Qeveria mund të bëhet shkaktar i shtyrjes së liberalizimit të vizave

Edhe pse u paralajmërua pak ditë me parë se marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi mund të procedohej në Kuvend brenda tetorit, për arsyen që të arrihej liberalizimi i vizave këtë vit, Qeveria e Kosovës ende nuk ka një datë konkrete për dërgimin në Kuvend të marrëveshjes në fjalë, shkruan Gazeta Express.
Zëdhënësi i Qeverisë, Faton Abdullahu nuk ka mundur të konfirmojë për Gazetën Express se a do të ketë një datë këtë muaj për çështjen e Demarkacionin, por tha se Qeveria ende e ka prioritet ratifikimin e marrëveshjes së shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi.
“Sigurisht se për nga rëndësia që ka dhe efekteve që determinohen çështja e demarkacionit nuk mund të zbres nga vëmendja qeverisëse e Qeverisëm së Kosovës por besojmë as nga vëmendja politike e gjithë spektrit politik. Ne besojmë se kështu do të jetë përderisa ta përmbyllim këtë proces vital dhe të rëndësishëm për vendin.” tha Abdullahu.
Sipas tij përpjekja për një jetë më kualitative për qytetarët e Kosovës në njërën dhe integrimet evropiane në tjetrën, janë synime të vazhdueshme dhe prioritete të pandalshme të kësaj Qeverie.
Ndërkaq, edhe iniciatori i takimit pozitë- opozitë Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik tha për Express se po punohet që të ketë takime të ardhshme pozitë-opozitë për të diskutuar dialogun por nuk konfirmoi se ka një datë të caktuar se kur do të ndodhë një takim i tillë.
“Do të ketë dialog edhe për demarkacionin sepse është çështje e kohës por edhe temat e përcaktuar për dialog dhe reforma.” tha Rashiti.
Por, Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Kosovës, ua ka shpërndarë deputetëve dhe institucioneve relevante të vendit një dokument në të cilën thuhet se Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi të kalojë në Parlament prej datës 25-27 tetor 2016, në mënyrë që të arrihen afatet e nevojshme për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian gjatë këtij viti. Në të kundërtën heqja e vizave me BE-në shtyhet për vitin tjetër.