Qeveria pa strategji, po e rrënon ekonominë e vendit
Nuk zhvillohet vendi me kapje të shtetit nga oligarkia kriminale. Muharremaj: Gjendja e mjerueshme ekonomike do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm
“Edhe Qeveria e Isa Mustafës me LDK-në është bërë pjesë e kapjes së shtetit nga PDK-ja. LDK-ja, në krye me Mustafën, kanë frikë nga shefat e shefave që janë në PDK për të pastruar shtetin nga kapja, kontrolli dhe zhvatja e plotë prej mafiopolitikanëve dhe mafio-oligarkëve te inkriminuar që janë të lidhur me pushtetarët aktualë”, thotë deputeti Pal Lekaj
Në mbledhjen e katërt të Këshillit Kombëtar për Zhvillim të Ekonomisë, që u mbajt në fund të javës së shkuar, ku mori pjesë edhe kryeministri Isa Mustafa, ky i fundit premtoi se Qeveria është duke punuar në miratimin e Strategjisë kombëtare për zhvillim dhe përfundimin e Programit për reformat ekonomike, si dhe miratimin e ligjeve që do të mundësojnë një zhvillim ekonomik dhe do të shtojnë vlerën e bizneseve.
Pohimet e Mustafës, sipas opozitës dhe analistëve, janë një mburrje pa mbulesë, sepse kjo Qeveri ka dështuar deri më tash të ofrojë një strategji zhvillimore. Ekspertët dhe deputetët thonë se ky është një lajm i keq për vendin dhe ekonominë e tij, sepse viti i ri 2016 do ta gjejë shtetin e Kosovës pa ndonjë strategji të mirë- filltë të zhvillimit ekonomik, sikurse që ka ndodhur që nga paslufta e deri më sot. Sipas analistëve dhe deputetëve, veprimet e deritashme “ad-hoc” të Qeverisë “Mustafa” kanë treguar se binomi i pushtetarëve PDK-LDK, që kur kanë ardhur në pushtet nuk kanë pasur strategji të mirëfilltë ekonomike të zhvillimit të vendit. Ata thonë se edhe pak ditë na ndajnë me vitin e ri 2016 dhe kjo garniturë e pushtetarëve nuk e ka fare në agjendë zhvillimin e mirëfillte ekonomik, por të vetmin synim e kanë ruajtjen e interesave të mafio-oligarkëve që janë të lidhur me pushtetin aktual./kosova sot/


