Eko Higjiena

Qeveria e zënë me çështje të tjera, s’ka kohë për “Kosovën e Re”

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Para se të vinte në krye të ekzekutivit Lëvizja Vetëvendosje e pati kundërshtuar projektin aktual për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Pavarësisht faktit që kanë mbetur më pak se dy muaj deri te mbajtja e seancës dëgjimore mes Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë dhe Qeverisë së Kosovës, ku do të flitet rreth dyshimeve për shkelje ligjore në marrëveshjen për termocentralin “Kosova e Re”, nga Ministria e Ekonomisë, e Tregtisë dhe e Financave i kanë thënë gazetës se akoma nuk kanë ndonjë strategji konkrete se si do të veprojnë rreth kësaj çështjeje. Përfaqësues të shoqërisë civile i kanë kërkuar Qeverisë të tërhiqet përfundimisht nga kontrata me investitorin, shkruan Zëri.

Para se të vinte në krye të ekzekutivit Lëvizja Vetëvendosje e pati kundërshtuar projektin aktual për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Edhe zyrtarë të LDK-së patën dhënë kritika në këtë drejtim, duke thënë se projekti kishte pësuar ndryshime nga koha kur atë e kishte mbështetur LDK-ja. Sidoqoftë, memorandumi i bashkëpunimit mes Qeverisë dhe “Contour Global”-it u nënshkrua në kohën e qeverisë së drejtuar nga Isa Mustafa. Pavarësisht këtyre, Qeveria e re, e formuar nga koalicioni LVV – LDK, ende nuk ka dalë me një qëndrim përfundimtar rreth termocentralit “Kosova e Re”.

E pyetur rreth kësaj, ministrja e Ekonomisë, e Tregtisë dhe e Financave, Rozeta Hajdari, ka thënë për “Zërin” se ende nuk e kanë përpiluar një strategji konkrete se si do të veprojnë me këtë çështje. “Duhet të shqyrtohet në detaje, pastaj të vijmë në përfundim për hapat e mëtutjeshëm.

Nuk e kemi ende strategjinë me hapa konkretë lidhur me ‘Kosovën e Re’”.

Fundamenti

E pyetur nëse Qeveria do të tërhiqet nga kontrata me investitorin, Hajdari ka thënë se aktualisht janë të zënë me përgatitjen e buxhetit, me planin vjetor dhe me çështje të tjera. “Jemi në konsolidimin e kabinetit, në qartësimin e rolit, në përgatitjen e buxhetit, në përgatitjen e planit vjeçar, në skenimin dhe në analizimin e situatës së tanishme nëpër kabinete, nuk kemi kohë të merremi konkretisht me ndonjë projekt, me ‘Kosovën e Re’ ose me të tjera, por duhet ta gjejmë kohën më vonë”.

Hajdari nuk ka treguar se kur Qeveria do të dalë me një qëndrim përfundimtar rreth çështjes në fjalë. “Na prisni njëherë ta kryejmë buxhetin, na prisni ta marrim Rregulloren e Punës, na prisni të marrim planin vjetor e pastaj vijmë me hapa konkretë. Pa i kryer këta hapa konkretë ne nuk mund të vijmë në asnjë strategji me plan konkret”, ka nënvizuar e para e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Financave.

Derisa ka folur rreth termocentralit “Kosova e Re”, zëvendëskryeministri i parë Avdullah Hoti gjatë një interviste dhënë për gazetën para pak ditësh ka thënë se parimi me të cilin do ta udhëheqë Qeverinë sa i përket këtij projekti është që ai të trajtohet brenda strategjisë së përgjithshme të furnizimit stabil me energji elektrike. Ndonëse nuk ka dhënë detaje të tjera rreth kësaj, Hoti ka thënë se Kosova duhet të ketë furnizim stabil me energji. “Kjo duhet të sigurohet, Kosova duhet të ketë furnizim stabil me energji elektrike, e para. Kurse e dyta, duhet të sigurojmë treg konkurrent të energjisë elektrike në përputhje me direktivat e BE-së dhe gjithashtu duhet të arrijmë atë komplimentaritetin e furnizimit me energji me Shqipërinë. Nëse brenda kësaj kornize trajtojmë edhe këtë projekt, unë besoj se mund t’ia dalim mbanë”.

Sipas marrëveshjes, është paraparë që “Contour Global”-i t’i investojë 420 milionë euro për projektin e ndërtimit të “Kosovës së Re”. Për këtë shumë të investimit Kosova parashihet t’ia kthejë “Contour Global”-it 1 miliard e 554 milionë euro gjithsej përgjatë periudhës 20-vjeçare. Por përmes një njoftimi për medie Sekretariati i Komunitetit të Energjisë pati bërë të ditur se ka zbuluar disa masa të paligjshme në marrëveshjen e nënshkruar mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë amerikane “Contour Global”. “Pagesat për energjinë dhe disponueshmërinë mbi 20 vjet në bazë të marrëveshjes për blerjen e energjisë, shitjen dhe transferimin e vendit ku do të ndërtohet termocentrali ishin nën vlerën e tregut”, theksohej në njoftimin e Sekretariatit të Komunitetit për Energji. Masat në fjalë, sipas Sekretariatit, nuk janë njoftuar tek autoritetet si ndihmë shtetërore, ndaj për këtë arsye ato paraqesin ndihmë të paligjshme shtetërore.