Hidromorava

Qeveria po luan me pensionistët

/ 7 minuta lexim
FIDANISHTJA

Pensionistët nuk mund t’i gëzohen rritjes së pensioneve edhe për një kohë. Për një gjë të tillë, ata duhet të presin një vendim të Qeverisë për t’i rritur ato për 100 euro, e më pas të Kuvendit. Se kur do të ndodh kjo ende nuk dihet. Njohës të ekonomisë e përfaqësues të odave ekonomike thonë se deklarimet për rritje të pensioneve janë vetëm lojë mediale. Sipas tyre ,Qeveria, për këtë duhet ta pyesë edhe FMN’në. Aktualisht, në Kosovë, llogaritet që janë mbi 28 mijë pensionistë, të cilët kanë përfituar nga shteti rreth 68 milionë euro.

Shefin e kanë të njëjtë, si në parti ashtu edhe në Qeveri. Raportimin të dy e bëjnë tek Isa Mustafa. Por, Ministrat Avdullah Hoti e Arban Abrashi duket se nuk komunikojnë mirë mes vete – ani pse javën e kaluar se bashku dolën në një konferencë për media. Në fakt, kjo konferencë, ku edhe u fol për pensionet, shpërfaqi më shumë qëndrimet e ndryshme të tyre.

Abrashi premtoi se pensionet do të rriten brenda vitit edhe për 100 euro. Madje, në një intervistë për Express ai tregoi se këto se pensionet kontributdhënëse do të jenë deri në 260 euro.

“Në këtë vit kemi siguruar buxhetin që të bëjmë kategorizimin e pensioneve kontributdhënësve. Pensioni kontributdhënës, për momentin, paguhet 140 euro. Në ligjin e ri do të ndahen katër kategori të pensioneve. Llogaritë tona si kabinet si Ministri është që pensioni për kontributdhënës të shkojë nga 160-170 deri në 250-260 euro”, ka premtuar Abrashi.

Por, një ditë më vonë ministri Hoti e demantoi atë duke thënë se për këtë nuk ka ende vendim qeveritar dhe rritja nuk mund të behët tani.

“…rritja e pensioneve për 100 euro, e trumbetuar në medie, është vetëm një ide që pret aprovim”, ka thënë Hoti, shkruan Gazeta Express.

Për rritjen e pensioneve duhet të pyetet edhe FMN’ja

Me këto deklarime të Ministrave të Kabinetit të Isa Mustafës nuk po pajtohen drejtuesit e Odave ekonomike e as njohësit e ekonomisë. Bile ata po thonë se pensionet nuk mund të rriten vetëm me deklarata, pa u marrë miratimi edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë.

“Është e qartë që rritja e shpenzimeve buxhetore do të kërkonte aprovimin paraprak të Qeverisë dhe të Kuvendit, e sidomos nëse flasim këtu për rishikim buxhetor. Realisht nga deklarimet e para disa ditëve të Ministrit të Punës po jepej përshtypja se rritja do të hynte në fuqi menjëherë. Nëse tashmë ka një dakordim brenda qeverisë për një rritje të tillë, ajo do të duhej patjetër të ishte në përputhje me marrëveshjet e fundit të nënshkruara me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ashtu që të mos na përsëriten rastet e para disa viteve të prishjes së marrëveshjeve nga ana e FMN-së”, ka thënë për Gazetën Express Arian Zeka, drejtor i Odes Ekonomike Amerikane ne Kosovë.

Zeka po ashtu ka thënë se Qeverisë duhet rikujtuar se rritja e shpenzimeve buxhetore do të rriste presionin për mbledhjen e më shumë të hyrave në vitet në vijim, ndërsa siç thotë ai për shkak të rritjes së kufizuar ekonomike, kjo do të rrezikonte rritjen e normave tatimore në të ardhmen, duke shtuar kështu edhe barrën fiskale mbi sektorin privat dhe duke e bërë vendin joatrakativ para investitorëve të huaj.

Edhe drejtori i Institutit STRAS, Ibrahim Rexhepi, ka thënë se qëndrimet dhe deklarata e ministrave Abrashi e Hoti nuk janë shpresëdhënëse për pensionistët. Siç thotë Rexhepi, vendimet për rritje të pensioneve duhet të jenë përfundimtare dhe jo të dilet në konferenca për kinse ato do të rriten.

“Vendimet duhet të merren në pajtim me buxhetin dhe parashikimet që përshihen aty. Nuk mundet askush që vetëm të dalë në media dhe të thotë se pensionet do të rriten. Parat dhe vendimi duhet të jetë i kryer e më pas te thuhet se ato po rriten”, ka thënë Rexhepi.

UBT

Ai tregon se këtë vit nuk ka gjasa që të ketë rritje të pensioneve për 100 euro. Madje Rexhepi thotë se kjo nuk duhet edhe të bëhet, pasi ka edhe probleme buxhetore.

“Rritja e pensioneve nuk bënë të bëhet nëse ato para merren nga një projekt apo fabrikë që është në të mirë të shoqërisë. Të mos ndërtohet ajo e t’u jepen para një kategorie të njerëzve”, ka thënë ai.

Rexhepi thotë se Qeveria e Kosovës çdo vendim për rritje të pagave apo pensioneve duhet ta marrë në koordinimi me FMN’në.

As pensionistët nuk i besojnë Qeverisë

Kurse, Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL ka thënë për Express se qeveria e Kosovës duhet të investoj në politikat sociale në vend. Por, sipas tij fillimisht duhet të dihet qartë pasqyra e nivelit të varfërisë.

“Fillimisht duhet pasur një pasqyrë të qartë mbi nivelin e varfërisë, e cila është e konstatuar nga shumëkush për shkak të metodologjisë dhe mundësisë së intervenimit të Qeverisë në Agjencinë e Statistikave të Kosovës. Pastaj, duhet të kemi të qartë edhe për numrin e njerëzve që janë në asistencë sociale, pra të mos kemi abuzime sikurse i kemi parë”, ka thënë ai.

Zogaj po ashtu ka thënë se qeveria duhet ta dijë saktë edhe nivelet e poshtme dhe të larta të pensioneve, e jo këto siç po i shohim tash, te cilat janë vetëm asistenca sociale e aspak pensione.

“Prandaj, një vendim për nivelin e pensioneve do te duhej me i marrë padiskutim në shërbim të te gjithë pensionisteve, duke i u mundësuar kësaj shtrese sociale që të bëjë një jetë sa më të dinjitetshme, me aq sa mund ta konsiderojmë të tillë”, thotë Zogaj

Ai mendon se derisa qeveritë e kaluara kanë marrë vendime për rritje pagash disa herë, është koha që kjo qeveri të civilizojë këto rritje edhe me rritjen e pensioneve dhe të ndërtojë një politikë të qartë pensionale, e cila nuk ekziston në Kosovë.

Deklaratave të ministrave të Qeverisë nuk po i besoj as pensionistët e Prishtinës. Gazeta Express ka vizituar gjatë ditës shoqatën e tyre, ku ata edhe thonë se nuk mund të kenë besim në diçka që vetëm është thënë ne media.

Sipas tyre derisa nuk ka vendim konkret për këtë është nuk mund edhe të besohet. Por, pensionistët e kësaj shoqate thonë se rritja e pensioneve do të ishte e mirëpritur.

Nga viti 2004, kur është themeluar Trusti i Kurimeve Pensionale e deri në fund të shtatorit të këtij vit kanë dalë në pension mbi 28 mijë persona. Këta persona që janë pensionuar kanë përfituar rreth 68 milionë euro. Ndërkaq, sipas të dhënave të Trustit këtë vit kanë dalë në pension rreth 3500 persona deri sa kanë përfituar 14.7 milionë euro. /Gazeta Express/