Eko Higjiena

Qeveria heziton të përballet me mafio – oligarkët

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Megjithëse ka ndërmarrë disa veprime që në mesin e qytetarëve dhe ekspertëve janë mirëpritur ekziston frika se me gjasë edhe kjo qeveri e koalicionit do t’u shërbejë mafio-oligarkëve të njëjtë sikurse qeveritë paraardhëse. Në mesin e ekspertëve të ekonomisë dhe specialistëve të kësaj fushe edhe kjo qeveri po vëzhgohet me sy dyshues, duke mos u dhënë asnjë fije shpresë qytetarëve dhe bizneseve që nuk janë të lidhura me politikën dhe qeverinë, se do t’i luftojë bandat kriminale të biznesit të kriminalizuar.

Ndaj analistët dhe përfaqë- suesit e biznesit thonë pa ngurrim se ikja e qytetarëve jashtë vendit është një rezultat i asaj se njerëzve u ka humbur shpresa në këtë vend, se dikush do ta ngjallë ekonominë dhe rrit punësimin. Analistët janë të mendimit se e tëra kjo po ndodh ngase të rinjtë që nuk kanë lidhje familjare apo politike me pushtetin nuk po gjejnë punë, kurse të gjitha pushtetet e bllokuan e dëmtuan dhe e degraduan edhe sektorin privat që nuk është i lidhur me krimin e politikën dhe i cili mund të ishte një gjenerator i madh i punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve.

Eksodi masiv, si pasojë e krizës ekonomiko-politike

Lideri i AKB-së, Agim Shahini, tha për “Kosova Sot” se përkeqësimi i gjendjes ekonomike në Kosovë ka ndodhur që nga turbulencat e vitit 2014 ku në atë kohë pothuajse i gjithë spektri politik nuk e kishte në rend të ditës dhe prioritet të punës së tyre qytetarin, por si ta marrin pushtetin dhe me të menagjojnë grupe të caktuara për interesa të caktuara.”Shi për këtë qytetarëve tanë ju imponua dhe ata u përcaktuan për rrugën më të keqe atë të shëmtuar që ta lënë vendin ku kanë lindur dhe ta braktisin Kosovën, duke shkuar në Perëndim me shpresën dhe synimin për të siguruar një kafshatë buke dhe një mbijetesë nga mungesa e perspektivës dhe shpresës së humbur në atdheun e tyre. Shumica e tyre që ikin dhe që janë mbi 100 mijë qytetarë ishin të zhgënjyer me institucionet dhe politikanët e Kosovës dhe të njëjtit i humbën shpresat për perspektivë në këtë vend”, u shpreh ai. “Ky trend u ndal jo me dëshirën e kosovarëve, por u ashpërsuan kriteret e kalimit të kufirit përmes Suboticës në Hungari, duke mos pasur mundësi që të largohen dhe kjo solli dëshpërimin e tyre, por duke mos e humbuar shpresën se një ditë do të ikin nga Kosova. Ndaj që kjo mos të na përsëritet edhe me këtë qeveri, e vetmja shpresë e zhvillimit të vendit është që qeveria të krijojë mundësi punësimi”, theksoi Shahini. Mirëpo, sipas tij, një zhvillim i tillë ekonomik nuk mund të bëhet shumë shpejt as nga kjo qeveri. “Sepse zhvillimi ekonomik i vendit edhe në këtë vit do të ketë një trend negativ dhe jo të kënaqshëm. Por, reformat e paralajmëruara nga Qeveria e Kosovës dhe MF-ja që do të fillojnë nga 1 janari i vitit 2018 këto mund të rrisin shpresën tek qytetarët”, potencoi më tej Shahini.

Nuk pritet kurrfarë progresi

Eksperti i fushës së integrimeve evropiane në ekonomi, ekonomisti Ardian Nokaj, tha për “Kosova Sot” se shpresa që ky lloj formati i Qeverisë megalomane, me rreth 200 amatorë në krye të shtetit, vështirë se do të mund të ketë sukses dhe aq më pak nuk duhet të pritet se do të ketë një zhvillim ekonomik. “Meqë në pushtet së bashku me Qeverinë Haradinaj janë përfaqësues edhe ata të mafisë ekonomike, nuk mund të pritet progres e ndryshim të situatës për të mirë, mirëpo me këtë rast unë si analist uroj nga zemra që degradimi i shtetit të jetë sa më i vogël dhe kjo qeveri e pakicës ose të ristrukturohet ose të bjerë sa parë”, vlerësoi ai.

Ndërsa, analisti Florim Rudhani tha për “Kosova Sot” se me gjithë punën që po e bën individualisht si kryeministër i ri i vendit, por edhe vullnetin e mirë që e ka kreu i Qeverisë, është pesimist se Qeveria e Ramush Haradinajt do të jetë ndryshe nga qeveritë e kaluara.”Kjo sepse është një koalicion shumë i gjerë dhe këtu gërshetohen interesa të shumta dhe me gjasë edhe kjo qeveri do t’u shërbejë mafio-oligarkëve të njëjtë, sikurse që e bënë më herët qeveritë e kaluara. Ka dyshime se edhe kjo qeveri kësisoj sikurse qeveritë paraardhëse deri më tani nuk u ka dhënë asnjë shpresë qytetarëve dhe bizneseve që nuk janë të lidhura me politikën, se kjo qeveri do t’i luftojë bandat e biznesit të kriminalizuar”, theksoi ai. Sipas tij, edhe me këtë qeveri ikja e qytetarëve jashtë vendit do të vazhdojë me ritëm të njëjtë dhe kjo do të jetë si rezultat i asaj se njerëzve u ka humbur shpresa në këtë vend, se dikush do ta ngjallë ekonominë dhe rrit punësimin.

Uji Dea

Pritjet e mëdha, zhgënjimet më të thella

Eksperti i financave, Xhevat Meha, tha për “Kosova Sot” se kjo qeveri është në fillimet e punës së saj, mirëpo ndodhi që gjatë kësaj kohe të jenë edhe votimet komunale.”Nuk do të duhej të ishte normale që puna e qeverisë dhe institucioneve tjera shtetërore të jetë e ndikuar nga zgjedhjet komunale, mirëpo në Kosovë është ndërtuar një realitet i tillë”.

Ai vlerëson se kjo qeveri deri tani ka disa veprime që janë të mirëpritura, si vendimet rreth disa bordeve të institucioneve publike. “Nuk është problem zëvendësimi i bordeve dhe i atyre që shkojnë, por problem është përzgjedhja e atyre që vijnë, përzgjedhja e individëve profesionistë dhe të merituar. Nëse kjo qeveri, ndryshe nga qeveria e mëparshme, zbaton nënshkrimin e marrëveshjes se mirëkuptimit me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar për përzgjedhjen e anë- tarëve të bordeve të institucioneve publike, atëherë kjo do të ishte një punë e mirë dhe e mirëpritur “, u shpreh Meha. “Unë kam pasur pritje të mëdha nga kjo qeveri në fushën e forcimit dhe të zbatueshmërisë së ligjit. Por, fatkeqësisht, deri tani nuk kemi pasur shenja të mira, edhe pse është pak herët për të siguruar pamje të plotë. Këtë e them bazuar në ndarjet buxhetore, në projektbuxhetin për vitin 20018. Në këtë projektbuxhet, ndarjet buxhetore për institucionet përgjegjëse për zbatushmëri të ligjit kanë një rritje, mirëpo kjo rritje është tepër simbolike”, potencoi analisti Meha.

Ekzekutiv privilegjesh dhe zhvatjesh buxhetore

Ndërsa, Selatin Kaçaniku (Konsumatori), për gazetën “Kosova Sot” tha se sukseset, rezultatet dhe të arriturat e kësaj klase politike, që për fat të keq në shumë fusha e sektorë po e vazhdon edhe Qeveria aktuale, edhe Kuvendi, edhe ministritë, janë: Buxheti konsumues dhe zhvatës i dështuar mbi 60 për qind, pastaj pushteti, institucionet tepër të shtrenjta me modelin ” kinez “, me mbi 70 zëvendëskryeministra e zëvendësministra, që i paguan dhe i bart mbi kurriz qytetari konsumator taksapagues e gjenerues kryesor i buxhetit të shtetit. “Edhe me këtë qeveri po vazhdon monopoli dhe keqpërdorimi i informatave sekrete zyrtare për interes e pasurim personal, administrata e ndërmarrjet publike me menaxhmente e borde politike, që u shërbejnë punëdhënësve e dekretuesve të tyre e jo qytetarit konsumator taksapagues, falja e borxheve edhe e borxheve për tantiemën që është pronë e shtetit – e sovranit, strategjia e zhvatjes – detyrimit të investitorëve të jashtëm, rrjedhimisht edhe dekurajimi, largimi i tyre”, theksoi Kaçaniku. Veprimet e deritashme të kësaj qeverie tregojnë se oligarkët e biznesit do ta kenë sërish mbështetjen e pushtetarëve, që kuptohet mund ta kenë leverdinë e tyre me ndonjë “mbushje gushe” apo “lagie fyti”, që të kujton aferën “Pronto”.

(Kosova Sot)