Mobi Casa

Qeveria nuk heq dorë nga “Kosova A”

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Limiti kohor se termocentrali “Kosova A” do të mundë të mbyllet deri në vitin 2017 është hedhur poshtë. Qeveria e Kosovës, që udhëhiqet nga Isa Mustafa, po i frikësohet cenimit të Kosovës sa i përket sigurisë së furnizimit me energji elektrike, andaj ka vendosur që edhe për një kohë termocentralin “Kosova A” të mos e largojë nga sistemi, por ta rivitalizojë duke iu qasur sipas modalitetit që është në harmoni me parametrat evropiane që kanë të bëjnë me mjedisin dhe parametrat e kostos së energjisë, të cilat ne do t’i aplikojmë.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, të enjten e ka shpalosur strategjinë e qeverisjes së tij lidhur me energjinë elektrike. Ai ka prezantuar të arriturat e Qeverisë në fushën e zhvillimit ekonomik, ndërkaq ka folur për orientimet e ekzekutivit për zhvillimin në disa fusha, si në sektorin e energjisë, në sektorin e mineraleve dhe minierave, për sektorin e telekomunikacionit dhe për menaxhimin e korporatave publike, përkatësisht performancën e menaxhimit të kompanive publike.

“Jemi të interesuar që të punojmë në çështjet e energjisë, do të punojmë në rishikimin e Strategjisë së Energjisë. Këtë do ta zhvillojmë pastaj deri në vitin 2024, në mënyrë që të arrijmë furnizimin e plotë të Kosovës me energji elektrike. Sa i përket qasjes ndaj termocentralit “Kosova A”, do t’i qasemi me qëllim që të mos e cenojmë Kosovën sa i përket sigurisë së furnizimit me energji elektrike, ndërkaq modalitetet do të zhvillohen në harmoni me parametrat evropiane që kanë të bëjnë me mjedisin dhe parametrat e kostos së energjisë, të cilat ne do t’i aplikojmë”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Uji Dea

Lidhur me Strategjinë e “Kosovës A”, kreu i Qeverisë ka përmendur tri mundësi, ku fillimisht është parë si orientim që të bëhet dekomisionimi i “Kosovës A” në fund të vitit 2017. “Mundësia e dytë është që të zgjatet dekomisionimi derisa të hyjë në prodhim kapaciteti i “Kosovës së Re”, dhe mundësia tjetër është që të veprojmë sipas modelit që është ofruar edhe nga firma ‘Bilfinger’, që të rindërtojmë këto kapacitete dhe të sigurojmë prodhim të energjisë elektrike, me një ofertë e cila është dhënë prej ‘Bilfinger’-it, prej 800 megavate me një kosto diku ndërmjet 900 milionë deri në 1 miliard euro të ndërtimit”, ka shtuar Mustafa, duke treguar se shumë shpejt do të bëhet finalizimi i procesit negociues për “Kosovën e Re” me kapacitet prej 600 megavateve

“Pritet së shpejti të finalizohet procesi negociues dhe të vendoset lidhur me procesin e mëtutjeshëm me firmën ‘Countour Global’, e cila është firma e vetme që ka mbetur në konkurrencë dhe me të cilën tash jemi duke zhvilluar negociata. Po ashtu, jemi të interesuar të punojmë në revitalizimin e “Kosovës B”.

Gjatë revitalizimit ne do të implementojmë masat e karakterit ambiental, masat teknike dhe po ashtu do t’i gjejmë modalitetet e financimit”, është shprehur i pari i ekzekutivit. Ndërkaq, Qeveria po synon që deri në vitin 2020 të arrijë rreth 25 për qind të energjisë nga burimet e ripërtëritshme dhe të përplotësojmë kriteret e Bashkimit Evropian. Këtu është llogaritur edhe në energjinë elektrike që prodhohet nga Hidrocentrali i Zhurit. Në fushën e zhvillimit të sektorëve të minierave dhe minerareve në fokusim të veçantë për Qeverinë do të jetë çështja e “Trepçës”. Kryeministri Mustafa e ka pranuar se Qeveria është vonuar për një kohë të caktuar në kompletimin e bordeve të kompanive publike. Ai ka ritheksuar se bordet do të kompletohen në mesin e shtatorit, nga ku për të zënë një pozitë në ndërmarrje kanë aplikuar 1700 persona./zeri/