Qeveria për disa biznese nënë, për disa njerkë
Biznesi i ndershëm kosovar, apo sektori privat i ekonomisë, thuajse është lërë pas dore nga të gjitha qeveritë e njëpasnjëshme që kanë udhëhequr vendin dhe këtu nuk përjashtohet as Qeveria aktuale ‘Mustafa’, e cila, sipas analistëve të ekonomisë, nuk ka treguar thuajse asnjëherë gatishmëri dhe forma të mbështetjes shtetërore – qeveritare, por përkundrazi bizneset e ndershme janë ngulfatur e mbërthyer me politikat e mbrapshta të kësaj qeverie, sikur edhe nga skandalet aktuale “Pronto”.
Analisti Shefqet Dibrani, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se bizneset që e respektojnë ligjin dhe i paguajnë tatimin shtetit janë të diskriminuara dhe të ngulfatura nga, siç tha, politikat fiskale, të cilat u bien në qafë për të vjelë sa ma shumë të hyra, në mënyrë që t’i arsyetojnë më lehtë pazaret për shpëlarje parash me bizneset e tjera që janë të kontrolluara nga oligarkia politike në Kosovë. “Politikat favorizuese, për të cilat flet qeveria ‘Mustafa’, nuk mund t’i shfrytëzojnë bizneset dhe ndërmarrjet e vogla, të cilat jetojnë ndershëm, e në të njëjtën kohë këto biznese as nuk mund të futen nëpër skemat e mbështetjes shtetërore e qeveritare. Kjo ngase këto biznese e ndërmarrje të vogla ngulfaten nga kushtëzimi dhe mbyten nga presioni fiskal për t’i detyruar që t’iu nënshtrohen formave të haraçit, për t’u dorëzuar përpara bandave të nëntokës që kontrollojnë jetën ekonomike në nivel Kosove”, është shprehur ai, shkruan gazeta Kosova Sot.
Skandali që i zhveshi pushtetarët
Dibrani më tej ka nënvizuar se shumëkush ka shpresuar se qeveria ‘Mustafa’ do të aplikojë politika favorizuese, por janë mashtruar rreth miteve të rrejshme që janë krijuar për aftësitë dhe profesionalizmin e shefit të Qeverisë, i cili, përveç aftësisë për t’u shitur i aftë dhe për eliminimin e të gjithë bashkëpunëtorëve përreth tij, asnjë afinitet tjetër pozitiv për Kosovën në karrierën e tij politike nuk e ka sjellë. “Së këndejmi, tashmë jeta politike në Kosovë, sikurse edhe bizneset, po përmbyten gradualisht, e bashkë me to po rrënohen dhe do të rrënohen edhe bizneset dhe veprimtaritë e ndershme ekonomike që kanë vepruar dhe kanë mundur ta mbijetojnë këtë fazë të ndjeshme të zhvillimeve ekonomike në një tranzicion të ashpër dhe të pamëshirshëm ndaj bizneseve të ndershme”.
Dibrani thotë se në këtë drejtim të gjitha dyshimeve ua hoqi vellon skandali i fundit “PRONTO”, i cili tashmë, sipas tij, e merr përgjegjësinë për dështimet e shumanshme të jetës politike, ekonomike e kulturore në Kosovë. “Tashmë po dihet roli i skandalit “PRONTO”, ndërsa baza ekonomike dhe jeta sociale janë rrënuar pikërisht sipas metodologjisë së përgjimeve të grupit ‘PRONTO'”, theksoi ai./kosova sot/


