Qeveria pret që opozita të lëshojë pe për demarkacionin

Projektligji për demarkacionin do të procedohet në Kuvend, por duke ndjekur udhëzimet dhe këshillat e ndërkombëtarëve, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu.
Sipas tij, një pjesë e opozitës jo vetëm që është jo bashkëpunuese, por apriori është edhe përjashtuese ndaj çfarëdo veprimi, propozimi apo vendimi që vjen nga Qeveria e Kosovës.
“Kjo ka kaluar të gjitha justifikimet konceptualiste dhe praktike të demokracisë liberale, ku duhet se opozita edhe e shëndetshme për demokracinë. Kjo nuk vlen tashmë as për ato raste kur është në pyetje interesi nacional i Kosovës. Për disa, zgjedhjet e parakohshme janë shumë më të rëndësishme se interesi nacional i Kosovës”, ka thënë Abdullahu për Indeksonline.
Sipas Abdullahut, ky refuzim kryeneç nga opozita, me qëllim që të vihet tek zgjedhjet e parakohshme, i bënë gjithnjë e ma trilluese sajesat opozitare.
Ai ka thënë se zgjedhjet e reja nuk e zgjidhin çështjen e demarkacionit, vetëm se i prolongojnë benifitet që do të vijnë nga kjo zgjidhje, sepse zgjidhja më pragmatike është ajo e Komisionit Shtetëror.
“Përkundër të gjithave si Qeveri besojmë se interesi i qytetarëve të Kosovës dhe interesi nacional, do të ngadhënjejë edhe në rastin e demarkacionit, do të ketë reflektim dhe duke i dëgjuar me kujdes aludimet, sugjerimet por edhe konstatimet e drejtpërdrejta për këtë çështje nga miqtë ndërkombëtarë, do të mund ta zgjidhim edhe këtë çështje”, ka thënë Abdullahu.