ARKATANA

Qeveria e pesë kryeministrave

/ 13 minuta lexim
KKVITI

Madhësia e panevojshme e kabinetit të ri qeveritar, të kryesuar tani nga kryeministri Haradinaj, një nga kritikët e fuqishëm të qeverisë tepër voluminoze, me shumë ministri, në mandatin e kaluar, sipas analistëve politikë mund të jetë një nga pikat më të dobëta, të cilat do ta dëmtojnë seriozisht çdo përpjekje të kryeministrit për të bërë hapa të suksesshëm përpara.

MISIONI I (PA)MUNDUR I RAMUSH HARADINAJT

Sfida të forta për një ekzekutiv megaloman e të paqëndrueshëm

“Në të vërtetë Ramush Haradinaj është kryeministri i parë i qeverisë, ndërsa i ka edhe 4 kryeministra të tjerë, që vijnë nga radhët e partnerëve të koalicionit PANAL, pra është i pari në mesin e të barabartëve dhe të mos keqkuptohet se nuk është ‘mbret i mbretërve’. Vetë teksti i marrëveshjes politike përmban obligime, sipas së cilave vetëm partitë e koalicionit kanë të drejtë të shkarkojnë dhe të emërojnë ministrat nga radhët e tyre në këtë qeveri. Ramush Haradinaj qysh në fillim e ka humbur betejën për të kontrolluar qeverinë e PANAL-it, me hyrjen në bashkëqeverisje me kushtet të diktuara nga të tjerët”, u shpreh analisti Ymret Reshiti

Madhësia e panevojshme e kabinetit të ri qeveritar, të kryesuar tani nga kryeministri Haradinaj, një nga kritikët e fuqishëm të qeverisë tepër voluminoze, me shumë ministri, në mandatin e kaluar, sipas analistëve politikë mund të jetë një nga pikat më të dobëta, të cilat do ta dëmtojnë seriozisht çdo përpjekje të kryeministrit për të bërë hapa të suksesshëm përpara.

Është një vlerësim i tanishëm i njohësve të zhvillimeve politike në vend, sipas të cilëve kryeministri Haradinaj nuk do të mund të udhëheqë si duhet dhe t’i këtë nën kontroll të plotë të gjithë 22 ministrat e qeverisë gjigante, duke pasur kompetenca të plota mbi ta dhe pa luajtur rolin si kryeministër kukull, që dirigjohet nga PDK-ja. Tani është gjykimi i analistëve politikë, sipas të cilëve dëshira ose egoja për të pasur pozitën e kryeministrit me çdo kusht e ka detyruar Haradinajn që të pranojë edhe këtë formulë të papërshtatshme të koalicionit, në të cilën janë rreshtuar hiq më pak se 22 ministri, kur sa ishte Isa Mustafa kryeministër vetë Haradinaj si opozitar i fuqishëm dhe kritik ndaj një qeverie megalomane i kërkonte Mustafës që urgjentisht të zvogëlohet numri i ministrive. Analistët nuk presin madje që Haradinaj të arrijë ta përmbushë edhe premtimin për vizat brenda 3-mujorit të parë të qeverisjes së tij, kurse një “arrë” e fortë që do t’i sjellë telashe do të jetë edhe zgjidhja e nyjës së ngatërruar të Demarkacionit me Malin e Zi në mandatin e qeverisë ‘Mustafa’.

Kulaçi i bëri bashkë dhjetëra parti

Analisti politik Ymret Reshiti funksionimin e brishtë dhe jo efektiv të qeverisë ‘Haradinaj’ e sheh që nga përbërja e kupolës drejtuese të saj, ku janë radhitur një varg zëvendëskryeministrash, që në fakt e luajnë edhe rolin e kryeministrit. “Në të vërtetë Ramush Haradinaj është kryeministri i parë i qeverisë, ndërsa i ka edhe 4 kryeministra të tjerë që vijnë nga radhët e partnerëve të koalicionit PANAL, pra është i pari në mesin e të barabartëve dhe të mos keqkuptohet se nuk është ‘mbret i mbretërve’. Vetë teksti i marrëveshjes politike përmban obligime, sipas së cilave vetëm partitë e koalicionit kanë të drejtë të shkarkojnë dhe emërojnë ministrat nga radhët e tyre në këtë qeveri. Ramush Haradinaj qysh në fillim e ka humbur betejën për të kontrolluar qeverinë e PANAL-it, me hyrjen në bashkëqeverisje më kushtet të diktuara nga të tjerët”, u shpreh ai. “Shihet qartë se Ramush Haradinaj ka vepruar sipas ambicies së tij, që me çdo kusht të bëhet kryeministër, pa marrë parasysh nëse do të ketë kompetenca dhe kontroll ndaj qeverisë, respektivisht nëse do ta të realizojë një ‘plan serioz për shtetin dhe qytetarët'”, tha Reshiti për “Kosova Sot”. Sipas tij, detyrimi i Haradinajt për të pranuar një qeverisje të tillë, të kushtëzuar dhe të brishtë, vjen nga mungesa e parimeve politike në subjektet politike që ka Kosova.”Tashmë është bërë praktikë që disa politikanë tanë, që nuk kanë parime dhe as moral, të premtojnë dhe të mos e mbajnë fjalën. Edhe po të doje Ramush Haradinaj, nuk ka pasur shanse që të reduktojë numrin e ministrive, për faktin se vetëm me këtë ‘kulaç të madh’ ka mundur të bëjë bashkë koalicionin e pakicës PDK+AAK+AKR+LS+pakicat. Sikur këto parti të ishin marrë vesh dhe të kishin reduktuar numrin e ministrive dhe posteve kryeministrore, do të dëshmonin se në planet e tyre kanë interesin e qytetarëve dhe jo interesat e tyre personale”, tha Reshiti.

“Hilja” e Demarkacionit

Analisti Reshiti beson që Demarkacioni me Malin e Zi do ta marrë epilogun përfundimtar vetëm në Gjykatën e Arbitrazhit, kurse për liberalizimin e vizave nuk sheh ndonjë mundësi të shpejtë për qytetarët e Kosovës.”Tashmë është e qartë se Demarkacioni do të rregullohet .Vetë emërimi për kryetar të Komisionit shtetëror për Demarkacion prof. Bulliqin, i cili ka qenë kundërshtuesi i versionit të kaluar të Demarkacionit, e vërteton një gjë të tillë, se do të miratohet versionin i demarkacionit sipas z. Bulliqi, të cilin version as LDK-ja dhe as VV-ja nuk do të guxojnë që të mos e aprovojë. Por, çështja e Demarkacionit nuk përfundon me kaq. Mali i Zi nuk do ta pranojë dhe çështja do të dërgohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, vendimet e së cilës janë të obligueshme për palët”, potencoi ai. “Pra, këtë ‘hile’ do ta përdorë z. Ramush Haradinaj për të thënë se unë e realizova premtimin dhe tani çështja nuk është më në duart e mia. Këtë ‘hile’ e kemi ditur të gjithë, por ende nuk është e kuptueshme kokëfortësia e LDK-së dhe PDK-së, të cilat nuk vepruan që çështja të shkojë në arbitrazh”, potencoi Reshiti. “Sa i përket luftimit të korrupsionit, si kushtit i dytë për liberalizim të vizave, jam i bindur se këtë kusht nuk do të mund që ta realizojë Ramush Haradinaj, për një fakt fare të thjesht. A mund Ramush Haradinaj të kërkojë nga prokurorit dhe gjykatat e kapura që të ndjekin dhe gjykojnë politikanë dhe zyrtarë të korruptuar që vijnë nga partnerët e koalicionit, të cilët janë “peshqit e mëdhenj”? “Sigurisht që jo nëse e dinë këtë fakt. Për ata politikanë dhe parti politike ku janë ‘peshqit e mëdhenj’ sot për sot është jetike mbetja e tyre në pushtet, pa marrë parasysh a kanë poste të larta shtetërore, kryesore me mbajt të ‘kapur shtetin’ në mënyrë që ata mos të përfundojnë në burg për korrupsion”, tha Ymret Reshiti.

Ekzekutiv me probleme të brendshme

FIDANISHTJA

Analisti Hidajet Ahmeti vlerëson se vazhdimi i logjikës së njëjtë nga kryeministrit Haradinaj jep një mesazh të qartë për seriozitetin, sinqeritetin e kësaj qeverie megalomane.”Në njërën anë tregon se vizioni i kësaj qeverie është deficitar në zhvillimin ekonomik, konsolidimin e shtetësisë dhe integrimin në strukturat euroatlantike. Kjo qeveri do të këtë probleme të brendshme, pasi që nuk do të këtë një integrim qeverisës nëpër ministritë që do të udhëheqë nga partitë politike të koalicionit. Kjo logjikë qeverisëse nuk do të jetë produktive, pasi që do të këtë një funksionim të çakorduar dhe jashtë kornizës kushtetuese e ligjore”, theksoi Ahmeti.

Ai po ashtu ka pohuar se problem serioz do të jetë edhe funksionimi i integruar brenda Qeverisë Haradinaj, që ka të bëjë me vijën e drejtë të raportimit të brendshëm të qeverisë, e cila pa pikë dyshimi do të jetë e çakorduar. Këtë funksionim do ta pamundësojë fillimisht Lista Serbe, e kontrolluar nga Beogradi, por nuk do ta respektojnë as subjektet e tjera politike të shumicës shqiptare, kështu që Haradinaj do të jetë një kryeministër krejtësisht pa kompetenca dhe pa autoritet në kontrollimin dhe kërkimllogari ndaj anëtarëve të kabinetit të tij. “Lista Serbe do të punojë e do të veprojë me kokën e Beogradit zyrtar, duke mos iu përmbajtur mandatit kushtetues e ligjor. Kurse partitë shqiptare të koalicionit qeverisës do të raportojnë në vijën e drejtë të liderëve të tyre partiakë. E gjithë kjo lojë qeverisëse do të përkthehet në një kryeministër të pafuqishëm politik dhe një qeveri të dobët dhe jetëshkurtër. Ramush Haradinaj pa pikë dyshimi do të jetë një kryeministër kukull, i cili nuk do të mund ta ushtrojë funksionin e tij kushtetues e ligjor”, ka theksuar ai.”Kjo qeveri do të mbahet mend për një kabinet megaloman, një kryeministër të dobët e të pafuqishëm politikisht, një qeveri ku vota e Listës Serbe do të jetë determinuese e proceseve sfiduese për Republikën e Kosovës”, u shpreh Ahmeti për “Kosova Sot”.

Zor se e mbyll mandatin e plotë

Analisti politik Arsim Haziri vlerëson se që nga fillimi Haradinaj nuk ka pasur disponim real për zvogëlimin e dikastereve ministrore dhe se deklarimi i z. Haradinajt se numri i dikastereve qeveritare do të shkurtohet më shumë ka qenë një lloj demagogjie e llojit të vet, sesa të ketë mundur të jetë e vërtetë dhe të ndikojë automatikisht në kursimin e buxhetit të Kosovës.

Ai vlerëson se qeveria ‘Haradinaj’ vështirë do të ketë menaxhimin e tërësishëm të kësaj armate ministrash, përmbushjes së premtimeve të të gjithë subjekteve, e po ashtu edhe përfundimin e këtij mandati të ri qeveritar. “Përderisa kemi në perceptim se kjo qeverisje është krijuar mbi baza materiale dhe joqytetare, atëherë vështirë është të kesh pritje për një ndryshim në kuptimin e bërjes së politikave që do të shkojnë në kahun e funksionimit të shtetit. Zgjerimi i qeverisë në 22 dikastere qeveritare në opinionin dhe elitën intelektuale më shumë përçon mesazhin e rehatimit të militantëve politikë sesa në zgjidhjen e problemeve eventualisht rritjen e mirëqenies së përgjithshme qytetare”, ka thënë Haziri. “Mandatimi politik i z. Haradinaj prej Veselit s’ka qenë edhe me lehtësi, mirëpo këtë e ka bërë ky subjekt për të eliminuar rënien në të cilën ishte futur, dhe mbi këtë bazë z. Haradinaj në asnjë moment nuk mund të ushtrojë plotësisht kompetencat kushtetuese, të cilat i garantohen, mbase vetë ardhja e tij është jodakorduese”, theksoi Arsim Haziri.

Qeverisja funksionale, e pamundur

Politologu Gurakuç Kuqi pohon se derisa kemi një kabinet qeveritar të ndërtuar jo në baza programore, por në inate politike, edhe efektiviteti i tij nuk mund të jetë pozitiv, madje në asnjë fushë të vetme. “Inatet politike të të gjitha partive çdoherë, jo vetëm tani, po shtyjnë që krizat politike të përfundojnë me zgjidhje të këqija dhe i përdorin për hesape të veta politike partiake. Me ndasi duke u lënë hapësirë edhe plëngprishësve shqiptarë e të huaj të hyjnë në qeveri me poste të larta. Krijimi i kësaj qeverie në këtë mënyrë është faji i të gjitha partive kryesore (VV, LDK, PDK, AAK dhe Nisma), andaj ky shembull uroj që më asnjëherë të mos përsëritet. Qeveria e tanishme, me 22 ministri dhe një staf të gjerë prej zëvendësministrash, këshilltarë, etj., është vetëm një hapësirë ideale për punësimin e militantëve dhe jo për punë, sepse realisht kemi vetëm një shpërndarje mishmash të përgjegjësive”, potencoi ai. “Ky koalicion dhe kabinet qeveritar e bëjnë të vështirë edhe punën e kryeministrit Haradinaj, sidomos kur kemi parasysh që ka ministra që vijnë nga parti sezonale dhe sekserë dhe sado që kryeministri dëshiron menaxhim të mirë të punëve, ministrat nga partitë e tjera do ta sabotojnë punën. Andaj, nuk ka qeverisje funksionale me shumësi ministrish, të cilat në mënyrën që kanë kompetencat e rivalizojnë njëra-tjetrën në sferën e njëjtë”, tha Gurakuç Kuqi.

Ai ka pohuar se sa i përket liberalizimit të vizave kryeministri ndoshta ka nënkuptuar që për tre muaj mund të plotësohen dy kriteret e mbetura, por jo edhe liberalizimi i vizave, sepse kjo është një procedurë që nuk do të kryhet para vitit 2019. Megjithatë, Demarkacioni, sipas Kuqit, mbetet një ‘arrë’ e fortë për t’i dalë në krye.

Koalicion i brishtë për punë të vështira

Mision të vështirë e cilëson marrjen e timonit të qeverisë nga Ramush Haradinaj, në një koalicion shumë të brishtë dhe me një armatë ministrash jashtë kontrollit autoritar, edhe Skënder Mulliqi.”Qeverinë ‘Haradinaj’ e presin punë shumë të vështira, siç janë Demarkacioni, “Zajednica” dhe formimi i Ushtrisë. Haradinaj që në start të punës tërhoqi një potez të mirë politik, duke e shkarkuar Murat Mehën dhe në vend të tij emëroi profesorin Shpejtim Bulliqi, cili kundërshtoi shënjimin e vijës kufitare sipas Mehës, pasi Kosova humb mbi 800 mijë hektarë tokë”, ka thënë ai. “Se a do të vazhdojë Ramushi të bëjë punë të mira në vazhdim varet nga shumë faktorë politikë dhe nga opozita shumë e fortë. Haradinaj ishte dashur ta zvogëlojë përbërjen e kësaj qeverie, se punët mund të kryhen edhe me më pak resorë qeveritarë. Ai nuk do ta ketë lehtë menaxhimin e punës së qeverisë, por e ka rastin e fundit që t’i tregojë të gjitha aftësitë e veta për të punuar ndershmërisht dhe për përmirësimin e jetës së keqe të qytetarëve. Demarkacioni sigurisht do të dërgohet në arbitrazh, e “Zajednica” mbetet problemi më madhor për këtë legjislaturë”, u shpreh Mulliqi për “Kosova Sot”.