Fundamenti

Qeveria i konsideron të padrejta vazhdimin e masave nga BE-ja, Kryeziu: Presim që të largohen sa më parë

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Masat ndaj Kosovës të vendosura nga Bashkimi Evropian (BE) kanë qenë të padrejta dhe pritet që të largohen sa më parë, sidomos pas progresit në zbatimin e marrëveshjes së Bratislavës, por edhe pas përmirësimit të situatës në terren.

Kështu tha në një prononcim për Telegrafin zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Sipas tij, Qeveria nga momenti i arritjes së marrëveshjes në Bratislavë ka përmbushur pikat e saj.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga zëvendëskryeministri i saj, Besnik Bislimi ka arritur një marrëveshje në Bratislavë me emisarin e BE-së, Miroslav Lajcak mbi hapat e zbatimit të deklaratës së 3 qershorit të BE-së për deeskalim të situatës në katër komunat në veri.

Prej atij momenti, Republika e Kosovës ka përmbushur pikën e parë të atij dakordimi me rastin e uljes prej 25% të pranisë së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në dhe përreth ndërtesave komunale”, ka thënë Kryeziu.

Mobi Casa

Ai tha më tej se si rezultat i zbatimit të pikës së dytë, e cila parasheh vlerësimin e përbashkët të situatës së sigurisë, javën e kaluar numri i policëve në dhe përreth ndërtesave komunale është ulur edhe për 25% tjera.

Ndërkaq, në kuadër të pikës së tretë të dakordimit të Bratislavës, Kryeziu u shpreh se tashmë Qeveria ka themeluar grupin punues përgjegjës për hartimin e udhëzimin administrativ që mundëson zgjedhjet e parakohshme.

“Pra Kosova po respekton dakordimin me BE-në. Ne kemi thënë që masat ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta dhe presim që ato të largohen sa më parë, sidomos pas progresit në zbatimin e marrëveshjes së Brastisllavës por edhe pas përmirësimit të situatës në terren”, ka thënë Kryeziu për Telegrafin.

Ndryshe, në fund të gushtit bëhen dy muaj që kur Kosova është nën masa nga Bashkimi Evropian, shkaku i tensioneve në veri. E, zgjedhjet e parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe, në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, dhe Mitrovicë e Veriut, po kërkohen me ngulm nga komuniteti ndërkombëtar.

Përderisa nuk ndodh kjo, si duket Bashkimi Evropian do të mbajë masat ndëshkuese ndaj Kosovës që përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, etj. /Telegrafi/