Qeveria e përuli Kuvendin

Përfaqësimi legjislativ në krizë të thellë. Kjo legjislaturë, më e dështuara e pasluftës
Analistët vlerësojnë se Kuvendi i Kosovës është shndërruar në institucion marionetë të Qeverisë dhe mbrojtës të interesave të ngushta klienteliste, oligarkike
Legjislatura e tanishme e Kuvendit të Kosovës, e dalë nga zgjedhjet e zhvilluara para dy vjetësh, e pesta me radhë në realitetin e ri të krijuar pas luftës, ka vetëm edhe një muaj e gjysmë për të shkuar në pushimet e verës, por nga njohësit e punës së bërë deri më tash, po vlerësohet si një nga legjislaturat më të nënshtruara ndaj Ekzekutivit dhe grupeve klienteliste të dy partive politike në pushtet.
Sipas analistëve, Kuvendi i Kosovës, me mospunën e bërë për gati dy vjet, është shndërruar tërësisht në marionetë të Qeverisë dhe mbrojtës të interesave të ngushta klienteliste oligarkike, duke harruar përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të popullit.
Profesori i së Drejtës dhe ishdeputet i Kuvendit të Kosovës, Riza Smaka ka thënë se asnjë temë serioze dhe asnjë vendim që përmirëson jetën e qytetarëve nuk është marrë deri më tash në këtë mandat parlamentar të koalicionit PDK-LDK, përveç disa temave të domosdoshme që i ka imponuar Qeveria e Kosovës. “Legjislatura e tanishme, falë përjashtimeve të pakta, kurdoherë është tepër konformiste me Qeverinë, e cila jo rrallëherë i imponon Legjislativit vendime të padrejta dhe e shtyn atë në akte problematike, edhe përkitazi me rendin juridik dhe me interesat e vendit- në shkelje kushtetuese. Po të ishte kjo legjislaturë konsekuente me rolin e funksionin e deputetit të pandikuar nga përkatësia politike dhe autoritarizmi i liderit, sanksionuar edhe me Kushtetutë, do të solidarizohej më qëndrimet e drejta të opozitës dhe do të kërkonte përgjegjësi nga Qeveria për shkelje të Kushtetutës, si dhe shkarkimin e saj me shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, tha prof. Smaka për “Kosova Sot”.