vitin 2012.

Për shpenzime të fjetjes, ish-këshilltari i Thaçit, i cili deri tash ka qenë Ambasador i Kosovës në Britaninë e Madhe, Lirim Greiçevci, ka shpenzuar 310 euro, ndërsa mëditje për dy ditë ka marrë 323 euro. Në total 632 euro.

Por, ish-këshilltarit të Thaçit i kishte humbur ‘fasikla’ gjatë këtij udhëtimi. Madje ai nuk kishte fjetur as në hotel, por te disa miq meqë hoteli ishte i shtrenjtë.

“Gjatë dy takimeve, përkatësisht udhëtimeve zyrtare të z. Lirim Greiçevci, atë më datën 8-12 shtator 2011 në Vjenë dhe në Londër 28-30 dhjetor 2011 z. Greiçevci ka humbur fasikllën me dokumentet e tij personale ku kanë qenë edhe faturat e hoteleve. Ne kemi bërë kërkesë për dërgimin e kopjeve të faturave nga hotelet në fjalë”, thuhet në arsyetim.

“Gjithashtu gjatë udhëtimit në Londër, hoteli ka qenë shumë i shtrenjtë dhe zëvendësministri i MPJ-së bashkë me z. Greiçevci më datën 29 dhe 30 janë akomoduar tek disa të njohur të tyre për të mos paguar shumën aq të shtrenjtë të hotelit”, i kishte shkruar Abelard Tahiri.

Por, një faturë e hotelit e datës 28 dhjetor është e bashkangjitur, ndërsa për dy netët tjera që Greiçevci kishte fjetur tek të afërmit e tij, i është paguar mëditja për ditët e qëndrimit në Londër.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).