Qeveria: Marrëveshja për demarkacion është në rregull, shpejt e procedojmë për Kuvend

Ndonëse janë rritur zërat kundërshtues nga radhët e kampit të pozitës ndaj marrëveshjes për demarkacionin më Malin e Zi, Qeveria e Isa Mustafës, nuk e ka në plan të zmbrapset para kësaj çështjeje.
Në Qeveri thonë se versioni aktual i kësaj marrëveshje është në rregull dhe se së shpejti do ta procedojnë për ratifikim në Kuvendin e Kosovës.
“Qeveria konsideron se e ka shtjerr këtë problem dhe ajo çfarë ka është thënë nga dy komisionet është se vija kufitare me Malin e Zi është në rregull”, ka thënë ndër të tjera këshilltari politik i kryeministrit Mustafa, Faton Abdullahu.
E, në anën tjetër, gazetari dhe publicisti Bajrush Morina, shprehet i bindur se çështja e demarkacionit do të jetë pika ndarëse e këtij koalicioni.
Përveç tri partive opozitare të cilat prej fillimit e kanë kundërshtuar këtë marrëveshje, tani zërat kundër kësaj marrëveshje janë rritur edhe në kampin e pozitës. Shpejtim Bulliqi, Arben Gashi, Besa Gaxherri nga LDK dhe Xhavit Haliti, Nait Hasani, Adem Grabovci janë vetëm disa nga deputetët e këtij koalicioni të cilët kanë shprehur dyshime nëse do ta votonin këtë version të marrëveshjes për demarkacion më Malin e Zi./tribuna/